Dua Lipa më tregon dritën e diellit që bie nga tavani panoramik prej qelqi në një Airbnb në Londër, ku ajo aktualisht po karantinohet me të dashurin e saj, modelin Anwar Hadid. Kjo është shtëpia e dytë me qera që këngëtarja 24-vjeçare ka marrë që kur u kthye nga një udhëtim në Australi pasi banesa e saj ishte përmbytur. Dëgjoj të qeshurën e butë të Gigi Hadid, ndërsa Lipa e drejton laptopin nga tavani. Kanë kaluar disa javë nga fillimi i pandemisë globale dhe 14 ditë që kur Lipa publikoi albumin e saj të dytë “Future Nostalgia”. Pra, natyrshëm, kjo intervistë zhvillohet përmes Zoom. “Londra ka tendencë të jetë një nga ato vende ku është gjithmonë e errët dhe me shi – dhe kjo nuk do të thotë se moti nuk do të ndryshojë brenda dy ditësh. Tani pemët po lulëzojnë dhe qielli është plotësisht blu,” thotë ajo. Pranon se është e vështirë të qëndrosh pozitiv kur ka kaq shumë vuajtje jashtë. Por rrezet e diellit që rrjedhin nga dritat e tavanit e bëjnë të ndihet mirë.
Nuk ishte menduar se do të ishte kështu dalja e albumit të dytë. Promovimi i një albumi në izolim dhe në distancë është një territor i ri për çdo artist, pa folur se ajo ka shtyrë disa nga turnetë e planifikuara.
“Mendoj se kjo ngjarje solidarizoi botën. Jam vërtet mirënjohëse që muzika ja ka dalë mbanë duke thyer muret, duke u dëgjuar kudo. Tami më shumë se kurrë e ndiej që kjo periudhë më afroi me dëgjuesit e mi. Mendoj se është e rëndësishme të flasim për emocionet tona, të tregojmë se jemi njerëz. ”
Edhe pse pandemia globale me siguri ndryshoi shumë gjëra, duke e kufizuar përsa i përket promovimit, Lipa nuk ka munguar me turnetë e saj virtuale për fansat.
Por kjo kohë ka qenë e mirë edhe sepse ka qëndruar në shtëpi. “O Zot, kam parë shumë seriale dhe filma. Por ama kam bërë listën e restoranteve dhe vendeve ku do të shkoj sapo të mbarojë gjithçka. Ah, se harrova, kam provuar të gatuaj”. Por ama këto kohë lidhja e saj është konsoliduar, sepse kanë kaluar shumë kohë bashkë dhe janë përpjekur të shohin mes tyre anën më të mirë. “Mendoj se gjërat do të ndryshojnë përfundimisht pas kësaj. Tani e tutje nuk duhet të shkelim rregullat e Nënës Natyrë, nuk do të jemi aq të pakujdesshëm sa kemi qenë. Do të jemi më empatikë dhe do të llogarisim çdo çast. Bota jonë ka të ngjarë të ndryshojë përgjithmonë” – përfundon Dua Lipa.
______________
Botuar ne Revisten Bordo
Qershor – Korrik