Programi “Dua të të bëj të lumtur” solli natën e sotme një ndër historitë më dramatike dhe prekëse që është trajtuar ndonjëherë. Ishte pikërisht historia e Ildës, e cila kishte kaluar një jetë tepër të vështirë plot vuajtje dhe dhimbje.Në moshën 14-vjeçare ajo nisi të kishte vështirësi në të ecur. Për këtë arsye njerëzit kishin filluar ta gjykonin dhe ofendonin.
Ndërsa moshën 18-vjeçare ajo ishte martuar me mblesëri me Ardianin, i cili me kalimin e kohës filloi të bëhej i dhunshëm dhe paratë që fitonte i shpenzonte për të pirë.
Sipas të shoqit bashkëshortja e tij nuk meritonte të ushqehej si të tjerët pasi ajo nuk punonte. Mes lotësh Ilda rrëfeu në studio se ishte dhunuar fizikisht nga bashkëshorti i saj edhe kur kishte qenë shtatzënë, madje dhunës nuk i kishin shpëtuar as fëmijët e çiftit, Klevisi dhe Migeli. Ardiani disa herë kishte tentuar të vriste Ildën, por gjithmonë kishte shpëtuar falë Klevisit.
Ilda kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” për të falënderuar djemtë e saj dhe për t’u kërkuar falje për vuajtjet dhe dhunën që kishin përjetuar. “Klevis, Migel, mami ju kërkon që të vazhdoni shkollën dhe të mos iu marrë askush nëpër këmbë. Mami ju do shumë dhe nuk do t’iu lerë kurrë vetëm”.
Moderatorja Arbana Osmani për t’i bërë djemtë që të kalonin një moment të paharrueshëm kishte ftuar dy këngëtarët e grupit “Three Dots”, Brunon dhe Klajdin, të cilët ata i pëlqenin shumë.
Burimi: Top Channel



















