KreuBusull

Reagon Sonila Meço: “Dhitë e Gertës janë të vërteta, ç’do bëjmë me veten avatar?”

Fjalimi i Erigerta Lokut nga Mirdita, dje në seancën e Parlamentit Rural të Shqipërisë shkaktoi një revolucion në rrjetet sociale, një bum komentesh e shpërndarjesh! Mes lotëve, ajo bëri një thirrje për fshatrat e lëna në harresë, për vështirësitë e shqetësimet e jetesës në zonat e thella,  pa ujë e rrugë! Ky fjalim u prit me duartrokitje nga deputetët në sallë. Një nga personazhet e njohur që ka reaguar mbi këtë fjalim ka qenë edhe gazetarja Sonila Meço. Sipas saj, fjalimi i Lokut, i një gruaje që e ka ndërtuar jetën mes sakrificave ishte i drejtë, por në vendin e gabuar! Meço shton se ky fjalim është bërë  material për statuset në rrjetet sociale, e nuk shërbeu  aspak  si një revolucion për të përmbysur realitetin e hidhur në zonat rurale. Ja postimi i saj i plotë:

Gerta dhe avatarët

“Nga foltorja e kuvendit kanë folur të zgjedhur e të pazgjedhur prej nesh, të shkolluar e të padiplomuar, të ndershëm e kriminelë, viktima e xhelatë, të mençur e të pazotë. Nga ajo foltore janë artikuluar 27 vite tranzicion shqiptar, i dhimbshëm, përjashtues, vrastar, denigrues, i padrejtë, zaptues, shkatërrues, i ashpër e dhunues. Ndaj ngjan bast i humbur pritshmëria e një të vërtete të madhe, mbijetuese, çarmatosëse e triumfuese kumtuar nga ajo foltore. Kush guxoi, nuk është më aty, kush provoi u baltos, kush rezistoi u përshtat. Për këtë fjalimi i ndjerë i Gertës me atë sfond e audiencë, lagur me lot e mbathur me lutje bën zhurmë. Zhurmë herë frymëzuese e herë konspirative. Sepse kush hyn aty ka mallkimin e paragjykimit si hyri, pse dhe në emër të çfarë. Ka kohë që aty nuk hyjnë të zgjedhurit prej nesh, a ndoshta nuk kanë hyrë kurrë.

Sikur Gerta të kish folur në tjetër sfond, për një tjetër audiencë, lagur veç nga djersët e punës e mbathur veç me krenarinë e çfarë ka arritur e refuzim të pranimit të realitetit siç është, fjalët e saj nuk do shkaktonin këtë ndarje. Do dëgjoheshin për realitetin e hidhur që bartin, të vërtetën e madhe që klithin zanoreve, zemëratën e papërmbajtshme që do rrëzonte çdo qeveri, frymëzimin e jashtëzakonshëm që sot do kish nxjerrë njerëzit në rrugë. Ja që sot fjalët e Gertës, një gruaje ndërtuar vetë e sakrificash janë status facebook-u, instagrami, tweeter-i dhe jo një revolucion rrënjësh. Këtë më mirë se kushdo e di Gerta që foli nga kuvendi, vendin që shpërfillet, fyhet e denigrohet nga ata që kanë në dorë fatet e vendit. Ne, populli të rrjeteve sociale. Dhitë e Gertës janë të vërteta, ç’do bëjmë me veten avatar? #beingreal”

Tags:

Home Busull

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF