Simpatik, i përmbajtur, me një emision shumë të ndjekur, siç është “NIN” dhe nga pas një familje e mrekullueshme, bashkëshortja Yllka dhe 3 fëmijët e tij, e bëjnë atë të thotë me gojën plot “jam një burrë me fat”! Dhe Alaudin Hamiti është nga ata burra koshientë për fatin që ka! E zbulon veten në këtë intervistë për BORDO!
Nga Nada Biraçi
Fotografia: Granit Mamaj
Alaudin, nëse bëni një bilanc të asaj se çfarë keni arritur dhe si keni ardhur deri këtu, çfarë shihni kur ktheni kokën pas në vite?
Shoh shumë punë, sakrificë, por edhe ëndrra të cilat ende synoj t’i realizoj. Them që kam pasur një jetë ku ka pasur shumë më tepër lumturi se momente të këqija. Deri tani bilanci është pozitiv, jam një burrë me fat.
Si u gjendët ju në televizion?
E mbaj në mend që sapo u pata kthyer nga Finlanda dhe takova një mike e cila aso kohe punonte në Radio Televizionin e Kosovës. Ishte një periudhë kur Kosova sapo kishte dalë nga lufta dhe si gjithçka tjetër, edhe mediat po rindërtoheshin. U kyça në RTK dhe drejtoja emisionin më ‘in’ për të rinj që quhej “Amazing bre njeri”, ndërsa ky doli të ishte vendimi i duhur që kam marrë. Mendoj se jam i bërë fiks për këtë punë.
Nëse nuk do ishit prezantues (e njëkohësisht drejtor i një platforme televizive), çfarë profesioni tjetër do të bënte Alaudini?
Pa dyshim një shef kuzhine! Nëse nuk e keni ditur, jam një kuzhinier improvizues shumë i mirë, madje kam edhe kopshtin tim ku kultivoj vetë (pemë dhe perime organike) disa prej gjërave bazike të kulinarisë.
Ka qenë kjo ëndrra juaj që në vegjëli?
Në fakt ëndrra ime ishte të bëhem aktor, gjithmonë e paramendoja veten të isha pjesë e serialeve si “Melrose Place” e “Beverly Hills”.
I ndiqni programet televizive në Shqipëri? Ku dallojnë ata me të Kosovës? Prishtina apo Tirana bën më mirë televizion?
Tirana ka investuar më shumë në media. Prishtina bën televizion më mirë, megjithatë ka më pak spektakël me glamur dhe të zjarrta. Mendoj që në televizion kosovarët janë më të edukuar. Po dëgjove një debat politik do marrësh vesh se çfarë po thonë, ndërsa në Shqipëri, zor se kupton edhe cila ishte tema. Televizionet shqiptare i ndjek rrallë dhe atë vetëm përmes online streaming për ta thënë sinqerisht, jam më shumë i fokusuar t’i analizoj televizionet dhe programacionet e huaja, që të shkojmë me trendet botërore edhe në Kosovë.
Pse jeni kaq rrallë prezent në programet e Shqipërisë?
Jam mjaft prezent në ato në Kosovë, angazhimi im në detyrën e re si Drejtor i Platformës Artmotion – më pamundëson të jem aktiv në Shqipëri. Emisioni “NIN” më merr shumë kohë, udhëtimet e shumta kanë destinacion drejt Evropës dhe Tirana gjithmonë mbetet pak anash.
Nëse do ju jepej mundësia për të realizuar një program me një moderatore nga Shqipëria, çfarë natyre do të kishte ai program dhe cila do ishte partnerja që do të donit të kishit në krah?
Pa dyshim një program i tipit “talk show” – në Shqipëri ka shumë material për të realizuar emisione të tilla. Njerëzit atje janë më të afërt me mediat dhe nuk kanë hezitimin që kanë shqiptarët e Kosovës. Partnerja që do zgjidhja është Jonida Vokshi. Përputhem me të meqë kemi pasur eksperiencë televizive së bashku.
Cilat janë arritjet tuaja më të mëdha në karrierë?
