Adriana Matoshi, aktorja dhe njëkohësisht deputetja e Kuvendit të Kosovës, ka zbuluar së fundmi se pas angazhimit të saj për mbrojtjen e të drejtave të grave ka marrë kërcënime të ndryshme.
“Ditëve të fundit jam bërë cak i kërcënimeve të ndryshme për shkak të angazhimit tim në mbrojtje të drejtave të grave, sidomos ndihmës që po ju jap grave të cilat me vite kanë pësuar dhunë psikike e fizike nga burrat e tyre”, ka shkruar ajo në një status në Facebook.
Më tej, Matoshi ka dhënë një mesazh të qartë për të gjithë ata që mendojnë se ajo mund të frikësohet dhe mund të heqë dorë nga kjo nismë që ka marrë, “Gabon rëndë ai që mendon që më frikëson, sepse hyrja ime në politikë dhe parlament ka një mision, i cili nuk do të pushojë para se çdo nënë, motër e grua ta fitojë lirinë dhe të drejtën e vet elementare njerëzore për të jetuar e lirë dhe e pacenuar nga askush”, ka përfunduar ajo.



















