
Numri i njerëzve që vuajtën nga depresioni në mbarë botën u rrit me 28% në vitin 2020 gjatë pandemisë, duke arritur në rreth 246 milionë raste. Dhe numri i atyre që vuajtën nga ankthi u rrit me 26%. Këto janë përfundimet e një sondazhi të revistës mjekësore Lancet që përdori të dhëna nga studimet e mbledhura në Amerikën e Veriut, Evropë dhe Azinë Lindore. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Laurel Bowman, studimi arriti në përfundimin se gratë u prekën më shumë se burrat nga këto sëmundje mendore.
Ankthi dhe depresioni janë shtuan në periudhën e pandemisë, thote Voa. Një sondazh i revistës Lancet vlerëson se numri i njerëzve në mbarë botën që vuajnë nga një çrregullim i madh depresiv u rrit me 28% në vitin 2020, ndërsa i atyre me çrregullime ankthi në mbarë botën, u rrit me 26%.
Pasojat e bllokimeve, mbylljeve të shkollave dhe bizneseve dhe përhapja e virusit në përgjithësi janë ndër faktorët që sollën rritjen, thonë studiuesit. Margaret Sullivan, 87 vjeç, ka mbetur e bllokuar në shtëpi duke u kujdesur për burrin e saj 92-vjeçar. “Ka ditë kur jam vërtet e trishtuar. Por nuk e di nëse është Covid që më trishton apo gjërat e tjera që do të ndodhnin gjithsesi. Për ne që nuk na kanë mbetur shumë vjet jetë, është një vit i humbur”,thotë ajo.
Të moshuarit mund të jenë veçanërisht të rrezikuar si nga izolimi ashtu edhe për t’u prekur më rëndë nga virusi. Por ekspertët e shëndetit mendor thonë se po shohin më shumë probleme mes të rinjve. Gjatë vitit të parë të pandemisë COVID-19, vlerësohet se 1 ndër 4 të rinj përjetuan simptoma të shumta të depresionit në shkallë globale, ndërsa 1 ndër 5 të rinj përjetuan rritje të ankthit, sipas revistë JAMA Pediatrics.
22-vjeçarja Eva Zarpas i bëri klasat virtualisht gjatë Covid-19 në universitet. Ajo thotë se për shkak të izolimit, ka vujatur më shumë nga ankthi dhe depresioni që i kishte edhe më parë. “Pamundësia për të qenë mes njerëzve siç ishim mësuar, ndikoi. E kisha të vështirë edhe të çohesha nga shtrati. Preferoja të flija sepse nuk doja të isha zgjuar dhe të mendoja se sa doja të isha me njerëz të tjerë, por nuk mundesha”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.Kërkesat për trajtim për çrregullimet e ankthit janë rritur që nga fillimi i pandemisë, sipas Shoqatës Amerikane të Psikologjisë.