Pasi modelja Chrissy Teigen humbi djalin që priste dhe u përpoq ta ndante dhe me të tjerët dhimbjen e përjetuar duke postuar disa foto të tij, pati reagime të shumta.
Disa ndjekës nuk u pajtuan me këtë gjest dhe për këtë, e sulmuan fort. Megjithatë pati dhe njerëz që e mbështetën duke përshëndetur guximin e treguar prej saj. Një prej tyre ishte aktorja e famshme britanike Kate Beckinsale, e cila rrëfeu për herë të parë dramën që ka vuajtur në heshtje për shumë kohë.
“Kam vënë re njerëz që shanë e sulmuan Chrissy Teigen se ndau fotot private të bebit pa jetë. A thua se ka ndonjë protokoll për të kaluar dhimbjen dhe të paimagjinueshmen. Disa vite më parë edhe unë kam humbur një fëmijë në javën e 20-të të shtatzënisë. E mbajta sekret si shtatzaninë edhe abortin, duke e vuajtur brenda vetes. Në ato momente, ndjen pikëllim, turp dhe tronditje. Zemra është e thyer se trupi vazhdon, pas humbjes, të veprojë sikur të kishte një fëmijë për të ushqyer. Qumështi vjen, por bebi ka ikur. Mund të jetë një periudhë shkatërruese nëse nuk ke pranë një partner mbështetës si Chrissy, për ta kaluar. Unë mendoj se duhet toleruar shprehja e vuajtjes së njerëzve, sidomos në situata të tilla”, thotë Kate.



















