KreuArt

Elma Doresi: Me Ndriçim Xhepën në sfidën e Kinës!

Teatri shqiptar do të përfaqësohet në Kinë me komedinë  “Zbutja e kryeneçes” vepër e Shekspirit me regji nga Elma Doresi. Festivali Ndërkombëtar i Teatrove “The Silk Road” (Rruga e Mëndafshit) në qytetin Xian në Kinë do të mirëpresë artistët shqiptarë. Më tej do të marrë pjesë gjatë shtatorit edhe në Festivalin Ndërkombëtar në Tangxianzu “International Theater Festival” në qytetin Fuzhou po në Kinë. Në këtë intervistë për portalin bordo.al regjisorja Elma Doresi pohon se rëndësia tek këto dy festivale është përballje me Pasqyrën, duke u përballur me shfaqje të kombësive të ndryshme dhe me kritikat e tyre. Ditët e verës për regjisoren dhe aktorët kanë kaluar në prova, por për Kinën në shfaqje janë 4 aktorë të rinj. Ata bëhen pjesë e shfaqjes për të zëvendësuar aktorët, që kanë qenë më parë me role në vepër. Më datë 16 shtator artistët shqiptarë nisen drejt Kinës. Në Xian do të jenë me shfaqjen dy net dhe një natë në festivalin e teatrit në Fuzhou.

Ditët e verës për ju kanë qenë me punë. Komedia e Shekspirit “Zbutja e Kryeneçes” ju riktheu në provat për shfaqjen, që do të jetë dhe në skenën e Kinës. Sa rëndësi ka kjo pjesëmarrje për ju si regjisore?

Jo vetëm unë, por i tërë stafi i Teatrit Kombëtar këtë vit na u desh të kalonim pjesën më të madhe të pushimeve në teatër për arsye se janë dy festivale, në Xian dhe në Fuzhou, të cilat kërkonin një organizim të saktë dhe preciz. Është një eveniment i madh artistik për të gjithë ne pjesëmarrja në të dyja festivalet. Në Xian jemi me datat 20-21 shtator, ndërsa në Fuzhou jemi më datë 26 shtator. U hap një derë e re dhe urojmë, që të mbetet e tillë dhe pas pjesëmarrjes sonë atje. Rëndësia tek këto dy festivale për mua është përballje me Pasqyrën. Ashtu siç Petruçio i ofron pasqyrën Katerinës, ashtu edhe unë do të kërkoj pasqyrën për shfaqjen tonë, duke u përballur me shfaqje të kombësive të ndryshme dhe me kritikat e tyre.

Ka qenë nga komeditë që premierën e pati në skenën e Teatrit Kombëtar me një kast aktorësh të njohur, por tashmë kur jeni për tu nisur drejt Kinës vijnë dhe aktorë të rinj në shfaqje. Pse?

Na mërzitën ja përse (qesh). Jemi në Shqipëri dhe mundësitë nuk janë shumë të mëdha, por ato që kemi mundohemi t’i krijojmë hapësira secilit e të mos bllokojmë askënd. Disa prej aktorëve janë të zënë në aktivitete të ndryshme kulturore si Televizioni, Filmi, Teatër etj. Kështu që u gjet kjo zgjidhje.

Rolet që i keni besuar këtë herë aktorëve që bëhen pjesë e shfaqjes në Kinë?

Atëherë, si fillim duhet të them se jam e lumtur, që do të bashkëpunoj me një kast të mrekullueshëm si Ndriçim Xhepa, i cili do të interpretojë rolin e Vinçencos, Andia Xhunga në rolin e rrobaqepëses, Naun Shundi në rolin e Gremios dhe Indrit Çobani në rolin e Luçencios.

Në aktivitetin tuaj si regjisore ju erdhët në skenën e teatrit me komedinë e Shekspirit pas 7 shfaqjeve….

Pas 7-të shfaqjeve. Tre dramaturgji të huaja si Aristofani, Rei Kuni etj, dhe dramaturgjisë shqiptare, ku njëra prej tyre na përfaqësoi në 2014 në Vjenë.

Emocione para pjesëmarrjes në Kinë?

Po. Dhe një Po e madhe. Shumë do thosha. Sot isha në teatër përsëri dhe ndjeva stomakun të më dridhej…Ndoshta ngase po afrojnë ditët. Ndoshta përgjegjësia bën të sajën. Nuk  e di, por me shpresë të zotit që t’i kthej për mirë këto emocione.

Keni filluar punën dhe për një tjetër projekt teatror. Këtë herë një vepër shqiptare. Çfarë ju tërhoqi tek vepra, që mban emrin e autorit Ferdinand Hysi, pse kjo zgjedhje për në skenë?

Paralelisht po, më është dashur që gjatë kësaj vere të mendoja dhe për veprën e radhës. Vepra e Ferdinand Hysit është vepër e fituar nga konkursi i Netëve të Leximit të Dramës Shqipe 2, që zhvillohet në Teatrin Kombëtar. Duke qenë se jam pjesë e institucionit dhe me Ferdinandin kemi bashkëpunuar edhe më parë ma besuan mua veprën e tij.

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF