“Mund ta kisha mbajtur për vete këtë video, por boll më. Vendosja ta publikoj që ta shohin të gjithë, prindër e mësues, se cfarë pasojash të tmerrshme mund të ketë bullizmi“: me këto fjalë nëna e një 9 vjecari të prekur nga nanizmi tregoi dramën e përjetuar nga i biri për shkak të talljeve në shkollë. Videoja tronditëse tregon momentin kur Yarraka Bayles, nga Brisbane i Australisë e ka marrë djalin nga shkolla. Atë sapo e kishin qëlluar në kokë dhe e kishin tallur për gjatësinë, e nëna vetë e pa skenën. Djali shpërthen në lotë dhe i thotë: “ Dua të vdes tani, më jep një thikë të vras veten!”
As vetë Yarraka nuk I ka mbajtur dot lotët. “ Ky është impakti i talljes! Unë seriozisht, nuk di se cfarë të bëj tjetër. Dhe pastaj pyesni pse vrasin veten te miturit”, ka shkruar ajo në krah të videos e cila që prej postimit të martën, është klikuar 5,9 milionë herë dhe ka marrë 134,000 “share”. Shumë komentues kanë shprehur mbështetjen e tyre duke dënuar ashpër këtë fenomen që sa vjen e po bëhet më shqetësues, sidomos mes fëmijëve, që janë edhe më të brishtë e të cënueshëm prej tij.