Personazhi i ftuar në “Jo Vetëm Modë” ka qenë Antoni Çako, djali i Inva Mulës dhe Pirro Çakos. Edhe pse jo shumë i komentuar në Shqipëri së fundmi, Antoni ka rrëfyer shumë mbi jetën e tij personale, planet e së ardhmes dhe marrëdhëniet me prindërit.
Ai ka zbuluar se pas angazhimit fillimisht në shkollën e mjekësisë, kishte hequr dorë nga ky drejtim për t’iu përkushtuar muzikës elektronike. Një vendim ky që nuk ishte përshëndetur nga e ëma, por Çako kishte insistuar me synimin për t’u bërë producent. Nga ana tjetër, ai është shprehur se i ati në sytë e Antonit është kompozitori më i madh i gjeneratës së tij, ndërsa Inva sopranoja me zërin më të madh në Shqipëri. Për të dy prindërit, Antoni ka thënë se ndihet shumë krenar, ndërsa është pyetur edhe për marrëdhënien me Hetem Ramadanin, bashkëshortin aktual të Inva Mulës.
“Me Hetemin kemi marrëdhënie shumë të mirë, e respektoj shumë. Në fillim, kur u lidh me mamin, isha 13 vjeç, nuk e pranoja si çdo djalë në atë moshë, sepse isha xheloz. Por, pastaj kur lindi Nina, ndryshoi komplet çdo gjendje. Pati një relacion shumë të mirë, shumë respekt nga të dy anët. Burrë shumë i mençur, kemi biseda filozofike në tavolinë. E respektoj shumë”, ka thënë Antoni, duke e qartësuar marrëdhënien me Hetemin. Sa për emrin e artit, ai ka shtuar se nëse do duhej, do të mbante pseudonimin Çako.