KreuStil Jetese

Bota e Genc Salihut!

Gencin, më së shumti e kam ndjekur përmes ekranit. Zëri dhe statura e tij të përçon një lloj vibrimi të kalitur artistik, të cilin e kam vënë re qysh nga fillesat e tij, çka reflekton qartazi një edukim të mirëfilltë muzikor, një dëshirë të fortë për të eksploruar zhanre, që doemos tingullin e lidhin pazgjithshmërisht me tekstin, me qëllimin për të dhuruar një perfeksion të asaj që ne e quajmë thjesht këngë. Genc Salihu nuk bën muzikë komerciale nga ato që dëgjojmë nga mëngjesi në mbrëmje, ndaj siç thotë edhe Bob Dylan “Mos e kritikoni për atë që nuk arrini dot ta kuptoni”. Sepse për mendimin tim, Genci, sidomos pas kësaj interviste, më formësoi qartazi në mendje, jo vetëm profilin e një artisti të konsoliduar, por edhe atë të një bashkëshorti e babai shembullor, i cili sidomos së fundmi, për shkak të karantinës, arriti të zbulojë më shumë se në çdo fazë të jetës së tij, ca detaje për të cilat nuk do të kishte pasur asnjëherë kohën e duhur për t’i mësuar. Në këtë intervistë për Bordo Men, fill pas mbarimit të periudhës së izolimit për shkak të pandemisë së Covid – 19, Genc Salihu tregon për kohën që kaloi brenda katër mureve të shtëpisë së tij, ku thekson sesi gjithë dedikimi dhe dashuria e tij, bashkëshortes Kaltrina dhe gjithë familjes rrodhi drejt të voglës Margo, por nga ana tjetër, gjithë qetësia që e rrethoi i ndezi muzën për të përmbyllur një album të ri muzikor…!

Genc si ishin ditët e izolimit për ju dhe familjen?
Fillimi ishte i mirëseardhur, sepse na duhej kohë për veten. Por njerëzit nuk janë të destinuar për një jetë në izolim. Po ashtu, ishte shumë e vështirë ekonomikisht për shumë industri dhe individë. Është e rëndë dhe, po ndodhi prapë, me gjithë vështirësitë që sjell, mendoj se duhet të kujdesemi për shëndetin mendor, para së gjithash.

Për disa kjo periudhë shërbeu për të qëndruar më shumë me familjen apo për të zbuluar ndonjë pasion, për ju a kishte diçka surprizuese?
Vajza ime mësoi të fliste anglisht me akcent britanik nga youtube-i dhe ishte shumë e lumtur që kishte të gjithë njerëzit afër vetes në çdo kohë. Mund ta paramendoj se çfarë ndjenje është për një fëmijë të vogël. Ishte shumë e çmuar përvoja e të qenit bashkë në çdo minutë.

Po në aspektin artistik, ju motivoi kjo kohë brenda në shtëpi për të krijuar diçka të re?
Në të vërtetë, po! Po e punoj një album, një bashkësi këngësh, ka katër vite dhe, në vitin 2019, më nuk isha i sigurt se si t’i qasesha që ta përmblidhja në një tërësi. Pata një krizë kreative dhe e mënjanova si projekt që t’i kthehem në një kohë tjetër, gjë që, fundja, është proces standard për një artist. Por kjo kohë erdhi shpejt, papritmas dhe u quajt karantinë. Se a e ka ndryshuar me të vërtetë botën mbetet të shihet në vijim, por albumin tim e ka ndikuar pa kurrëfare dileme. Më dha një ambient jo vetëm të qetë dhe pa presion, por edhe mjaftueshëm të çuditshëm dhe kompleks, mjaftueshëm të paprecedent, sa të më përqendrojë në drejtimin e duhur kreativ.


Do të riktheheni pas hapjes me materiale të reja muzikore apo ndonjë poezi?
Jam intensivisht duke e punuar albumin. Për mua ky proces është, siç themi në Kosove, si të fusësh rruaza në pe. Ta shohim sa kohë do të marrë. E kam të rëndësishme që të dalë sa më shpejt, por nuk është prioritet koha, por cilësia. Ta shohim.

Kam mësuar që Kaltrina ka mbaruar filmin e saj të ri, ju keni punuar me muzikën e tij, si është të jeni bashkëpunëtorë dhe bashkëshortë?
Me Kaltrinën kemi qenë bashkëpunëtorë gjithmonë. Është e pandashme prej marrëdhënies së përgjithshme dhe shumë e natyrshme. E ka bërë një film shumë të mirë. Mendoj se do të jetë i rëndësishëm. Nuk është e lehtë t’i bëhet muzika një filmi të tillë.

Roli juaj në filmin “Martesa” ka qenë i guximshëm, si ishte si eksperiencë?
Ishte e përkryer! Kam mësuar shumë për shumë ç’ka. Më ka pajisur me mjete të reja si performues dhe më ka dhënë qasje më të thellë në artin e performancës, në përgjithësi. I jam falenderues regjisores Blerta Zeqiri për punën e shkëlqyeshme që bëri me mua.


A keni marrë më pas ndonjë propozim për të qenë pjesë e një projekti kinematografik?
Kam marrë shumë ftesa për role pas “Martesës”. Meqë më ka dhënë aq shumë si përvojë, natyrisht se do ta bëja prapë. Por, duhet të jetë projekti i duhur. Së pari, unë nuk jam aktor dhe, në përzgjedhje të një roli, duhet të di mirë se si ta fus këtë fakt në llogari. E dyta është se jam Genci dhe i kam nazet, jam i mallkuar.

Ju jeni një artist që këndoni më shumë live, a provuat të këndoni në ballkon?
Në ballkon? Jo! Jetoj në një qytet të zhurmshëm dhe karantina ishte gjeja më e mirë që i ka ndodhur veshëve të mi me dekada të tëra. Nuk do ta turbulloja atë ujë të çiltër të asaj qetësie.

Margo a është ndjerë e habitur që të ka parë kaq shpesh në shtëpi?
E harroi habinë shpejt dhe e përqafoi karantinën, të them të drejtën.

A ju ka munguar Tirana sepse u bë kohë pa ardhur?
Ne e duam Tiranën shumë. Të vijmë në Tiranë gjithmonë ka kuptim festiv për ne. Tani, pas izolimit, e ndjemë se e merituam.


Teksti është shumë i rëndësishëm në këngët e tua; kjo vjen nga dëshira për të dhënë gjithmonë një mesazh?
Kënga është tekst me muzikë. Teksti është qendra e një kënge, është boshti i saj. Muzika ndërtohet rreth skeletit tekstual. Edhe për ata artistë që e shkruajnë muzikën së pari, e pastaj tekstin, siç jam unë, prapë teksti rezulton të jetë bosht, sepse kjo është qenësia e vetë këngës si formë muzikore. Nuk ka kuptim të trajtohen të ndara muzika dhe teksti – nëse nuk janë në ndërveprim maksimalisht të integruar, kënga është e keqe.

Keni qenë pjesë e Talent Show, si e sheh të ardhmen e muzikës, a ka të rinj të talentuar?
Ka shumë talente, si kurrë më parë. Jam shumë kureshtar dhe optimist për çfarë do të bëjnë në dekadën që po vjen. Mendoj se gjenerata e re e muzikës klasike në botë është e veçantë dhe do ta bëjë një revolucion të qetë. Ndërsa, dominimi i zhanrit hip-hop në botën e sotme ka bërë që të hapen horizonte të reja në muzikën e popullarizuar, mundësi të trajtimit minimalist që në të kaluarën kanë qenë jashtë mundësive tona reale.

Cila ka qenë këshilla më e mirë që ke marrë në karrierë dhe nga kush?
“Dëgjoi edhe kohët e tjera të veprave, jo vetëm kohët e para!” nga Petrit Çeku

A ka një person që ti e admiron dhe pse?
Admiroj shumë persona. Kam qenë gjithmonë i fashinuar me Michael Jordan dhe Drazen Petrovic, të dy basketbollistë. Niveli i përkushtimit dhe jeta poetike që bënë këta dy më ka frymëzuar në momentin e duhur.

Këngët që ju bëjnë gjithmonë për të qarë?
“Kanga e tërmetit të Shkupit” nga Qamili i Vogël, “Telefonatë zemrash” nga Françesk Radi dhe “Erëmira” nga Skofiarët.

Kënga që do të doje të luhej ne funeralin tënd?
“Avaj Avaj” nga Shaban Bajramovic

Cila është ajo gjë tek e cila ti mendon se je veçanërisht i mirë, përveç muzikës?
Më thonë se duhet të futem në politikë, por kjo s’do të duhej të ndodhte. Nuk është ajo që dua. Do të ishte disfatë, do të ndihesha humbës.

Cila është ajo gjë tek e cila ti je katastrofë?
Ka shumë gjëra që janë katastrofë rreth meje. Shumë prej tyre janë brenda meje. E shoh të vështirë të bëj dallimin cila është brenda, e cila jashtë. Mendoj që kjo është gjëja më katastrofike.

Më trego diçka të mirë që ke bërë për veten së fundmi?
Kam prerë flokët shumë shkurt dhe, me të larë sytë, spërkata skalpin dhe u ekzaltova jashtë mase.

Cila do të ishte ajo këshillë që do t’i jepje Gencit 20 vjeç?
Uhuhu! Mbaji sekretet! Merr atë që do, kape! Mos e përdor inteligjencën për vetëmashtrim! Mos jeto me prindër!

Çfarë mendon se do të thoshte tani për Gencin e dashura e gjimnazit?
Nuk kam pasur të dashur në gjimnaz, por do të doja të thoshte ‘Hm, nuk duket aq keq sa kam menduar!’

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF