Edhe pse askush nuk e priste, ndarja nga jeta e David Bowie tronditi thellësisht botën e artit në tërësi. Si për të mos mjaftuar talenti në muzikë, kontributi i Bowie-t në kinema ishte një tjetër vlerë e pamohueshme, e jo vetëm kaq. Miku i shkëlqyer i shumë prej personazheve, dha një ndihmë të paçmuar në jetët e gjithësecilit, e këtu nuk mund të harrojmë deklaratën publike të Iggy Pop, i cili i dha mirënjohjen David për shkëputjen e tij nga droga.
Tashmë, gjithçka ka mbetur nga Bowie është imazhi i tij në filma, klipe, foto, si dhe një pluhur kujtimesh që na sjell muzika e tij unike. Për herë të parë që nga ndarja e tij nga jeta, puna më e fundit e ikonës së artit do të nderohet në New York. Lokalizuar në Muzeun e Brooklyn, është menduar që të eksplorohet i gjithë proçesi kreativ i artistit nëpërmjet përzgjedhjes së 400 artikujve të ndryshëm personalë të Bowie-t.
Këtu përfshihet e gjithë arkiva e tij, duke filluar që nga kostumet e skenës, tekstet e shkruara në letër, pjesë videosh të papublikuara etj. Të gjithë adhuruesit e David do të kenë mundësinë të shijojnë ekspozitën që nga data 2 mars e 2018-tës, deri më 15 korrik të po së njejtit vit. Fansat kanë filluar që tani të mendojnë se ç’të re mund të gjejnë në ambientet e Muzeut të Brooklyn. E jo pa faj!