KreuCelebrity

SHBA, Biden kundër Gjykatës së Lartë për abortin!

SHBA, Biden kundër Gjykatës së Lartë për abortin!

Presidenti Joe Biden kritikoi një opinion paraprak të Gjykatës së Lartë që lë të kuptohet se shumica e gjyqatarëve konservatorë do të votojnë për të ndaluar abortin, duke shfuqizuar kështu vendimin historik të vitit 1973 që e legalizonte atë. Aborti pritet të kthehet kështu në një prej çështjeve kryesore për zgjedhjet e nëntorit për në Kongres, thote Zëri i Amerikës. Gjykata e Lartë nuk ka marrë ndonjë vendim ende për këtë çështje. Por publikimi i një projekt-vendimi prej gati 100 faqesh nga mediat amerikane, ku tregohet se shumica e gjyqatarëve konservatorë do të votojnë për të ndaluar abortin ka shkaktuar reagime të shumta.

Edhe presidenti Joe Biden ka reaguar duke e quajtur opinionin e përgatitur “radikal”. “Më shqetëson shumë që ne do të vendosim pas 50 vitesh që një grua nuk ka të drejtë të zgjedhë. Kjo do të thoshte se çdo vendim tjetër që lidhet me idenë e privatësisë, mund të vihet në pikëpyetje”, tha zoti Biden.

Sipas dokumentit që u publikua fillimisht nga portali “Politico”, dhe që është konfirmuar nga kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts, shumica e anëtarëve të gjykatës janë gati ta rrëzojnë vendimin historik të marrë në vitin 1973 për çështjen “Roe kundër Wade”, që legalizoi abortin në mbarë Shtetet e Bashkuara. Vendimi pritet të merret përpara se gjykatësit të fillojnë pushimet e verës në fund të qershorit, ose në fillim të korrikut.

“Nëse do të mund të abortosh apo jo, do të varet tërësisht nga vendi ku jetoni. Ne vlerësojmë se në kohën kur ky vendim të hyjë në fuqi, afërsisht 26 deri në 28 shtete do të përgatiten për të ndaluar abortin pothuajse menjëherë”, thotë Jessica Waters, profesore në Universitetin Amerikan. Avokatët thonë se qasja në kujdesin shëndetësor riprodhues, përfshirë abortin, është çelësi për pjesëmarrjen e plotë të grave në shoqëri. Nëse vendimi i marrë 50 vite më parë për të lejuar abortin rrëzohet, më shumë se 36 milionë gra mund të preken.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF