Nga Evis Cerga
Skema rrugore e fshatit Lin ka gjithnjë perspektivë nga liqeri, siç do ta “vuloste” i madh Lasgush. Lini njihet si rrjet rrugor antik, por edhe modern. Të gjitha ulicat shohin nga uji dhe nga qielli dhe në mes të fshatit gjendet kisha.
Në fakt, fshatin e sheh që kur rruga kryesore zë e dredhon për tu derdhur drejt qytetit të Po(g)radecit. Kuriozët e shohin me makina të parkuara, nga lart. Ndërsa marrim rrugën për tu futur në krahun që të çon drejt Linit, përpara na e pret udhën, hekurudha. Zbres dhe kërkoj një vend ku mund të bëj një fotografi.
Rrallë mund të të ndodhë nëpër Evropë të ndalosh në mes të shinave të trenit, pa pasur frikë se mos të ndalon njeri për terorizëm, apo sëmundje mendore, dhe akoma më rrallë ndodh që nëpër shina të mos kalojë treni. Por kjo nuk është tema që më intereson. Zakonisht gjëra që nuk i di, apo për të cilat nuk kam zgjidhje individuale i anashkaloj.
Rrugës drejt fshatit njerëzit janë të vendosur ngjitur me muret, në këmbë. Ca duken sikur presin tu vijnë mysafirë, ca duken sikur presin turistë, ca thjeshtë duken. Fytyra të kohës së realizmit socialist. Me përpjekje për ta bërë fshatin e tyre turistik dhe këto përpjekje ndjehen nga do. Tre djem me biçikletë më thërrasin: “O teta, kape, teta”. E kanë fjalën për fotografinë. Ata nxitojnë mu përpara turinjve të mi dhe unë nuk i kap dot. Por, pak më vonë, “kap” në objektiv dy djem që hanë akullore.
Në hyrje të fshatit bien në sy “parulla” turistike “Welcome, souvenir shop”, që u kanë zënë vendin atyre të tipit “Ta bëjmë fshatin si qytetin”. Gati- gati më duket sikur e dëgjoj. Bën vapë ndaj edhe ulicat janë të zbrazura. Kjo më jep mundësi të rris “vigjilencën” dhe ta kem fshatin për vete.
Përpara një porte, ballkonin e shtëpisë së të cilës e “rëndojnë“ lulet e borës qëndron ulur një grua, me moshë të papërcaktuar, siç duken në këndvështrimin tim, shumica e grave të fshatit.
Dhe kështu shtohet edhe një fotografi mes njerëzve, të cilët më pas marrin “jetë“ në skicat e tregimet e mia.
Shtëpitë e fshatit janë në orarin e pushimit. Kortinkat janë të mbyllura, oborret janë pastruar (ndonëse ky fshat nuk e ka pasur namin e pastërtisë, tani mendoj që ky nam është larguar). Për një sy të pastërvitur shtëpitë duken të gjitha të ndërtuara me të njejtin lloj guri dhe ndoshta edhe të tilla mund të jenë.
Të gjitha shtëpitë “përfundojnë“ në gjol. Bashtat e hapura, mbushur me mullaga, e bimë erëmira. Poshtë një ballkoni më zë syri edhe aparatin e KESH-it që mat energjinë që harxhojnë konsumatorët. Vile rrushi varen nga ballkonet. Dhe në fund të ulicës përballesh me të madhërishmin gjol dhe varkat me ngjyra që qëndrojnë në pritje.
Përpara shtëpive tashmë gjen të pranishëm përpjekje të tjera turistike. Në gjuhë të huaj, anglisht, italisht dhe ndonjë gjuhë tjetër kupton që shtëpia jepet me qera. Madje edhe dhomat jepen me qera. Tek njëra prej tyre, gati-gati përballë kishës më del përpara një grua simpatike, me flokë kaçurrele.