Mbijetesa është arritja më e madhe në karrierë, gjithashtu aftësia për t’u rikrijuar gjatë gjithë këtyre 16 viteve në televizion.
Në atë sirtarin e ëndrrave a ndodhet një program që doni ta realizoni?
Kam kohë që e mendoj. Dua të krijoj një serial timin – i adhuroj serialet.
Nëse do flisnim për arritje në jetën personale pa dyshim ata do të jenë 3 fëmijët tuaj. Çfarë babai është Alaudini?
Alaudini është baba që “parapëlqen” t’i lërë të lirë fëmijët e tij. Mundohem t’i edukoj dhe t’iu jap pavarësinë e cila vjen me përgjegjësi mbi supe. Ndonëse shumica mendojnë që jam baba shumë ‘cool’, fëmijët në këtë fazë më shohin ndryshe (Qesh). Frika konstante që do dështoj si prind më bën që të jem në mëdyshje për aftësitë e mia si baba. Me lindjen e binjakëve ka lindur edhe frika se ndoshta mund të mos jem prindi që fëmijët e mi meritojnë. Ky shqetësim më përcjell dhe vjen e shtohet me moshën e tyre.
Bashkëshortja juaj Yllka sa ka qenë mbështetëse në karrierën tuaj?
Yllka qëndron prapa meje gjithmonë. Kush nuk e njeh, ajo është një grua e fortë, këmbëngulëse dhe shumë e vendosur. I pret gjërat “rrap-tap” themi ne në Kosovë e gruan e kam pasur mbështetjen më të madhe, pa të cilën nuk do të isha mbase në këtë stad ku jam tani.
Çarë bëni ju për të mbajtur lidhjen ‘gjallë’? A bëni nga ato arratisjet pa fëmijët?
Gjithmonë arratisemi pa ta. Veçmas pushimeve familjare, unë dhe Yllka udhëtojmë shumë bashkë dhe zgjedhim të udhëtojmë vetëm ne të dy ose në shoqëri. Kemi luksin ta bëjmë këtë gjë, sepse mami im kujdeset për fëmijët dhe e di që ata me të, janë po aq mirë sa kur unë e Yllka jemi në shtëpi.
A jeni romantik? Cili është veprimi më romantik që keni bërë për Yllkën?
Sado që dukem i hapur dhe i buzëqeshur, unë në përgjithësi jam shumë i turpshëm. Nuk shpalos ndjenjat, kam mure të cilat rrallë-herë rrezohen. Kjo ju bën të kuptoni që veprimet e mia romantike nuk janë të shpeshta.
Nëse nuk ju njeh, duke parë instagramin tuaj mund të krijohet ideja që ju jeni një bloger mode. Çfarë ka ndikuar në stilin tuaj të veshjes?
Guximi për t’u shprehur përmes veshjes. Thjesht, veshja nuk është vetëm trend. Për mua veshja është deklaratë, rebelizëm, emocion momental. Veshja na veçon si individ por nuk të përcakton seriozitetin. Në këtë formë balancoj intruvertin që kam si person.
Të njohim më mirë Alaudinin!
Gjithçka e shkruar nga Haruki Murakami – kam pothuajse të gjitha volumet e tij. Zhytem në librat e tij duke lexuar për lirinë, vetminë dhe intimitetin.
Loz me parfume. Nuk i jam besnik vetëm një arome. Momentalisht pëlqej Roja – Scandal
Kur isha i ri kanë qenë dy filma cilët më kanë mbetur në kujtesë, njëri prej tyre ka pas ndikim të madh për të qenë i rezervuar ndaj
disa dukurive: “Requiem For a Deam” dhe “Devil’s Advocate”
Marka nuk ta percakton stilin, por kombinimet. Vesh nga të gjitha duke filluar nga “H&M” e deri tek “Off_White”.
Kudo që shkoj pasurohem përbrenda dhe çdo pushim ndikon pozitivsht në mua si njeri – nga ato më të qetat e deri tek ato të çmendurat të cilat nuk shpejgohen dot me disa fjalë
Jam gurman i madh. I dua ushqimet e shijshme dhe kalorike.
Netflix (Qesh)
Barcelonë, Los Angeles.