E premtja mbrëma uli siparin e spektaklit të kërcimit në Vizion Plus, edicion ky që vuri në garë më të mirët e të gjithë edicioneve të kaluara.
Javë pas jave, e eliminim pas eliminimi, finalja e “Dancing with the stars”, u nda këtë të premte, mes Soni Malaj dhe Aulona Mustës. Mes votave të publikut dhe vlerësimeve të jurisë, Soni ishte ajo që mesa duket ka ditur të vijë ndryshe dhe korrekte në çdo puntatë të këtij spektakli, e cila herë pas here nëse nuk do të dinim që ishte Soni, me shumë gjasa do ta ngatërronim me një balerinë profesioniste.
Në fakt zeshkania e muzikës shqiptare, edhe në klipet e saj, duket se i kushton një rëndësi të madhe performancës e në veçanti kërcimit, madje Soni kërkon të jetë aq perfekte sa në disa prej këngëve te saj ka bashkëpunuar me 2 koreografët e njohur Enada dhe Gerd Vaso.
Sa i përket “Dancing with the stars”, Soni Malaj ka qenë pretendente e fortë për të fituar, edhe edicionin e parë të këtij spektakli në vitin 2010, por që asokohe ishte Oni Pustina ai që triumfoi. Megjithatë asnjëherë nuk është vonë, për të marrë atë që meriton, ndaj le të themi se më këtë fitore të Soni Malajt, shprehja popullore “haka shkon tek i zoti”, i shkon tej mase përshtat.