Vitet ’70 sollën revolucion në aspektin shoqëror, e ky është një fakt i pandryshueshëm. Me ardhjen e hippie-ve, mentaliteti i mbyllur amerikan ndryshoi rrënjësisht, duke bërë kështu që të rinjtë ta shihnin jetën dhe mjedisin që i rrethonte në një tjetër këndvështrim. Do të ishin pikërisht këto vite, pararendëse të ’80, dekadë në të cilën shoqëria amerikane e ndjeu të nevojshme një stabilitet dhe vendosjen e një rendi të caktuar ekonomik, social e politik.
Përsa i përket artit, diferenca nga një dhjetë vjeҫar në tjetrin ishte jo e pakët, pasi muzika rock e ’70, nuk ishte më e njejtë në ’80. Zhanri pop po vinte gjithnjë e më tepër në interesat e publikut, ashtu sikurse nisi frekuentimi i muzikës punk apo punk-rock. Nuk ishte një fillim i mbarë për këtë art, pasi hapja e kanalit MTV, do të sillte domosdoshmërinë për videoklipe. Ishte pikërisht ky moment, kur muzika u shndërrua pak nga pak në biznes.
Moda nuk është ndër më të favorizueshmet, për aq kohë sa Amerika vetë vuante akoma pasojat e një kufizimi të pakuptuar të njëzetë viteve më parë. Dëshira për të eksperimentuar solli disa elementë të paraqitjes së jashtme, që në ditët e sotme nuk janë aq të favorizuara sa duken. Veshjet frymëzuar nga historitë hapësinore, flokët e fryra e me fije të ngritura lart, ishin vetëm disa nga ato trende të atyre viteve, që ne thjesht nuk mundemi t’i perceptojmë sot.
Nga ana tjetër, shumë figura të dashura influencuan bindshëm këtë dekadë, e shfaqja e Debbie Harry-t si personazh publik është një ndër ato kontribute, për të cilat duhet t’i jemi mirënjohës viteve ’80. Ishin fillimet e Princeshë Diana-s, ashtu sikurse Madonna shkëlqeu që me daljet e saj të para. Këtë herë, ne ju rikthejmë frymën e këtyre viteve, nëpërmjet 16 ikonave të bukurisë të asaj kohe. Klikoni në galeri për të parë disa nga të preferuarat tuaja.



















