Arjola Demiri është shfaqur e trishtuar gjatë këtyre tri ditëve të para në “Big Brother VIP”, për faktin se ka qëndruar larg fëmijëve të saj, dhe moskomunikimi me ta ka qenë shumë i vështirë për aktoren.
Gjatë spektaklit të mbrëmshëm, teksa u shfaq një klip me momentet e vështira të Arjolës brenda shtëpisë, kjo e fundit shpërtheu në lot, duke theksuar se “trupin e ka brenda dhe mendjen e ka jashtë” për shkak të fëmijëve.
Emocionet e saj prekën të gjithë banorët, por në veçanti ata që janë prindër, Monikën, Ilirin dhe Palomën. Iliri u përlot kur foli për familjen, e cila ndodhet në Romë, ku tha se ata e ndjekin “reality show” si film pa zë sepse nuk e kuptojnë gjuhën shqipe. Ndërsa Paloma, e cila i qëndroi pranë Arjolës në një ditë kur ishte shumë e ngarkuar emocionalisht, tha se aktorja është shembull i femrave që ndodhen në të njëjtat pozita, e teksa përfundoi fjalën as ajo nuk i mbajti dot lotët.
Ndërkohë Monika tha se Arjola mungesën që ndjen te fëmijët, e shpërndan me kujdesin që tregon për gjithë banorët. Ajo e cilësoi Arjolën si një nënë dhe një grua shumë të fortë.



















