KreuStil Jetese

5 sekrete të bukurisë franceze… sipas Maria Antonetës!

Regjimi i bukurisë së Maria Antonetës është antonimi i bukurisë së sotme franceze, stili laissez-faire (thjeshtësia është kryesore). Jo më kot ka qenë mbretëreshë e urryer nga populli.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë që të mos marrim shembull nga monarkja e Francës, aq e njohur për luksin me të cilin e rrethonte veten.

Mbretëreshat i dinë nja dy gjëra më shumë se ne, apo jo?

 

1. Mos u kurseni me banjot në vaskë

Në filmin “Maria Antoneta” të vitit 2006, aktorja Kirsten Dunst, në rolin e mbretëreshës, shihet shpesh duke relaksuar veten në vaskën e saj dekadente, në pallatin luksoz të Versajës.

Ky nuk është dramatizim: Maria Antoneta e kishte vërtet një praktikë të tillë, në një kohë kur populli i varfër mund të bënte vetëm një-dy banjo në javë, në mos në kushte natyrore.

Maria Antoneta i shtonte ujit esencë pishe, bajamesh, farë liri, dhe përdorte trasta të mbushura me oriz si eksfoliant për lëkurën.

 

2. Përdorni produkte natyrale si bojë për flokët

Poshtë parukave të bardha, Maria Antoneta ishte bjonde karamel. Ajo arrinte ngjyrën e preferuar të flokëve duke përdorur shafran apo dru sandali, bërë si pastë. Për të ndjekur shembullin e saj, ju mund të përdorni kënanë, një përzierje e shëndetshme bimore.

 

3. Rrethojeni veten me fragranca

Edhe vetë pallati i Versajës nuk shpëtonte nga aromat e pakëndshme, për shkak të kushteve të tualeteve në ato kohë. Maria Antoneta përdorte aroma të ëmbla si mburojë, duke përmendur këtu trëndafilin, jaseminin, livandon dhe sidomos esencën e portokallit. Ajo krijonte dhe parfumet e veta me parfumierin Jean-Louis Fargeon, të cilat i mbajti me vete edhe gjatë kohës kur ishte e burgosur.

 

4. Bëjini vetë pastrimet e fytyrës

Mbretëresha e famshme e Francës përdorte lëng lotusi, pjepri, kastravecësh dhe limonësh për të pastruar fytyrën e saj. Më pas, ajo aplikonte një maskë bërë me dy lugë çaji konjak, 1/3 filxhan qumësht pluhur, lëng limoni dhe 1 e bardhë veze. Lëkura e bardhë si porcelan ishte shumë e preferuar në atë periudhë.

 

5. Maskë false bukurie!

Lija e dhenve ishte problem shumë i madh në atë kohë, që u linte njerëzve shenja të zeza në fytyrë. Përveç pudrës së bardhë, fisnikët vizatonin shenja të vogla, për t’i bërë shenjat më të honepsshme. Ata e zbukuronin fytyrën me zemra, hëna dhe yje. Një zemër në faqen e djathtë tregonte që ishe e martuar, pra ishte ekuivalenti i unazës sot. Thuhej që Maria Antoneta vizatonte zemra në cep të buzës, duke dashur të tregonte që kërkonte një puthje.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF