Ndarja e papritur nga jeta e kompozitorit ndërpreu jo pak plane e projekte, e “Ces’t La Vie” nuk ishte i vetmi ndër to. Një nga bashkëpunimet më të fundit të Lalos lidhej me kinematografinë, ku emrin e tij do ta shihnim të shkruar përkrahë meritave për kolonën zanore të filmit “Një film i premtuar”. Sëbashku me regjisorin Petrit Ruka, Aleksandër Lalo do t’i rikthehej dashurisë për kompozimet e muzikës në filma.
“Muzika është mbi filmin dhe sigurisht që unë e vlerësoj Petrit Rukën. E kam parë filmin dhe mua më duket jashtëzakonisht interesant”, është shprehur Lalo lidhur me këtë projekt, pas përfundimit të xhirimeve. Ky realizim sjell varfërinë e Shqipërisë në vitet ’90, ndërsa lokacionet janë zgjedhur në Benjë të Përmetit. Nga ana tjetër, kujtojmë se kontributi i Lalos në kolonat znore të filmave shqiptare është i shumtë.
“Treni niset në shtatë pa pesë”, “Dy herë mat”, “Një vonesë e vogël”, “Vajzat me kordele të kuqe” etj., janë vetëm disa nga veprat e regjisorëve vendas, të cilat iu besuan Lalos për muzikën. Kështu, tingujt e krijuar nga kompozitori nuk i kemi dëgjuar vetëm në festivale, por edhe në dhjetra filma, të cilët kanë qenë dhe mbeten pjesë e pandashme e ekranit…