Prej tashmē disa muajsh aktorja e humorit Rudina Dembacaj dhe ish-deputeti Mark Frroku po jetojnë historinë e tyre të dashurisë, duke mos ngurruar për ta shfaqur herë pas here edhe në rrjete sociale.
Dembacaj ka preferuar të tregohet e hapur me publikun duke treguar shpesh detaje nga romanca e saj me Frrokun. Por, si u njoh dhe cili ka qenë personi që ka prezantuar çiftin me njëri tjetrin, kur asokohe dyshja ‘njiheshin’ vetëm nëpërmjet ekranit.
Duket se shkesi që ka prezantuar për herë të parë Rudinën dhe Markun ka qenë aktori i “Klanifornia” Visjan Ukcenaj.
E ftuar këtë të dielë në “Why Not”, aktorja dhe moderatorja Dembacaj tregoi si dhe kur ka qenë takimi i parë me Mark Frrokun.
“Për njohjen time me Markun, duhet t’i blej një palë këpucë të kuqe, Visjan Ukcenajt. Unë dhe Visjani prezantonim një kompeticion dhe Marku ishte një ndër pjesëmarrësit dhe organizatorët doja të thoja. Mu afrua dhe u prezantuam siç u prezantuam të gjithë. Unë nuk e mbaja mend fare, nuk e kisha parë kurrë nga ekrani. Më vonë më është kujtuar që ka qenë ish-deputeti dhe i them Visjanit kush është ky? Visjani më thotë është Mark Frroku dhe i thashë ok e jeta vazhdoi po njëlloj.
Në fund të kompeticionit bëmë disa foto të gjithë bashkë. Pastaj ne u ritakuam të Tiranë dhe kemi qenë miq shumë të mirë për hir të vërtetës. Njerëzit që më kishin afër e dinin shumë mirë që Markun e kisha vetëm një mik shumë të mirë. Më pas nga miqësia filloi dhe shkëndija. Kisha shumë turp që më ndodhi si shkëndije sepse unë e konsideroja si shumë mik dhe më konsideronte si shumë mikeshë.
Me mua kishte konsumuar probleme familjare edhe biseda për fëmijët dhe nuk mundet të më kishte parë me një sy tjetër përveçse mikeshë. Por më vonë, kur ndodhi shkëndija ishte e dyanshme dhe unë e ndjeva që i kishte ndodhur dhe Markut.
U zhduka disa kohë nga qarkullimi për shkak se u bëra konfuze nga kjo shkëndija por më pas na u desh të vazhdonim punimet për lokalin sepse bisedat për lokalin ne i kishim nisur. Gjatë punës me lokalin që zgjati 8 muaj, kuptuam që ndjenja ishte reciproke.”- tregoi Rudina gjatë bisedës me moderatoren Roza Lati.