KreuCelebrity

Loneta; Çdo ditë në ekran, por famën s’e dua!

Nga Nada Biraçi
Fotografia: Fation Repishti

Strategjisë së Euronews Albania, për të patur krahas emrave të afirmuar të gazetarisë shqiptare edhe të rinj të zellshëm, energjikë e të palodhshëm, ju bashkua pak muaj më parë edhe Loneta, moderatorja bukuroshe e aktualitetit. Loneta e ka shfrytëzuar në maksimum mundësine që ju dha për të qenë pjesë e ‘dritares’ së standarteve europiane, siç është Euronews Albania, ndaj në çdo trajnim me profesionistë të huaj e shqiptarë, drejtuesja e #Kubi ka qenë një ‘nxënëse’ e zellshme, tek e cila u rrënjos një natyrë pune me vlera të larta profesionale dhe etike.

Loneta prej disa kohësh je në ekranin e Euronews Albania, një ‘dritare’ e standarteve europiane; si u gjende në këtë televizion?
Gjithçka filloi me një aplikim online, pasi emri “Euronews Albania” më tërhoqi aq shumë që të mund të nisja një rrugëtim në televizion. Intervista para profesionistëve ishte vërtet shumë emocionuese dhe gjatë bisedës shpreha ambiciet e mia për të qenë pjesë e ekranit. Më telefonuan për audicion dhe mendimi im i vetëm ishte ta shijoja shumë si eksperiencë, sido që të shkonin gjërat. Shkuan shumë mirë. Pas emocionit të parë fillova të vetëdijësohesha për rëndësinë e të qenit pjesë e Euronews Albania, pasi trajnimet me profesionistë të huaj na rrënjosën në mendje një natyrë pune me vlera të larta profesionale dhe etike. Uroj t’i kemi përcjellë te publiku në mënyrën më të mirë të mundshme.

Çfarë mendoni se e veçon Euronews Albania nga televizionet e tjera shqiptare?
Fillimisht duhet të them atë që për mua si një vajzë shqiptare është shumë e rëndësishme. Euronews Albania ndezi një shpresë. U përzgjodhën të rinjtë dhe iu dha atyre një mundësi ndryshe. U përgatitëm mirë para se të fillonim punën dhe pastaj ngjarje të ndryshme si tërmeti, pandemia, etj vërtetuan se të rinjve mund t’ju besosh që të ngresh një televizion nga fillimi, duke u mbështetur në energjinë dhe punën e tyre të palodhur dhe profesionale. Miksimi mes gazetarëve me eksperiencë dhe të rinjve e bën Euronews Albania një televizion që premton shumë. Është gjithashtu ambienti më miqësor dhe me rregulla të pacënueshme etike. Nuk po flas për asgjë që duket nga ekrani, këtë po e lë në dorë të shikuesve.

Kjo është përballja juaj e parë me famën apo të qenit figurë publike; si e keni përjetuar?
Nuk e kam përjetuar (qesh). Formati që unë prezantoj nuk të bën të kesh fansa pafund, por mbështetës dhe kritikë për profesionalizmin dhe vërtetësinë e asaj që transmetoj te shikuesit. Jam munduar ta përqendroj të gjithë energjinë time tek shpërblimi i besimit të atyre që na ndjekin dhe më besoni, komentet pozitive që më vijnë në rrjetet sociale janë shumë inkurajuese. Mbështetës që unë nuk i njoh hapën një herë një profil suportues në Instagram dhe me mirësjellje iu kërkova që ta mbyllin. Po e shmang famën me pak fjalë.

Pse zgjodhët televizionin?
E kam dashur gjithmonë një eksperiencë në televizion. Tani dua të marr më të mirën nga kjo mundësi, të mësoj sa më shumë dhe të merrem me projekte të veçanta dhe që sjellin risi si #KUBI.

Cilat janë sfidat që keni hasur gjatë realizimit të “#Kubi”?
#KUBI është një segment që unë e dua shumë, pikërisht sepse të sfidon çdo ditë. Është pothuajse gjithmonë live, pa promter, lajme të minutit të fundit, nga Shqipëria dhe gjithë bota, nga të gjitha fushat. Do shumë përqendrim që të thuash gjërat e duhura në kohën e duhur, duke respektuar edhe minutazhin. Lajmi duhet të jetë lehtësisht i kuptueshëm, i qartë dhe të bëhet lidhja me atë çfarë shkruhet në ekran. Gjithçka shkon mirë derisa truri im ndonjëherë vendos të shpikë fjalë që nuk ekzistojnë, si për shembull “veçantuar” etj. Unë e justifikoj me faktin se kam pasur një profesor letërsie në gjimnaz që na nxiste të krijonim fjalë të reja, por kjo nuk i ndalon kolegët e mi ta bëjnë batutë për një javë të tërë dhe sa herë që iu kujtohet.
Cila do të ishte ajo ofertë, për të cilën do ta linit programin që po bëni aktualisht?
Më pëlqen që ta sfidoj veten çdo ditë, të mësoj gjëra të reja dhe të punoj fort që punët që kanë emrin tim të jenë cilësore. #KUBI është mundësia perfekte për t’i bërë bashkë të gjithë këta elementë. Projekte, programe dhe gjithçka që mund të vijë në vazhdim duhet të jenë shumë interesante dhe të bukura që të “sfidojnë” #KUBI-n.

Nuk ndodh shpesh që një vajzë kaq e re dhe tejet simpatike të zgjedhë aktualitetin si prezantimin e saj të parë në televizion.
Kam dashur prej fillimit të kem një profil serioz në televizion. Sot, që çdo ditë merrem me aktualitet dhe politikë, pyes veten “kaq serioz e desha?” Të qënit në një pozicion të tillë, të nxit që të punosh fort ta ruash imazhin duke shmangur edhe ndonjë “të papritur” që mund të ndodhë live. Njerëzit që më njohin i merr malli më shumë kur më shohin në TV, për batutat që bëj gjithmonë në shoqëri.
Shpesh vajzat e bukura në televizion janë paragjykuar; e ke ndjerë ndonjëherë këtë lloj ‘shigjetimi’?
Tani të jemi të sinqertë, vajzat e bukura kanë fatin të jenë në fokus të paragjykimeve pozitive. Përsa kohë njerëzit ta duan të bukurën, bukuria edhe mund të të hapë dyert. Kombinimi me zgjuarsinë dhe të punuarit fort të bën që t’i shfrytëzosh mirë mundësitë që të jepen. Unë jam shumë modeste për pamjen time fizike, por “shigjetime” të tilla paçim.

Në kohën e lirë çfarë të pëlqen të bësh; cilat janë pasionet e Lonetës?
Nëse kjo pyetje do më bëhej para disa vitesh do flisja për 1001 pasione, duke filluar nga kërcimi, aktivitetet sportive etj. Sot dua vetëm libra, shumë libra dhe “të marr malet” (bëj hiking dhe i dua shumë lartësitë).

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF