Udhëtimet e saj të para kanë nisur ende pa mësuar të ecë me këmbët e saj. Në krahët e prindërve, Briseida Gjoza ka nisur të shijojë shkujdesur pamjet e para si një shikuese, pa paguar as biletë avioni dhe pa prenotuar hotele. E pikërisht, kanë qenë këto momente që kanë lënë gjurmë në memorien e vajzës nga Elbasani, e cila pak nga pak nisi të krijonte në hartë vetë ato destinacione që donte të vizitonte në të ardhmen, e pas atij momenti nuk ka ndalur turet e saj duke shkelur secilin prej tyre. Por tani e pret një tjetër udhëtim, krejt i panjohur, nga ato që nuk i kishte shënuar kurrë në asnjë axhendë: një rrugëtim drejt botës së politikës, një eksperiencë e re, e cila përmes kontributit ajo pret ta kthejë në një vizion për bashkëqytetarët e Elbasanit, pse jo duke ju referuar vendeve dhe kulturave të shumë vendeve që ka vizituar prej vitesh.
Udhëtimet janë një pasion juaji, çfarë ju tërheq më shumë?
Unë kam udhëtuar që në krahët e prindërve, pasi të dy kanë qenë shumë energjikë dhe gjithmonë të gatshëm për të eksploruar brenda mundësive në atë kohë Shqipërinë. Ndaj ndjej se udhëtimet i kam pjesë të piramidës së jetës, janë pjesë e pandashme e imja dhe çfarë më tërheq më shumë nga ato është njohja me njerëz. Energjia dhe njohuritë që merr nga takimet me njerëzit në vendet e tyre të origjinës është e pakrahasueshme me çdo libër, film apo dokumentar që mund të shohësh.
A kërkojnë udhëtimet shumë shpenzime, apo mjafton një çantë shpine, çfarë na këshilloni?
Si turiste ndoshta ke nevojë për shumë shpenzime, por si një udhëtare mjaftohesh me shumë pak. Unë këshilloj udhëtime kulturore, mbi 2 javë qëndrim dhe mundësisht të qëndruarit në familje (host families) dhe nëpërmjet platformave si workaway me anë të të cilave mund te kombinosh shumë mirë udhëtimin, vizitat turistike me projekte të larmishme. Madje rekomandoj dhe solo traveling, një çantë shpine pak gjëra, por shumë dëshirë për eksplorim. Të udhëtuarit vetëm, totalisht vetëm sepse në atë mënyrë je tërësisht e hapur ndaj eksperiencave të reja dhe vërtet mëson shumë.
Cilat kanë qenë ato destinacione që ju kanë mahnitur dhe pse?
Destinacionet që më kanë mahnitur më shumë janë sigurisht vendet ku kam qëndruar dhe më gjatë sepse për mua është shumë e rëndësishme të lidhem me vendin dhe njerëzit. Ato vende janë dy: Senegali në Afrikë dhe Amazona në Amerikën Latine. Senegal, mendoj se për shkak të moshës së re që kam qenë, energjisë dhe guximit që kam pasur, kam arritur të marr më të mirën e vendit, njerëzve të dashur dhe shumë mikrpritës, natyrës të mrekullueshme safari dhe shkretëtirë, dhe të realizoj suksesshëm një projekt të deleguar. Në Senegal jam bazuar në dy vende kryesore, qyteti Mbour dhe ishulli Goore i cili është nën mbrojtjen e UNESCO-s dhe mbetet një destinacion që e sugjeroj.
Ndërsa Amazona ka qenë ndër eksperiencat më të bukura ndonjehere dhë është udhëtim i cili kërkon një libër më vete përshkrim. Kam udhëtuar rreth 3 javë me të gjitha mjetet e transportit prej portës hyrëse të lumit Putumayo dhe përgjatë gjithë lumit të Amazonës duke kaluar nga një fshat në tjetrin me të gjitha mjetet e transportit varka, hidroplan, anije dhe e gjendur mes zemrës së Amazonës kam shkelur në të 3 shtetet kufitare njohur si trekëndëshi i Amazonës: Kolumbi, Peru, Brazil. Larmishmëria e florës dhe faunës ishte mbresëlënëse, nga delfinët rozë përgjatë lumit në thellësinë e pyllit rrethuar nga kafshë që vetëm i ndjeje prezencën sepse për t’i parë në botën e egër dhe të lirë ishte shumë e rrezikshme.
A është për një ju një udhëtim të përfshihesh një politikë dhe si u gjendët aty?
Unë e kam theksuar edhe më herët se nuk e kisha menduar ndonjëherë të filloja një rrugëtim të tillë pasi përvoja në sektorin privat dhe projektet e shumta në të cilat e gjeja veten më jepnin siguri dhe njëkohësisht liri për të qenë e vetëpunësuar dhe në çdo cep të botës. U gjenda përmes një ftese për aplikim në platformën deputeti që duam, një platformë e cila shërbeu për të përthithur energji të reja nga profesionistë të rinj në fusha të ndryshme të jetës. Edhe pasi aplikova dhe u përzgjodha në fazën e parë e të dytë përsëri isha skeptike. Në momentin e ftesës për bashkëbisedim nga Kryeministri Edi Rama, si një ndër të rinjtë e kthyer nga emigracioni, e kuptova se vërtet isha përzgjedhur për të qenë pjesë e ekipit fitues të Partisë Socialiste.
A ju kanë frymëzuar vendet që keni parë dhe përmes hyrjes në politikë të sillni ndryshim?
Sigurisht, të shohësh praktika të mira dhe modele të ndryshme zhvillimi të inspiron që t’i aplikosh ato në komunitetin tënd dhe të kërkosh të përmirësosh cilësinë e politikave në tërësi. Mendoj se eksperiencat jashtë më kanë hapur horizontin mbi rëndësinë e politikës dhe të vendim-marrjes. Përmirësimi i cilësisë së politikave dhe përfaqësimi sa më i mirë i qytetit tim Elbasanit është një motivim tashmë për t’u përfshirë dhe të jap kontributin tim në politikë. Besoj fort se të rinjtë që kanë akumuluar eksperiencë dhe njohuri mbi modelet në vende më të zhvilluara, mund të jenë një aset dhe një vlerë e shtuar në politikëbërjen e vendit tonë.
Mendon se kjo nismë e re do t’ju privojë nga planet që kishit bërë?
Edhe pse një vendim të parë e mora në favor të kësaj nisme duke vendosur të mos vazhdoj një projekt për në Amerikë, mendoj se nuk do të më privoje totalisht, por do të më japë një fokus për të kanalizuar energjitë e mia në kuadër të zhvillimit të vendit. E kam zgjedhur politikën si hapësirë për të bërë më shumë për komunitetin tim, për Elbasanin por jo për të hequr dorë nga çfarë jam përgatitur akademikisht dhe profesionalisht tërë jetës time. Jam e hapur në mendje dhe zemër për të përqafuar sfida të ndryshme edhe pse totalisht jashtë zonës time të komfortit, një ndër to dhe politika.
Në politikë apo jashtë saj, cili është destinacioni që e keni ëndërruar dhe doni të shkoni patjetër?
Unë udhëtimet e para vetëm i kam nisur që 14 vjeç, tashmë çdo destinacion më duket shumë më lehtë i arritshëm përkundër 18 viteve më parë kur dhe vetë iniciativa ishte më e bukur sepse duhej shumë kurajo njëkohësisht. Megjithatë një destinacion që do të shkoj në një mënyrë apo një tjetër është Laos dhe Kamboxhia në Azinë Juglindore.



















