KreuFashion

Maska më e mirë për flokë të shëndetshëm, me vetëm tre përbërës!

Vetëm vajzat do të mund ta kuptojnë gjithmonë problemin e flokëve të shëndetshëm e plot shkëlqim. Ashtu sikurse konsiderohen dhe vetë femrat, ky element plotësues i pamjes së jashtme është mjaft delikat, për aq kohë sa ndryshon në bazë të stinëve. Në dimër e kemi të vështirë të përfitojmë volumin që duhet, për shkak të të ftohtit dhe lagështirës; në verë, dielli është armiku më i madh për humbjen e yndyrës së nevojshme tek flokët, duke i bërë ato të thatë e pa jetë.

Është pikërisht kjo arsyeja pse larja vetëm me shampo dhe zbutës nuk është zgjidhje. Maskat janë ato të cilat na ndihmojnë në ҫdo drejtim, duke u klasifikuar në bazë të problemit që kemi. Nëse kemi probleme me yndyrën, thatësirën, dëmtimin apo rritjen e flokëve, përzierjet e përbërësve natyralë janë gjithmonë aty, për të na ardhur në ndihmë. Sot, do t’ju paraqesim një maskë të re, e cila konsiderohet si më e mira për t’i rikthyer formën normale strukturës së flokut, në mënyrë që të mos pësojnë këputje apo fijëzime brenda një fije të vetme. Kjo, falë tre përbërësve kyҫ ushqyes: mjalti, kosi dhe vaji i ullirit. Kur ende nuk ishin zbuluar kombinime të ndryshme, shpesh rekomandohej lyerja e flokëve me vetëm një prej këtyre ingredientëve. Me pak fjalë, miksimi i këtyre tre produkteve, do të japë rezultate të menjëhershme, që thjesht do t’ju mahnisin. Ndiqni përgatitjen e mëposhtme:

Në një enë, shtoni dy lugë gjelle kos. Në një tigan të vogël, ngrohni një lugë gjelle mjalt dhe një lugë gjelle vaj ulliri në të njejtën kohë. Kujdes! Mos e nxehni shumë, mjafton të marrë ngrohtësinë e nevojshme. Më pas, shtojini menjëherë në enën e kosit dhe përziejini derisa të marrë ngjyrë të njëtrajtshme. Aplikojeni maskën në kokë, nga rrënjët deri tek majat e flokëve dhe kujdesuni që ta masazhoni skalpin sa më shumë të mundni. Mbajeni për rreth 30 ose 45 minuta, dhe më pas shpëlajeni normalisht. Pas një jave, do të na falenderoni.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF