Ditët me diell nuk janë dhe aq larg sa duken, edhe pse moti ka premtuar disa teka për një kohë të shkurtër. E rëndësishme është që i ftohti nuk do të jetë më pjesë e përditshmërisë, kështu që bëjmë mirë të mendojmë se si do ta ndryshojmë garderobën. Disa mbeten besnikë të blerjeve të vjetshme, të tjerë investojnë pak në ndryshime, ashtu sikurse pjesa e mbetur ndryshon çdo gjë, duke marrë kështu gjithçka të re që ofron tregu.
Bazuar në tendencat e fundit, përpiqemi të jemi sa më pranë asaj që ofrojnë trendet dhe paraqitjet e kohës. Por, kjo nuk do të thotë të heqim dorë nga stili ynë dhe siç e kemi theksuar, mund të krijojmë një kombinim fantastik, vetëm në bazë të imagjinatës. Ato që na tërheqin vëmendjen më së shumti janë javët e modës në Amerikë e Europë dhe yjet janë ata që shkëlqejnë me paraqitjet e tyre.
E njejta gjë ka ndodhur me javën e modës në Paris, ku të famshmet dalluan me zgjedhjet mbi veshjet. Më pranë stilit pranveror, vajzat sollën shije unike, që mund t’i shërbejnë kujtdo edhe në përditshmëri. Zbuloni imazhet më poshtë dhe inspirohuni nga kombinimet fantastike të yjeve.



















