Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka mbajtur një fjalim ditën e sotme pas vendimit të Rusisë për të nisur sulmet.
Volodymyr Zelenskyy i ka bërë thirrje popullit të tij të qëndrojë i qetë dhe se do të bëjë gjithçka për të mbrojtur vendin e tyre.
“Të dashur qytetarë ukrainas. Këtë mëngjes, presidenti Putin njoftoi një operacion të posaçëm ushtarak në Donbas. Rusia kreu sulme në infrastrukturën tonë ushtarake, divizionet e rojeve kufitare. Në shumë qytete të Ukrainës u dëgjuan shpërthime. Ne kemi vendosur ligjin ushtarak në të gjithë territorin e vendit tonë”, tha ai.
Presidenti i Ukrainës tregoi se ka pasur një telefonatë edhe me presidentin amerikan Joe Biden, “Pata një telefonatë me Presidentin Biden. Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë kanë filluar të mbledhin mbështetjen ndërkombëtare. Sot nevojitet qetësi nga secili prej jush. Nëse mundeni rrini në shtëpi. Ne po punojmë. Ushtria po punon. I gjithë sektori i sigurisë dhe mbrojtjes po punon. Unë do të jem në kontakt të vazhdueshëm me ju. Mos u frikësoni. Ne jemi të fortë, jemi gati për gjithçka. Ne do të fitojmë mbi këdo sepse jemi Ukraina. Lavdi Ukrainës”.



















