KreuStil Jetese

Dasmë princeshash, ja nuset mbretërore me fustanet më përrallore!

Vajza, nuk mund ta mohojmë që ëndërrojmë shpesh për një dasmë përrallash, dhe fustanin legjendar në ngjyrë të bardhë, me të cilin shkojmë drejt altarit.

Sa më i fryrë fustani, aq më mirë; jo më kot quhet ky model, një model “princeshe”!

E me që ra fjala te princeshat e vërteta të botës tonë, si kanë qenë dasmat dhe fustanet e tyre? Të gjithë e njohin me një shikim fustanin e Kate Middleton-it, e po ashtu edhe të princeshë Dianës apo Grace Kelly-t të Monakos.

Por ja që bota ka ku e ku më tepër princesha, dasmat dhe fustanet e të cilave nuk bien më poshtë nga prezantimi. Kemi mbledhur disa nga fustanet më të bukura të nuseve mbretërore, dhe po ashtu pyesim veten: tani që Meghan Markle u fejua me princin Harry, si do të jetë fustani i saj?

 

1. Princesha Grace e Monakos

Në vitin 1956, aktorja amerikane, fituese e çmimit Oscar, Grace Kelly u martua me princin Rainier të Monakos. Edhe fustani i saj nuk iu nda Hollywood-it, pasi u stilua nga stilistja e kostumeve të studiove “MGM”, Helen Rose. U deshën më tepër se 6 javë që fustani të krijohej, dhe copa ishte mëndafsh, si dhe kishte një tyl 125-vjeçar.

2. Princesha Diana

Fustani i nusërisë më i famshëm në botë u krijua nga David dhe Elizabeth Emanuel, dhe ishte i gjithi mbuluar në perla e qëndisma. Bishti mbi 7 metra i gjatë u stilua sipas shkallëve të katedrales së Shën Paul-it, kisha ku u martua princesha Diana me princin Charles.

3. Princesha Mette-Marit e Norvegjisë

Në 2001, nëna beqare u martua me princin e kurorës së Norvegjisë, me një fustan mëndafshi krijuar nga stilisti Ove Harder Finseth. Kurora antike ishte një dhuratë e mbretit dhe mbretëreshës për të.

4. Princesha Maxima e Hollandës

Në vitin 2002, bankierja argjentinase Máxima Zorreguieta u martua me Princin Willem-Alexander, mbretin e ardhshëm të Hollandës, në një fustan mëndafshi nusërie nga Valentino. Ajo po ashtu vendosi një kurorë të mrekullueshme me diamante.

5. Mbretëresha Letizia e Spanjës

Gazetarja u martua në vitin 2004 me princin Felipe de Borbon, në një fustan nga Manuel Pertegaz. Ajo vendosi të njëjtën kurorë që princesha Sofia vendosi në dasmën e saj me mbretin Juan Carlos.

6. Princesha Victoria e Suedisë

32-vjeçarja lidhi kurorë në vitin 2010, me një fustan sateni me bisht 5 metra të gjatë. Ra në sy kurora e saj e artë me zbukurime cameo, që edhe mamaja e nuses, mbretëresha Silvia, e vendosi në dasmën e saj në vitin 1976.

7. Annemarie, Dukesha e Parma-s dhe Piacenza-s

Nusja e princit Carlos të Bourbon-Parma u martua me një fustan në stil sirene prej sateni, zbukuruar me një kurorë me perla dhe po ashtu vëthë perle, duke i mahnitur të gjithë, me këtë look princeshe si e dalë nga thellësitë më të bukura të oqeaneve.

8. Catherine, Dukesha e Cambridge

Askush nuk mund ta harrojë këtë fustan, apo të gjithë dasmën e Kate Middleton-it me Princin William. Fustani i saj ikonë është i firmës Alexander McQueen, dhe kurora me diamante ishte një huazim i Mbretëreshës Elizabeta II.

9. Princesha Stephanie e Luksemburgut

Kontesha u martua me Dukën Guillame, veshur në një fustan përrallor nga Elie Saab. Bishti i fustanit ishte plot 4 metra i gjatë, mbuluar i gjithi në 50.000 perla.

10. Princesha Charlene e Monakos

Në dasmën e saj me princin Albert në vitin 2011, ish-notarja Olimpike veshi një fustan nga Armani me supe të zbuluara, prej sateni, me 40.000 kristale Swarovski, 20.000 perla dhe 30.000 gurë floriri, për të krijuar dizenjo lulesh.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF