Prej më shumë se tri dekadash, Matilda Mekoçi ka preferuar të qëndrojë larg prozhektorëve mediatik.
Ikona kinematografike e viteve ’80, e cila spikati asokohe jo vetëm për aftësitë në aktrim, por po aq edhe për sharmin e hijeshinë, portreti i se cilës u kthye në të përzgjedhurën e regjisorëve të asaj kohe, vendosi të heqë dorë nga karriera pikërisht kur shkëlqimi i saj ishte në kulm.
Makoçi vendosi të bëjë nënën e Gregut, e jo aktoren e njohur, pasi sipas Matildës ishte e pamundur t’i bëje të dyja njësoj mirë.
Së fundmi, ish-aktorja si rrallëherë ka dhënë një intervistë në televizionin A2, ku foli për Matildën aktore, Matildën si nënë e Gregut, e po ashtu për herë të parë ish-bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama foli edhe për gruan aktuale Linda Rama.
Në një pikë të bisedës, teksa Matilda po tregonte se si i biri Gregu tashmë i rritur ka fituar privatësinë dhe ka preferuar të jetojë vetëm, ajo dha mendimin e saj edhe për njerkën e Gregut, Lindën.
“Shkon shpesh tek i ati. Tani e kishin marrë për pas tërmetit ndenji ca ditë atje në shtëpinë e tyre, por do rehatinë e vet, nuk është se do të rrijë një vend, ose të shkojë tek baba e vet, edhe për konjukturë për të thënë që është me babën ose kështu. Por nuk e bën, rri vetëm , i pëlqen shumë, ia del, i përballon gjërat me mundësitë e veta, me miqtë e vet, e ndihmon dhe gruaja e Edit, është grua shumë e mirë.”- ka treguar aktorja.



















