KreuCelebrity

Pse fitoi Jonida…?!

 

Nga Ilda Lumani*

Pyetja që më bënin në redaksinë e BORDO, sapo kthehesha nga zyra e Festivalit në RTSh ishte “Kush do fitojë këtë vit”? U thosha që ky ishte mendimi i fundit i imi përsa i takon kësaj ngjarjeje, më e madhja muzikore në vend! Më e shumëpritur nga të gjithë artistët; të zhgënjyerit, të mërziturit, të gëzuarit, të triumfuarit prej tij, të larguarit, të rikthyerit, fituesit e ardhur rishtas e gjithëfarë të tjerash tipologji, të cilët nuk gjenden në rreshtat e mi!

 

Entuziazmi im sapo mora vesh se dyshja Laço, Pandi dhe Bledi ishin pjesë e tij, ishte i natyrshëm! Besoj pa kompromis në kualitetin dhe përgjegjshëmrinë e tyre për të sjellë nje produkt të arrirë! (A nuk e dëshmojnë ndër vite sukseset e tyre Këngët e Shekullit (disa edicione), Gjeniu i Vogël, dhe shumë programe të tjerë?!)

Ndaj kur drejtori i Festivalit, Martin Leka më telefonoi për t’u bërë pjesë e ekipit të tij ambicioz, kënaqësia ime ishte mëse e madhe!Në takimet, mbledhjet, diskutimet për edicionin e 57-të të Festivalit të Këngës temë ishte cilësia, muzika e mirë, spektakli me nivel, kthimi i dinjitetit të Festivalit!

Rikthimi i artistëve si Eranda Libohova, Jonida Maliqi, Soni Malaj, e bënin mjaft interesante garën, në të cilën nuk mungonin më besnikët si Bojken Lako, Elton Deda, Gjergj Leka apo Kujtim Prodani dhe afrimi i një brezi shumë të talentuar si Dilan Reka, Marko Strazmiri, Ledia Lufi e Klint Çollaku e bëjnë premtues dhe mjaft optimiste të ardhmen e këtij festivali.

Në gjithë këtë panoramë asnjëherë në media, në kafe, apo në thashetheme nuk dëgjova pavarësisht në këtë pikë asnjë emër të përflitej si fitues. Madje-madje është hera e parë që gjatë këtyre viteve nuk është komentuar ndonjë pretendent si fitues!

Ama sapo provat filluan në Pallatin e Kongreseve natyrshëm të gjithë ndjenë se një këngë të dallonte më shumë së të tjerat… “Ktheju tokës” ka një mesazh që nuk i flet vetëm Shqipërisë! Sa njerëz, sa vende në botë kanë lënë shtëpitë, familjet, vendin e tyre?! Tema është universale dhe ju përket gjithë njerëzve. Interpretimi i Jonidës ndërkaq ishte surprizë për mua!

Nuk e kisha dëgjuar më parë ‘live’ dhe fillimisht muzika, e më pas interpretimi i saj më tërhoqi.

Ndërkaq Festivali kishte mjaft këngë të mira! Mes tyre kisha zërin e preferuar, të veçantë të Eranda Libohovës me një këngë që siç ua pohova dhe autorëve në prova “kjo këngë do mbetet”. Mbresëlënëse gjeja edhe të rinjtë, ndër të cilët kënga “Karma”,’ e interpretuar nga Dilan Reka. E shumë të tjerat, të cilat i dëgjova për disa ditë me rradhë në prova e familjarizimi me to më bëri ndoshta të isha më subjektive se të tjerët!

Nata e parë e Festivalit kishte tjetër emocion dhe disa këngë më dukeshin sikur i dëgjoja për herë të parë!

Natën e dytë për disa arsye personale m’u desh ta ndiqja Festivalin në telefon nga Aplikacioni RTSH, të cilin fatmirësisht si unë e ndoqën shumë miq dhe të afërm në Europë e Amerikë! (Përgëzime RTSH për këtë mundësi!,- të cilën e vlerësova kur ja ndjeva nevojën.)

Në këtë natë isha mjaft e qartë për të diferencuar më të mirat! Madje dhe 2-3 pretendentët (në optikën time!), ku Jonida kishte probabilitetin më të madh për të fituar. Dhe kjo, jo ngase, siç m’u shpreh një nga kolegët e saj, mëngjesin e së shtunës, kur edhe do të mbahej finalja, se “në juri ishin njerëz që do votonin Jonidën”! Duke hequr ndonjë syresh në jurinë e përbërë prej 9 vetash, që kishte miqësi me Jonidën, isha shumë e sigurt se emra si Pali Kuke apo Rona Nishliu e të tjerë nuk do bënin kompromis me votën!

Por teksa votimi u bë publik, ndryshe nga një vit më parë, ku juria e përbërë nga vetëm 5 anëtarë nuk u mor vesh për kë e shkundi votën, se ishte më e fshehtë se zgjedhjet politike, madje-madje, vendin e dytë dhe të tretë e mësuam të nesërmen në rrjetet sociale te vetë konkurrentëve. Mos më keqkuptoni! Nuk po gjykoj fituesin! Po gjykoj mungesën e transparencës! Ajo mungoi!

Për t’u kthyer tek tema aktuale më pëlqeu mjaft, por mjaft ama ,leximi i votës publikisht! E ndërkaq, konstatova se një nga anëtarët e jurisë që këngëtari në fjalë (më sipër) ma bëri pis, duke më thënë se është mik/ shok/ shoqe me kompozitoren Eriona Rushiti, nuk e vendosi as në treshe këngën “Ktheju tokës”!

Pas këtij votimi, edhe ai/ajo (kolegu/kolegia) është bërë penduar me siguri, që ndau atë mendim me mua!

Jonida Maliqi fitoi duke garuar kokë më kokë me disa nga këngët dhe artistët e këtij edicioni. Dalloi se do të fitonte, çka e dëshmuan dhe sondazhet e shumtë në portale të ndryshëm!

U ndje që do fitonte nga publiku, kolegët dhe gazetarët. Këta të fundit 7 prej të cilëve përbënin jurinë që dha Çmimin e Kritikës i ndanë votat mes Jonidës dhe Erandës, teksa logjika e njërës prej tyre, – po perifrazoj, ishte “Jonida ka për të fituar Festivalin, ndaj duhet t’ia japim Erandës, për këngën e bukur, por dhe kontributin në vite”!

Jonida Maliqi ka bërë realitet një ëndërr që për 11 vitesh, as nuk tentoi ta formulonte në mendjen e saj. Ka bërë reaitet ëndrrën e çdo artisti për t’u përballur ne një skenë gjigande, me audiencen më të madh të jetës, siç është Eurovizioni.

Ajo ka të drejtën të gëzojë, shijojë e jetojë për 5 muaj ëndrrën europiane. Ndaj le t’i urojmë suksese dhe ta mbështesim atë dhe konkurrimin e Shqipërisë në Eurovizion!

 

*Autorja ka qenë zëdhënëse e Festivalit e edicionit të 57-të të Festivalit të Këngës në RTSh

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF