KreuCelebrity

TREGIME TË DASHURISË: Diana Çuli

TREGIME TË DASHURISË: Diana Çuli

Ndjesi dyshuese

 

Nuk dinte ta thoshte se kur filloi të dyshonte. Në fillim e dëgjoja pa shumë vëmendje, madje e ngacmoja se xhelozia nuk i shkonte. Askujt nuk i shkon, thoshte ajo, por të gjithë bien pre e saj. Nuk kam parë deri më sot një grua apo burrë të mençur që të mos jenë bërë xhelozë, të paktën një herë në jetën e tyre. Ose për një person të caktuar, shtoja unë. Po, më miratonte ajo, nuk bëhemi xhelozë për të gjithë ata me të cilët biem në dashuri. Dhe ngrinim supet. Thellë thellë unë mendoja se njeriu për të cilin shoqja ime Oriana kishte filluar të ndjente therjet e hidhëta të xhelozisë, nuk ia vlente dhe aq. Më dukej i cekët, i sipërfaqshëm, i fryrë me veten. Nga ata njerëz, të cilët kur ulesh në tryezë janë të sjellshëm, duke të shërbyer verën orë e çast, duke bërë batuta humori me kamarierin, duke folur në telefon gjatë me dikë dhe ndërkohë duke tundur dorën e duke na parë ne të tjerëve ‘eh, sa idiot, ky !’, por pa e ndërprerë bisedën, e cila do të përmbyllet patjetër me shprehjet e njohura ‘ti e di or burrë, se po e mora unë në dorë kjo punë ka mbaruar!’. Dhe mua, kur dikush thotë se ‘është punë e mbaruar’ bindem plotësisht se ajo puna nuk ka për t’u mbaruar kurrë e më zhduket aftësia për të shijuar verën. Por, Oriana ishte lidhur me të prej dy vjetësh, tani po bashkëjetonin në apartamentin e saj dhe kjo lidhje dukej serioze. Ajo ishte arkeologe, ai gazetar i njohur sportiv. Ajo punonte me një organizatë të njohur ndërkombëtare dhe shkonte shpesh me misione kërkimore në Butrint apo në të gjitha sajtet e rëndësishme nëpër Shqipëri. Ai mbante emisionin kryesor sportiv të mbrëmjes në një televizion privat, po edhe nxirrte vetë një gazetë sportive, për të cilën ndihej shumë krenar.

Pas një dashurie me një kolegun e saj, e cila kishte zgjatur disa vjet dhe nuk kishte përfunduar mirë, Oriana ishte përbetuar se do të mendohej shumë para se të lidhej me një tjetër.  Ajo e kishte lënë vetë kolegun, ‘sepse nuk lëvizte vendit, as një tortë për ditëlindje nuk më blente’, siç më tha një herë, por unë e dija se padyshim mos-përputhjet ishin shumë më të thella. Ndarja kaloi me qetësi, pa dramë. Me sa më kujtohej, nuk bëhej xheloze për të.

-Se si fillon të të gërryejë krimbi, – më tha Oriana, tek ishim ulur në një nga baret e Dy Kullave në bulevardin Dëshmorët e Kombit. – Si kot. Nga një përgjigje në telefon, me zërin e ndryshuar. Nga vonesat. Një natë tha se ishte vonuar pas emisionit, sepse hëngri darkë me të ftuarit, por njerin prej tyre unë e takova rastësisht të nesërmen dhe nga biseda me të kuptova se nuk kishin shkuar aspak për darkë.

Dhe, dalëngadalë unë pashë se si Oriana, përgjithësisht tepër e përmbajtur dhe racionale, u shndërrua në një përgjuese që mund t’ia kalonte dhe hetueseve të serialëve amerikanë. Tashmë ajo verifikonte çdo lëvizje të tijën, gjente mënyra nga më të sofistikuarat për t’i lexuar mesazhet në telefon. Përshembull, ngrihej natën, kur ai flinte dhe i kontrollonte telefonin, po edhe xhepat dhe e-mail-et. Nuk i gjente kurrë asgjë, por, thoshte se e ndjente që ishte dikush tjetër.

Pastaj, një mbrëmje, Oriana më telefonoi nga Gjirokastra, në rrethinat e së cilës po punonte atë muaj.

-Nuk pushon shiu, – më tha. – Nuk gërmojmë dot, por po merremi me hartat, po organizojmë një konferencë, po takojmë ekspertët lokalë. – Unë e ndjeva në zë se ishte e mërzitur dhe se donte tjetër gjë të më thoshte. – Por, – shtoi, si të më kishte lexuar mendimin, – të telefonova të të them se e gjeta!

-Kë gjete? – e pyeta, e hutuar.

-Se kush është ‘ajo’, – tha.

Hapa sytë. – Si e more vesh? Kush qenka? Je e sigurt ?

-E kam të vdekur. Është Blerinda, ajo këngëtarja që fitoi festivalin e këngës mbrëmë.

Ka vite që nuk i shoh festivalet e këngës, që nuk i di kush janë Vip-at e skenës, nuk di kush ‘ecën mbi tapet’, thjesht për mungesë kohe dhe për humbje të ngadaltë të interesit, të përzgjedhjes që i bëj punëve dhe argëtimeve, për t’u marrë me ato që janë më pranë dhe më urgjente…Gjithsesi, nuk kishte asnjë mundësi që unë ta përfytyroja këngëtaren në fjalë, të cilën Oriana e përmendi si dikë që duhet ta njihte i madh e i vogël.

-I pe bashkë ? Të tha dikush ?

-Jo, nuk ishte nevoja, – m’u përgjigj. – E mora me mend.

Mendova se ky nuk ishte argument. Nuk i gjente mesazhe në telefon, as në e-mail, as pusulla nëpër xhepa, ndonëse këto të fundit nuk ishin më në modë, nuk i kishte parë ndonjëherë bashkë….Por, ajo më tregoi se si në këtë përfundim logjik e kishte shpënë vetëm ndjesia. Një mbrëmje më parë, në holl të hotelit, ku kishin zënë vend me arkeologët e tjerë, vendosën të shohin sëbashku atë festival kënge, duke pirë dhe nga një gotë whisky, një limoncello apo një jagermeister, si pas darke që ishin. Oriana ndihej mirë; daljet në terren, në ajër të pastër i kishin ripërtërirë humorin, ushqimet e shijshme tradicionale dhe vetë çatitë e gurta të qytetit, të cilat, në mëngjes, kur i vështronte nga lartësia ku ndodhej hoteli i dukej sikur vallëzonin, ia hoqën atë rëndesë të zymtë që i kishte pushtuar shpirtin prej kohe. Dhe, atë mbrëmje, ulur në kolltuk, duke dëgjuar romuzet e kolegeve dhe kolegëve, duke parë në televizor skenën e bukur që u hap xixëllitëse për festivalin e radhës së këngës, tha me vete se e kishte tepëruar me dyshimet që i brenin shpirtin prej disa kohe dhe se duhet ta zbonte xhelozinë nga truri. Mjaft më me rrëmime në sirtarë, mjaft duke i marrë erë këmishave të tij, duke i ndjekur shikimin, duke i hetuar tonet e zërit. Mjaft, i tha përsëri vetes dhe i nguli sytë ekranit, ku kamera po tregonte  një pamje të afërt të sallës, veçanërisht të rreshtave të parë ku ishin ulur gazetarë, anëtarë jurie e autoritete shtetërore, bashkë me gratë e tyre. Vështroi vëthët e gjatë të njerës prej tyre, e cila kishte dhe fytyrën e gjatë dhe i erdhi keq për atë shije të dobët. Pastaj ndoqi të pranishmit e tjerë, bashkë me kamerën.

Ai ishte në rresht të tretë, në karriken e gjashtë. I veshur me kostumin blu, me këmishë të bardhë dhe me kravatë, me flokët e çelur, krehur disi shkujdesshëm, që ia zbutnin pamjen serioze dhe e bënin të dukej edhe më tërheqës. Po buzëqeshte. Mendoi se po buzëqeshte meqënëse ndodhej ngjitur në ndenjëse me ministrin e Kulturës, gjë që e shtynte kameramanin t’i rikthehej asaj zone herë pas here, por nuk ishte ajo arsyeja e asaj rrëzëllitjeje që i shfaqte fytyra. Ai u shndërrua i tëri, kur në skenë doli këngëtarja e famshme dhe duartrokiti me të madhe. Oriana mundi të ndiqte pothuajse çdo emocion të tijin, për shkak të atij pozicioni karrikeje që i kishte rënë, ku kamera rikthehej vazhdimisht, që të transmetonte çdo gjest të ministrit.

Dhe, kur kjo këngëtarja, që ishte ‘e gjatë si gërdallë, me gjunjë kockorë dhe sy të çapëlyer’, sipas përshkrimit të Orianës, e këndoi tri herë këngën nga ovacionet e nga bi-set, ai duartokiste më shumë se të gjithë dhe, kur, në fund, ajo mori çmimin e parë, ai nuk u përmbajt po u ngrit në këmbë e duke përplasur duart me sa kishte fuqi, duke bezdisur dhe ministrin që ishte më normal në shpërfaqjen e gëzimit. Ai nuk kishte blerë kurrë biletë për një koncert muzikor, klasik a modern qoftë, nuk fliste kurrë për këngë, për teatër a për shkrimtarë, nuk fërshëllente kurrë me vete ndonjë këngë të njohur, aq më tepër shqiptare – sepse nuk fërshëllehen dot – argumentonte dhe, me aq sa e njihte Oriana, ai nuk ia dinte emrin ndonjë këngëtari a ndonjë këngëtareje.

Nuk dija çfarë t’i thoshja. U shkëputëm nga telefoni vetëm pas një ore. Ajo do të kthehej pas një jave në Tiranë. Nuk e di si do të mund të rri këtu, më tha. Më mirë që je atje, i thashë. Instinktivisht e pranoja ndjesinë e saj.

Pastaj vrava mendjen për këtë lidhje dhe për këtë njeriun që Oriana e kishte futur në shtëpinë e saj, me të cilin po bashkëjetonte prej ca kohe dhe për dhimbjen që ai i kishte shkaktuar. Nuk i shkoqisja dot arsyet e tij. Nuk doja të mendoja në mënyrë skematike se ‘e kishte shfrytëzuar’, sepse do të ishte një shpjegim shumë banal. I kishte mbaruar dashuria ? Edhe mundet. Po përse hiqej aq i dashuruar me të deri dhjetë ditë më parë, kur i kisha takuar të dy për herë të fundit ?

Nuk e gjeja dot.  Mendoja Orianën atje, në qytetin e gurtë, të mistershëm e të mbuluar me re të rënda shiu dhe shpresoja që kur të kthehej, ai të ishte larguar vetë nga ajo shtëpi.

_____________

Botuar ne Revisten Bordo

Shkurt – Mars

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF