Olta dhe Stivi; kur talenti rrjedh në vena!
Motër e vëlla rrëfejnë marrëdhënien e tyre të bukur, mes humorit, grindjeve, dashurisë, kritikave dhe komplimenteve…
Ajo një prej zërave më të bukur që ka Shqipëria, dhe ai jo më pak. Ndonëse publiku do të njihte më shumë Oltën, mesa duket tek i vëllai Stivi ‘fle’ një talent për të cilin do të dëgjojmë shumë shpejt; këtë ata e premtojnë të dy…
Si ka qenë fëmijëria juaj, marrëdhënia që kishit me njëri tjetrin kur ishit të vegjël, çfarë kujtoni nga ajo kohë?
Olta: Fëmijëria ka qenë pjesa më e bukur për mua, lidhur ngushtësisht me çapkënllëqet që karakterizonin Stivin. Në terma popullore Stivi nuk i linte dy gurë bashkë dhe pasojat e veprimeve të tij gjithmonë kujtohen me shumë të qeshura. (Stivi ushqente qenushët e pellushit me vaj friteze, thyente damixhanë rakie, kafshonte të gjithë vargun e salsiçeve nga pak, i fuste sërish në frigorifer dhe linte të kuptonte që salsiçet ishin të Stivit (Qesh).
Stivi: Besoj se nëqoftëse do më jepej mundësia ta zgjidhja vetë motrën, do ishte Olta dhe marrëdhënia perfekte që kemi bashkë dhe fëmijërinë e lumtur që kemi kaluar, kujtimet janë të shumta por përkushtimi i Oltës që kur isha i vogël dhe deri në këto momente ka qenë i pashtershëm .
Cili është kujtimi më i bukur dhe më gazmor që keni me njëri tjetrin?
Stivi: Për mua nuk janë as të bukura as gazmore, ndërsa për Oltën po, sepse sa herë mund të ishim vetëm në shtëpi Olta bënte si e vdekur dhe unë si fëmijë i padjallëzuar nuk e kuptoja që ajo bënte shaka dhe filloja qaja ‘Olta çohu, çfarë ke?!’ dhe kjo gjë ndodhi për shumë vite dhe unë çdo herë mashtrohesha dhe e besoja. (Qesh) Por siç i thonë asaj shprehjes; bota është e rrumbullakët sepse tani e tremb unë Oltën.
Olta: Nuk jam shumë krenare për këtë. (Qesh)
Olta është tre vite më e madhe se Stivi. Të kujtohet reagimi apo sjellja jote kur erdhi vëllai i vogël në shtëpi?
Stivi: Historia nis kështu; (mesa më kanë treguar sepse unë nuk e mbaj mend) babi i thotë Oltës tani jemi bërë me vëlla të vogël dhe vëllai duhet të flejë me ne se është i vogël ka nevojë për përkujdesje dhe ti duhet të flesh në krevatin tënd dhe në ato momente Olta i kërkon babit që t’i premtojë që ajo do të flejë me babin dhe mami le të kujdeset për vëllain…(ata ia premtuan, por sigurisht që nuk e mbajtën premtimin) (Qesh)… Kur vjen princi në shtëpi (që jam unë), babi e harron premtimin dhe Olta me egoizmin dhe xhelozinë e një fëmije fillon bërtet dhe i kërkon babit llogari që ti më premtove që do rrije me mua… Këshu ishte dita e parë e imja në shtëpi, por nga motra unë mora dhuratën e parë në jetë sepse ajo më vendosi emrin.
Olta: Kjo që tregoi Stivi është e vërtetë. Ende sot ma përmend mami me babin reagimin tim, kur ai s’e mbajti premtimin; – “I poshtër ti më premtove që do rrije me mua, jo me ktë morrin e vogël” ka qenë shpërthimi im. Dhe pas kësaj dite unë jam me trauma. (Qesh).
Për çfarë grindeshit më shumë kur ishit të vegjël?
Olta: Nuk mbaj mend të kishim motive, por di që gudulisjet përfundonin në shpulla.
Cila është ajo pjesë e karakterit që nuk ju pëlqen fare tek njëri-tjetri?
Olta: Stivi eshte i miri i dheut, por dembelizmin s’ja duroj dot fare, po fare ama.
Stivi: Olta është ndonjëherë shumë nevrike.
Keni ndonjë nofkë që ja keni vënë njëri-tjetrit?
Olta: Emra përkëdhelës hera herës, por më shumë i thërras me një këngë popullore; o pallaveshi vogël o, pallaveshi vogël o (Qesh).
Përshkruani njëri-tjetrin me tre fjalë
Olta: Shërbet, çiltërsi, ambicje
A flisni bashkë për çështjet e zemrës?
Olta: Gjithmonë; jemi shokë të ngushtë.
Stivi: A flasim?! Olta e di se si është formuar zemra ime.
A ju ndodh të kërkoni tipare të njëri tjetrit tek partnerët?
Stivi: Thjesht bukur dhe saktë; unë këshu e dua femrën që do kem në krah, si Olta.
Olta: Ndodh shpesh, por më shumë se partneri do të doja shumë që fëmijët e mi t’i ngjanin Stivit.
Cili prej jush ka shfaqur më shumë të dhëna kur ishit fëmijë që do të bëhej këngëtar?
Stivi: Të dy kemi shfaqur shenja talenti që të vegjël, Olta ndryshe nga unë filloi shkollë të përgjithshme, kurse unë shkollë muzike.
Olta: Stivi, me super bindje Stivi! Ka qenë brilant dhe shpesh herë më kompleksonte me aftësinë e tij sesi zgjohej nga gjumi dhe këndonte sikur të mos kishte fjetur fare (mëngjesi është problematik për këngëtarët pasi për të kënduar në gjendje optimale duhet që kordat të ngrohen me ushtrime vokale). Stivi vazhdon të jetë diamant, (por në përpunim e sipër). Qesh.
Sa ka ndikuar babai juaj në rrugën që tashmë të dy keni zgjedhur?
Stivi: Për mua babi ka qenë dhe do të jetë një pikë referimi në rrugëtimin tim në jetën artistike.
Olta: Ai është arsyeja e sukseseve tona, është pikënisja e një të ardhme që mezi e presim.
Cili është më i talentuar?
Olta: Në mënyrë absolute që Stivi.
Pse Olta njihet më shumë nga publiku?
Stivi: Sepse doli para Stivit ne treg…Stivi is coming…
Olta: Kështu deshi fati; të isha më e madhja dhe për rrjedhojë të kisha mundësi të prezantohesha në publik më herët se Stivi. (por kjo s’do të thotë që s’mund të ndryshojë), Stivi po punon ta kthejë kohën në favor të tij.
Vëlla e motër që ndani të njëjtin pasion për muzikën, a mundet të ketë ndonjëherë konkurrencë mes jush?
Nuk mendoj se ka konkurrencë midis gjinive të ndryshme
Për momentin mund të themi që Stivi njihet si vëllai i Oltës. Kur do të bëhet Olta motra e Stivit?
Stivi: E thashë dhe pak më lart; Stivi po vjen.
Olta: Mezi e pres këtë moment, por jam e bindur që s’do të vonojë dhe shumë!
Nëse jeta juaj do të kishte një kolonë zanore, cila do të ishte e përshtatshmja?
Stivi: “Zemrën lamë peng” nga Olta Boka.
Olta: Mariah Carey – Hero “And you’ll finally see the truth, that a hero lies in you”
Së fundmi mund të ndani me ne projektet tuaja të vjeshtës?
Stivi: Së fundmi jam në bashëkupim me “Unixproduction” dhe garantoj projekte të sukseshme. Do ta njihni shumë shpejt Stivin….
Olta: Kismet me projekte të reja plot, por për arsye supersticioni dhe korrektese s’po pronocohem akoma.