Islanda ka marrë masa të jashtëzakonshme për t`i bërë ballë pandemisë. Ishulli me 364 mijë banorë ofron teste gratis për cdo qytetar. Deri tani duket se ka arritur ta mbajë gjendjen nën kontroll me 1.800 infektime dhe vetëm 10 vdekje.
Ndërkohë, nuk ka shpallur as gjendje emergjence e as i ka ndaluar aktivitetet tregtare. Atje thjesht nuk lejohen grumbullimet me më shumë se 20 persona. Shkollat dhe dyqanet janë të hapura, por me kujdesin të zbatohen rregullat e distancimit.
“ Strategjia e vendit tonë është bazuar në prova konkrete. Nuk kemi testuar vetëm individët që paraqesnin simptoma, por të gjithë popullatën në përgjithësi”, tha për BBC-në Jóhanna Jakobsdóttir, profesoreshë e biostatistikës në Qendrën e Shkencave dhe Shëndetit Publik pranë Universitetit të Islandës. Rastet e para atje u regjistruan në shkurt, por vendi I kishte marrë masat paraprakisht. Kështu personat që vinin nga jashtë, kontrolloheshin me kujdes për sëmundjen përpara së të lejoheshin të qarkullonin në territorin e vendit.