Kohët e fundit emri i tij nuk ka qenë prezent nëpër portale a media të ndryshme. E ndërsa në karrierën e Kastro Zizos nuk dimë se ç’plane ka, mesa duket sa i përket jetës private, artisti kontravers paska alamet planesh.
Pasi e pamë pak ditë më parë, teksa po i vendoste unazën në gisht bukuroshes Kristina Skurra (Miss Shqipëria 2017), foto kjo që habiti jo pak ndjekësit, pasi mesa duket Kastro dhe Kristina e kanë mbajtur hermetikisht të mbyllur këtë lidhje, duket se hapi i radhës do të vijë shumë shpejt.
Po, po pas unazës vjen martesa dhe me gjasë Kastro do të jetë një dhëndër brenda këtij viti. Në një intervistë të dhënë për Panorama Plus, këngëtari ka treguar për marrëdhënien me Kristinën, ku ai rrëfeu se janë njohur në spektaklin Miss Shqipëria 2017, ku Zizo prezantonte ndërsa bukuroshja Kristinë ishte konkurrente.
I pyetur nëse do të ketë një dasmë në horizont Katro dha një përgjigje tërthorazi, duke thënë se ai dashurohet në vit tek dhe martohet në vit çift. Këmbënguljes së gazetares nëse do ketë një dasmë këtë vit, Kastro u përgjigj shkurt se; 2018 është vit çift!
Pra paskemi dasmë këtë vit!