Shqipëria ka nisur nga kjo e diel fluturimet direkte me Dubain. Pasagjerët e parë që mbërriten në Rinas u pritën nga ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, i cili në mënyrë simbolike u dhuroi dhe flamurin shqiptar.
Fluturimet direkte do të jenë 2 herë në javë, por ministri Klosi theksoi se vera do të sjellë shtim të fluturimeve në 4 herë në javë për shkak të kërkesës në rritje.
Ai tha se Dubai përfaqëson një pikë shumë të rëndësishme të marrwdhënieve të turizmit shqiptar me botën aziatike dhe arabe. Për qeverinë shqiptare vendosja e kësaj linje ka synim që nëpërmjet aeroportit të Rinasit të shërbejë edhe si pikë lidhje me rajonin dhe më gjerë.
Një tjetër pikë që i bën optimist përfaqësuesit e qeverisë shqiptare si dhe të kompanisë që kryen këto fluturime është edhe fushata në rritje e vaksinimit.
“Është një ngjarje shumë e rëndësishme për fluturimet shqiptare, pasi realisht këtë vit me daljen nga pandemia do të kemi nevojë për tregje të reja. Duke parë edhe kërkesat e shumta që ka edhe nga komuniteti shqiptar për të lëvizur drejt Dubait pritet që të shtohet frekuenca e fluturimeve nga dy herë në javë në katër herë në javë në muajt e verës dhe të vjeshtës”.TvKlan
Sa kushtojnë biletat
Nga një kërkim në faqen zyrtare të flydubai, çmimi i biletës në një drejtim është të paktën rreth 240 euro (që nuk lejon as riskedulim dhe as anulim), ndërsa vajtje-ardhje rreth 480 euro.
Nuk ka ndryshime të çmimeve nga një muaj në tjetrin.
TIA njoftoi se Emirates do ta kodojë në këtë rrugë duke u ofruar udhëtarëve më shumë lidhje pa ndërprerje përmes qendrës ndërkombëtare të aviacionit të Dubait në 155 destinacione midis dy rrjeteve Emirates dhe flydubai duke përfshirë Australinë, Kinën, Oqeanin Indian, Japoninë dhe Azinë Jugore.
Psh, nga Tirana për në Indi, transit përmes Dubait, një biletë vajtje kushton 325 euro, ndërsa kthimi 306 euro.
Për në Arabinë Saudite, vajtja kushton nga 313 euro dhe kthimi 286 euro.
Për në Kabul (Afganistan), bileta është rreth 700 euro vajtje-ardhje.



















