Brunilda Lahe u bë nënë për herë të parë mbrëmjen e 16 dhjetorit, teksa Hana ja behu më shpejt se mami dhe babi e prisnin duke bërë që kjo e martë të agojë për moderatoren më bukur se çdo ditë tjetër, ky agim e gjeti Brunën mami…
Pak ditë para se Hana të vinte në jetë, mami Bruna u tregua shumë e gatshme për të qenë pjesë e faqeve të Bordo, si mysafire speciale për të ndarë me ne të gjithë përjetimet e rrugëtimit të pritjes së ëmbël…
Një mami në pritje tejet detajiste, e kujdesshme, me dëshirën për të patur gjithçka gati para se DHURATA t’ja behë këtë prag Krishtlindje!
Nga Nada Biraçi
Fotografia: Fani Aliko
Ishte një mëngjes Marsi, kur Bruna do të mbante frymën për në klinikën e doktoreshës së saj, me dëshirën e ethshme për të dëgjuar magjinë e fjalëve ‘brenda teje po rritet një bebe’! Ndonëse prej muajsh moderatorja e priste një lajm të tillë, në momentin kur u gjend përballë imazhit vizualisht të pakuptueshëm në ekranin e ekos, në të cilin pasqyrohej fotografia më kuptimplotë e jetës së saj, qe e vështirë për të të përmbante emocionet e të mos shpërthente në të qara…Brenda saj po rritej një tjetër jetë, frut i një dashurie të madhe mes mami Brunës dhe babi Titit…
Si u njohën mami dhe babi i vogëlushes së Brunës dhe Titit?
Unë me bashkëshortin jemi parë dhe njohur për herë të parë në vitin 2004 në ambientet e televizionit të Përmetit, AOS. Ai pas një eksperience televizive në Tiranë ishte rikthyer në Përmet për t’iu bashkuar stafit të ri që po krijohej. Ishin shpallur audicione për gazetarë e moderatorë dhe kushërira ime më kërkon ta shoqëroj pasi dëshironte të bëhej pjesë e konkursit. Shkoj me të pa asnjë prapamendim se mund të konkurroja edhe unë. Isha në pushimet e verës së vitit të 3-të gjimnaz dhe në atë periudhë mendoja se një vit më vonë do të ndiqja studimet për pedagogji e do të bëhesha mësuese. Kur shkojmë në ambientet e televizionit, ai që sot është bashkëshorti im më fton të regjistrohem edhe unë. As që e mendoja këtë gjë pasi ndër të tjera kam qenë një natyrë aq e ndrojtur saqë vetëm mendimi se do të flisja përpara publikut apo kamerës më bënte të skuqesha deri tek veshët. Ndonëse në një qytet aq të vogël siç është Përmeti shihemi për herë të parë. Meqënëse unë nuk u regjistrova, pa dijeninë time emrin tim ia kërkoi kushërirës dhe më përfshiu tek lista. Kur erdhi dita e audicionit shkova t’i kërkoj llogari përse e bëri këtë gjë, por për të mos e bërë shumë të madhe mendova që po e provoj se gjithsesi nuk kam për të fituar. Në fakt regjistrimet që u bënë me të gjithë konkurrentët erdhën në Tiranë dhe unë u zgjodha tek fitueset. Prindërit e mi as që e dinin që unë kisha marrë pjesë. Pra thënë me një fjali arsyeja që unë jam sot në televizion është Titi, bashkëshorti. Vitin e katërt të shkollës së mesme pasdite shkoja në TV AOS, ku prezantoja lajmet, dhe moderoja emisionin politik të javës…! Ndonëse ai ka filluar të flirtojë me mua që ditën e parë që më pa, vetëm në prill të 2005 ne u lidhëm bashkë dhe po atë vit erdhëm të dy në Tiranë për studime e punë.
Si kanë qenë muajt e pritjes së ëmbël; a ka qenë me të vërtetë e tillë?
Tani që bisedojmë bashkë jam në muajin e 8-të të shtatzënisë, por unë nuk i kam ndjerë aspak. Bëj pjesë tek ato gra me fat ku shtatzënia është e mbarë dhe pa shqetësime të mëdha që të kushtëzojnë dhe të ndryshojnë stilin e jetesës. Në këtë kuptim them se kanë qenë muaj vërtetë të ëmbël me përjetime të bukura dhe kuriozitet të madh për bebushen. Nga ana tjetër janë të pashmangshme edhe frikërat apo shqetësimet e një gruaje në pritje nëse do të sjellë në jetë një fëmijë të shëndetshëm dhe a do të arrij të jem një nënë e mirë. Mes të gjithë spektrit të përjetimeve kalojnë ditët që i afrohen edhe momentit të madh të cilin po e pres me shumë emocion.
Si e përjetove momentin e parë kur mësove se brenda teje po rritet një bebe?
Kisha muaj që e përgatisja veten që do të dëgjoja nga mjekja ime gjinekologe se brenda meje po zhvillohej një tjetër jetë, por për disa gjëra të rëndësishme me sa duket asnjëherë nuk e përgatit veten mjaftueshëm. Kur ajo ma komunikoi po qaja me lot gëzimi padyshim. I kërkova mjekes që të sigurohej mirë e mirë që kjo ishte e vërtetë që të mos lëndohesha apo zhgënjehesha. Sapo kisha marrë lajmin më të shumëpritur që do të ndryshonte qëllimet dhe përparësitë e mia. Është shumë e vështirë të përshkruash lumturinë e momenteve të tilla. Ato thjesht përjetohen!
A mund të ndash me ne mënyrën se si ja thatë bashkëshortit lajmin se do të bëheshit prindër?
Ai e dinte se unë do të shkoja për vizitë tek mjekja ime gjinekologe. Menjëherë sapo u përshëndeta me të telefonova bashkëshortin dhe i kërkova të takohemi. Entuziazmi i zërit më tradhtoi për t’i bërë ndonjë rreng apo surprizë. Për më tepër nuk kisha as shumë kohë për këtë gjë pasi po atë mbrëmje jam nisur për një udhëtim pune për në Turqi.
Bruna është nga ato mama në pritje që ka blerë një mal me libra për shtatzëninë?
Kam preferuar të jem selektive në atë që lexoj. Edhe i rikthehem në javën e shtatzënisë në të cilën jam pasi kujtesa ime nuk është më e njëjta. Uroj të rikthehet ashtu siç ishte pas lindjes së bebushes.
Preferove të largohesh nga ekrani, duke lënë kështu “My Living” ‘pushim’ këtë sezon. Gjithsesi je shumë aktive në vlogun tënd, ku ndan eksperiencat e tua si mami në pritje. Çfarë të shtyu për hapjen e një vlogu të tillë; është kjo një mënyrë për të qenë sërish në ‘ekran’ për publikun tënd?
Ndërkohë që shfletoja librat e shtatzënisë nisa të kërkoj në internet për nëna që ndanin përjetimet e tyre të kësaj periudhe të cilat janë unike por kanë edhe shumë pika që i takojnë. Kishte shumë në gjuhë të huaj por asnjë në shqip. E nisa krejt spontanisht pasi kjo është një gjë të cilën e bëj me lehtësi dhe kam të gjitha kontaktet prej profesionit tim. Realizova diçka të thjeshtë pa shumë mjete për të treguar se e rëndësishme është të ndash eksperiencën dhe këtë gjë mund ta bëjë secila nënë në pritje, pasi kështu ndihmojmë njëra tjetrën dhe kuptojmë se shumë gjëra gjatë këtyre muajve janë normale ose kanë nevojë për një kujdes të shtuar. Kështu u krijua vlogu im. Unë aty ndaj përjetimet dhe eksperiencën time pa marrë rolin e profesionistes.
Në vlogun tënd i ke kushtuar video mënyrës së ushqimit gjatë një shtatzënie; gjithsesi një grua shtatzënë ka edhe dëshira. Cili është mëkati i ëmbël që ke pasur gjatë kësaj periudhe.
Trileçe më shpesh se ëmbëlsirat e tjera pooor pa e tepruar gjithsesi.
Keni menduar për emrin e vajzës?
Mendojmë çdo ditë dhe i dërgojmë emra njëri – tjetrit (me bashkëshortin) në Ëhatsapp në çdo kohë, por vjen darka dhe i fshijmë. Të nesërmen nisim nga e para
Veshjet e bebit, dhomën, karrocën i ke blerë, apo je një mami supersticioze që preferon t’i bësh pasi vajza të vijë në jetë?
Jemi duke u marrë me kohë të plotë me dhomën e bebushes dhe garderobën e saj këtë muaj.
Këtij udhëtimi po i vjen fundi; a mendon se të mungojë barku i rrumbullakosur?
Lëvizjet e bebushes brenda barkut tim me siguri do më mungojnë, veçanërisht kur shtriqet apo kur lëviz gjymtyrët e vogla.
Për nënat që janë në fillim të pritjes së tyre të ëmbël; nëse ato do të kërkonin një këshillë nga ti, cila do të ishte?
Për këtë periudhë të jetës nuk ka receta secila e përjeton sipas mënyrës së saj. E rëndësishme është që gjatë këtyre muajve t’i gëzohen çdo çasti, çdo dite, çdo lëvizjeje të bebit.
Marrë nga revista BORDO, numri Dhjetor-Janar, 2019-2020