Ajo është një ndër perzonazhet më të përfolur, e kjo më së shumti si rezultat i ndërtimit të një familje të lumtur e të shëndetshme (të paktën në dukje). Njohur fillimisht për karrierën e saj muzikore, Victoria Beckham sot gëzon disa statuse, duke filluar që nga etiketimi si bashkëshortja e David, e deri tek përshkrimi si një sipërmarrëse e suksesshme. Tejet e apasionuar pas modës, Victoria ka hapur linjën e saj personale të veshjeve dhe produkteve kozmetike. Gjithmonë novatore dhe në kërkim të së veçantës, kemi parë jo pak nga Beckham në këtë drejtim.
Së fundmi, ish-pjesëtarja e grupit Spice Girls ka publikuar një bluzë të koleksionit Vjeshtë-Dimër 2017, e cila mban emrin e firmës së saj. Materiali i pambuktë, me vizatimin e tre figurave të njejta minimaliste përsipër, duket si opsioni ideal për ardhjen e ditëve të ftohta. Ngjyra e qumështit, kombinuar me të zezën e dizenjos është një ndërthurje interesante për sezonin e ardhshëm. E mbyllur totalisht në zonën e qafës dhe me gjatësi mesatare, modeli të jep përshtypjen e një veshje për përditshmëri, gjatë periudhës së acartë të vitit. Në website-n zyrtar të firmës së Victoria Beckham, një stil i tillë kushton 300 paund anglezë, e kushdo mund të bëjë porosi online për të patur në garderobë një punim nga koleksioni i Beckham. Në galeri do të gjeni imazhet e plota.



















