Sopranoja e njohur Inva Mula dy vite pasi vuri në skenë operën “Pagliacci” rikthehet si regjisore por dhe si protagoniste në shfaqjen operistike, që mban emrin e kompozitorit Georges Bizet. Opera do të jetë në datat 22, 24 dhe 25 shtator dhe dirigjent është francezi Zherar Akoka.
Në këtë premierë sopranoja Mula vjen me rolin kryesor e Lejlës, ndërsa krah saj do të ngjiten në skenë baritoni Armando Likaj, sopranoja Ramona Tullumani, por edhe artistë të huaj. Për Mulën ky është një rol që i rikthehet pas 27 vitesh në skenën shqiptare. Ajo e interpretoi për herë të parë në vitin 1990, kur kjo vepër operistike u vu në skenë me regji nga Nikolin Gurakuqi (roli i Lejlës u interpretua nga Inva Mula). Ndërsa, për herë të parë “Peshkatarët e Perlave” u ngjit në skenën e TKOBAP në mars të vitit 1964. Me regji të Luigj Gurakuqit dhe nën dirigjimin e Mustafa Krantja, kjo shfaqje u realizua me dekor dhe kostumografi nga Shaban Toptani. Mjeshtrat e skënës operistike shqiptare, që interpretuan në këtë vepër ishin Nina Mula, Ksanthipi Mullisi në rolin e Lejlës, Zihni Berati, Gaqo Çako, Maliq Herri në rolin e Nadir, Avni Mula, Ramiz Kovaçi, Hysen Kurti në rolin e Zurga, Lukë Kaçaj, Koço Timko në rolin e Nurabadi.



















