KreuStil Jetese

Ekskluzive/ Një mendje e bukur, e plot pasion si doktoreshë Rino!

Nga: Anita Aliaj
Fotografia: Erjon Beshiri

Teksa shkoja në klinikën e neuropediatres Pasionare Rino, nuk e di pse, por më kapluan emocionet. Padyshim është kënaqësi të intervistosh një grua të suksesshme dhe të arrirë, për më tepër kur bëhet fjalë për një mjeke me një karrierë 51-vjeçare. Isha e bindur që rrëfimi i neuropediatres për jetën e saj do të ishte si një libër i bukur të cilin mezi pret ta lexosh dhe kështu ndodhi… Një rrëfim ku pozitiviteti, energjia, profesionalizmi dhe emocioni nuk kishin si të mungonin. Neuropediatrja, sikurse ka edhe emrin Pasionare, karakterizohet nga pasioni për punën, familjen dhe jetën. Mjekësia erdhi në jetën e saj si një dhuratë nga i ati, dhe u kthye shumë shpejt në një dashuri që do ta shoqëronte atë në të gjithë rrugëtimin e saj…

 


Mjekësia ka qenë një ëndërr e bërë realitet, apo erdhi rastësisht në jetën tuaj dhe më pas u bë pjesë e pandashme?

Ne në atë kohë nuk zgjidhnim sipas dëshirës, unë kam mbaruar gjimnazin “Petro Nini Luarasi” dhe jam emëruar në Mjekësi. Mua më pëlqente fizika, matematika dhe arkitektura, ndërkohë tim ati i pëlqente shumë mjekësia. Ai plotësoi degët e mia dhe te të trija zgjedhjet vendosi mjekësinë, atë që ai dëshironte. Të gjitha shoqeve të mia iu plotësua dëshira, ndërsa mua jo, e për këtë vazhdimisht pyesja tim atë, se si ishte e mundur. Nisa fakultetin dhe vetëm natën e ndërrimit të viteve ai më tregon edhe më thotë, “Mjekësinë e ke dhuratë nga unë”. Gjithsesi, unë më pas e desha mjekësinë dhe nuk kam asnjë pendesë…

 

Po specializimi për neuropediatri, si erdhi? Kishit ju një lidhje të veçantë me këtë fushë?

Neuropediatria në kohën që unë kam mbaruar fakultetin, në vitin ’71, ishte një nënspecialitet i pediatrisë. Por, një pediatër i përgjithshëm nuk mund të zgjidhë të gjitha problemet e fëmijëve, pasi organet e një fëmije janë njësoj si te një i rritur, ndaj nënspecialitetet ishin mëse të nevojshme. U specializova 2 vite për Pediatri, pastaj m’u caktua nga profesori im të kaloja për specializim në Neuropediatri, të cilën e desha shumë dhe më pëlqente pafund si fushë.

51 vite mjeke, si do t’i përshkruani?

Një dashuri! Për mua mjekësia është fat dhe gjithmonë e uroj babanë tim që më dha mundësinë të vazhdoja këtë degë. Është e bukur, por e vështirë. Mjeku duhet të punojë shumë, duhet të përpiqet shumë, të lexojë shumë, duhet të ketë shumë pacientë dhe të ardhurat, për të gjithë ata që i futen kësaj dege për anën monetare, mund të vijnë pas 40 a 50 vjetësh. Mjekësia në radhë të parë është mision, pastaj profesion…

Në kaq vite pune duhet të ketë shumë, por cili është momenti më i bukur në karrierën tuaj? Dhe një moment që mund të keni dashur të hiqni dorë prej saj?

Ka padyshim shumë, por kam marrë një kënaqësi të madhe dhe e kujtoj si një moment shumë të bukur, kur në një nga konferencat që realizonim jashtë, në Venecia në shkollën Nacionale të Pediatrisë, kam referuar rastin e një vajze 11 vjeçe të cilës, teksa ndodhej në ballkonin e shtëpisë në ‘97, i kishte hyrë një plumb qorr në qafë duke i shkaktuar infarkt. Ndërsa rastet më të vështira janë kur përballesh me vdekjen. Kujtoj rastin e një djali 12 vjeç me tumor. Vuajti për 6 muaj dhe dha shpirt në duart e mia. Ishte shumë e vështirë, kam qarë shumë, aq shumë sa nëna e tij përpos dhimbjes së madhe që ndiente për të birin më ngushëllonte mua, “O doktoreshë ti bëre çdo gjë që ishte e mundur, mos qaj..”..

 

Me kalimin e kohës teknologjia avancon e për pasojë edhe metodat e punës, cilat janë ato ndryshime që i kujtoni me nostalgji dhe mendoni si ia keni dalë asokohe?

Kujtoj që në vitin ‘73 erdhën për herë të parë në Shqipëri dy aparatura për të bërë ezhe (EEG), njëra prej tyre erdhi në Pediatri. Në atë kohë fëmijët deri në 5-6 vjeç nuk kishin bërë ezhe, ndaj rastet që vinin ishin të shumta, varionin nga 10-20 në ditë, pasi vinin edhe nga rrethet. Mund të kem bërë rreth 50 mijë ezhe, pafund. Vendosnim diagnozën me shumë pak aparatura, por ja që ia dilnim edhe asokohe (qesh)..

Si e keni gjetur balancën mes familjes dhe profesionit? Sa e vështirë ka qenë të jeni një nënë dhe një mjeke, apo kjo e fundit ju ka ndihmuar?

Jam bërë nënë herët, kam patur fatin të bëj dy specializime, por te të dy më është dashur që fëmijët e mi ti lë vetëm në moshë të vogël, 3-4 vjeç. Në specializimin e parë, në La Sapienza në Romë në vitet ‘83-‘84, kam lënë djalin, ndërkohë në specializimin e dytë, për epilepsinë në ’90, kam lënë dy vajzat e mia binjake. E them me bindje që pa mbështetjen e madhe të bashkëshortit nuk do t’ia kisha dalë. Mirësia dhe zgjuarsia e tij bashkuar me dëshirën time për të ecur në profesion bënë të mundur që familja dhe profesioni të ecin paralelisht. Ndërkohë fakti që kam bërë Pediatrinë më ka ndihmuar padyshim për fëmijët e mi, por ndonjëherë alarmohesha edhe kot. Ka qenë një rast që jam çuar natën dhe i kam bërë fëmijës tim ezhe, pasi te fëmija yt ti i hiperbolizon gjërat (qesh).

Nëse përballë do të kishit një mjeke të sapodiplomuar, çfarë këshillash do t’i jepnit? 

Unë kam dy vajza, njëra është mjeke neuropsikiatre dhe tjetra farmaciste. Kam qenë dhe jam pedagogia e tyre. Gjithmonë jam munduar t’i jap këshilla nga ana profesionale dhe t’u injektoj dëshirën për misionin e mjekësisë, pasi mjekësia në radhë të parë është mision, pastaj profesion. Është e rëndësishme që ana monetare mos të jetë kurrë primare te një mjek, dhe po aq e rëndësishme është lidhja e ngushtë që mjeku duhet të krijojë me librin, libri është baza..

Nëse do të duhet t’i vendosnit një emër ose mbiemër karrierës suaj, si do ta cilësonit?

Do ta cilësoja të suksesshme, ndër vite më kanë nderuar pacientët dhe kolegët e mi. Jam shkëputur nga sektori shtetëror shumë vite më parë, falë pacientëve dhe kolegëve kam arritur t’ia dal në sektorin privat, ndaj ndihem e vlerësuar për punën time falë tyre…

 

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF