KreuArt

Lamtumirë, Jeanne Moreau…!

Një ndër yjet e kinematografisë franceze, performancat e së cilës nuk do të harrohen kurrë, e kjo jo vetëm falë talentit të saj, por dhe si meritë e periudhës në të cilën performoi. Ndër aktoret më të dashura të nouvelle vague (valës së re) në Francë, Jenna Moreau dha një kontribut të jashtëzakonshëm, nëpërmjet performancës së mahnitshme në kryeveprën ‘Jules et Jim’ të Truffaut.

Moreau është ndarë sot nga jeta, në moshën 89 vjeҫare. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur agjenti i saj personal, e kjo ka prekur jo vetëm vendasit, por të gjithë kinemadashësit, sidomos adhuruesit e filmave francezë. Një ndër personazhet i cili është shprehur menjëherë publikisht lidhur me këtë ngjarje, ka qenë Presidenti Macron, i cili e ka cilësuar aktoren si “një shpirt i lirë e rebel, që gjithmonë i kundërvihej rregullave”, ashtu sikurse ka theksuar se Moreau “e ka trupëzuar kinemanë”.

Mes shumë bashkëpunimesh me emra të njohur, si: Orson Welles, Rainer Werner Fassbinder, Antonioni, Truffaut etj, artistja do të kujtohet gjithmonë edhe si ajo, e cila refuzoi ofertën e Mike Nichols, për të luajtur personazhin e Mrs. Robinson, në filmin “The Graduate”. Ҫmimet që fitoi gjatë karrierës ishin të shumta, edhe pse më i bujshmmi ndër to ishte nderimi me ‘Cesar’, për “The Old Lady Who Walked In The Sea”, më 1992.

Personaliteti i krijuar gjatë performancave, që në moshë fare të re, bëri që Moreau t’u veҫonte nga koleget e tjera vendase, duke sjellë një frymë krejt ndryshe në aktrim. Portreti i saj fliste shumë, e cilësimi si ‘femër e bukur’ nuk qendronte fort për të, për aq kohë sa feminiteti që shpërfaqte ishte një përzierje e klasit dhe seksualitetit; me pak fjalë, qendronte larg bukurisë prej karameleje të Anna Karina-s apo estetikës perfekte të Brigitte Bardot. Sytë plot shprehi, e privilegjonin të luante shumë me këtë tipar, duke bërë të dukej sikur aktronte, edhe kur në fakt nuk ishte duke performuar në të vërtetë. Edhe pse një rol jo shumë i madh, performanca në “Querelle” dëshmonte fare qartë pjekurinë e Moreau si aktore, ashtu sikurse dhe ritheksonte aftësinë e saj të lindur aktoriale. Moreau do t’i mungojë shumë botës së kinemasë dhe jo vetëm, duke na bërë kështu t’i rikthehemi filmave të saj më të famshëm, të cilët ndoshta, i kemi lënë disi të mbuluar nën pluhrin e harresës. Në galeri do të gjeni disa nga fotot më pikante të aktores, gjatë dhe jashtë seteve filmike.

U prehsh në paqe, Jeanne Moreau!

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF