Rula Jebreal ishte prezantuese e natës së parë të Sanremos në krah të Amadeusit dhe Diletta Leotta-s. Gazetarja dhe shkrimtarja italiano-izraelite e pushtoi skenën e festivalit të famshëm italian jo vetëm me pamjen e saj, por edhe me rrëfimin e dhimbshëm që e bëri të perlotej, e të prekte edhe të tjerët. Rula foli për sfidat e gruas dhe rolin e saj në shoqërinë bashkëkohore, një temë të cilën e njeh mirë sepse e ka të përjetuar. E ëma vrau veten pasi ishte përdhunuar dhe nuk jetoi dot me këtë fakt.
Nadia ( e quanin kështu, por emrin e vërtetë e kishte Zakia), e kishte pësuar traumën në vitet e adoleshencës; agresori ishte njerku i saj, por familja për të “ruajtur nderin”, e kishte detyruar të heshte. Këtu nisi një depresion që vetëm do të thellohej. Edhe pse u martua e u bë me fëmijë, ajo nuk e harroi dot cfarë i kishte ndodhur, dhe gjendja iu përkeqësua kur mësoi se njerku i kishte përdhunuar dhe të motrën. Dhe zgjodhi të vdiste duke i vënë zjarrin vetes. Rula atëherë ishte vetëm pesë vjec. Ajo cfarë ndodhi me të ëmën, e shënjoi përjetësisht. Ndaj dhe zgjodhi të bëhej gazetare, që të tregonte historitë e njerëzve të persekutuar, sidomos grave.
“Nesër, më pyesni si ishin veshur prezantueset e Sanremo-s, pyesni edhe si ishte veshur Jebreal, por të mos pyetur më kurrë një grua si ishte veshur ditën që e përdhunuan. Të mos pyetet më kurrë! Nëna ime, Nadia, kishte frikë nga kjo pyetje dhe nuk ja doli dot, si shumë gra të tjera. Ne s’duam të kemi më frikë. Nuk duam të jemi më viktima, jetime, një aksesor apo një kuotë. Unë ja kam borxh nënës sime, ia kam borxh vetes. Ia kemi borxh vajzave tona dhe atyre vogëlusheve atje jashtë”, tha 46 vjecarja.



















