KreuArt

Intervistë/ Blen dhe Michael, një dashuri me ngjyra!

Nga Nada Biraçi

Ngjyrat e bukura të familjes tonë 

Blen dhe Michael janë një çift shumë popullor në TikTok aty ku nëpërmjet videove që kthehen në virale, të rinjtë dëshmojnë dashurinë e tyre para 800 mijë ndjekësve. Ajo një vajzë nga Shqipëria; ai një djalë nga Gana që një ditë kur secili syresh kishte plane krejt të tjera, fati deshi që shikimet e tyre të ndesheshin në qytetin Italian të Leçes, vend ku të dy ata janë rritur. Që prej asaj dite Blen dhe Michael shijojnë dashurinë e tyre me ngjyra, frut i së cilës është bebushja Kylie. 

Blen dhe Michael, ju jeni një çift shumë i njohur në TikTok.  Si e krijoni kontentin për audiencën tuaj? 

Përmbajtja jonë shpesh studiohet në lidhje me veshjet tona, pasi ne gjithmonë përpiqemi të jemi të kombinuar. Përsa i përket krijimit të përmbajtjes, ne nuk ndjekim një model të saktë, herë komenteve raciste u përgjigjemi me ironi ose heshtje, herë ndjekim tendencat e momentit dhe herë të tjera japim demonstrime të shkëmbimit kulturor përshembull kemi një video ku Michael kërcen valle tradicionale shqiptare.

Çfarë qëllimi keni me TikTok? 

I vetmi qëllim që kemi tani për tani është të rrëmbejmë pak buzëqeshje nga njerëzit që na ndjekin dhe të vazhdojnë të demonstrojnë se dashuria fiton gjithmonë mbi gjithçka.

Çfarë lloj audience kërkoni të tërhiqni në llogarinë tuaj në TikTok? 

Në profilin tonë nuk synojmë të tërheqim një objektiv specifik, por na pëlqen ideja për të qenë shembull për më të rinjtë ose për ato çifte të përziera që kanë frikë të luftojnë për marrëdhënien e tyre, veçanërisht nëse ajo nuk pranohet nga familja e tyre. Shumë vajza shqiptare më shkruajnë duke kërkuar këshilla se si të merren me këtë temë ose si t’ja ndryshojnë mendjen familjes së tyre.

Edhe partneri juaj është një TikToker; a ka konkurrencë mes jush? 

Po, partneri im është gjithashtu një TikToker. Absolutisht jo, nuk ka asnjë lloj konkurrence mes nesh, përkundrazi ndihmojmë njëri-tjetrin për të krijuar përmbajtje të përshtatshme duke ndjekur objektivin apo modalitetin e secilit prej dy profileve. Në fakt, ne gjithmonë përpiqemi të mos bëjmë video të njëjta.

A fitoni para ju nga ky rrjet social? Nëse po sa? 

Po, kemi të ardhura të vogla që variojnë sipas ecurisë së përmbajtjes që publikojmë

Në rrjete sociale shpesh gjuha dhe komentet janë të ashpra. Kam parë që edhe në rastin tuaj ka patur mjaft paragjykime? A ju shqetësojnë këto komente? 

Në jetë kam mësuar të mos i jap rëndësi mendimit negativ të njerëzve, edhe sepse ata gjithmonë do të gjejnë diçka për të të kritikuar. Marrim shumë komente të këqija, por asnjëri prej tyre nuk na prish buzëqeshjen.

Ke qarë ndonjëherë nga gjuha e përdorur në rrjet karshi jush? 

Jo nuk kam qarë asnjëherë për komentet negative, por kam qarë për mesazhet e bukura që më kanë ardhur nga shumë vajza që na mbështesin. Mbaj mend që u emocionova shumë kur ndihmova një vajzë shqiptare që jeton në Gjermani të hapej me prindërit e saj, të cilët pas dialogëve të ndryshëm pranuan të takonin të dashurin e saj joshqiptar.

Partneri juaj është nga Gana; çfarë të bën më shumë përshtypje në kulturën e tij? 

Po, ai ka lindur në Gana, por është rritur në Itali, kështu që duke qenë shumë i ndikuar nga kultura italiane ai ka humbur shumë nga kultura e tij amtare. Unë padyshim e dua kulturën e tyre muzikore dhe duke qenë një balerinë më pëlqen se si kërcejnë. Dhe duhet të them që kultura e tyre e kuzhinës është gjithashtu e mirë dhe e shijshme.

Po atij çfarë i bën përshtypje në kulturën tonë? 

Një gjë që i bie në sy në kulturën tonë është sigurisht muzika jonë, i pëlqen shumë tingulli dhe ritmi i këngëve shqiptare. Dhe admiron faktin që shqiptarët nuk lejojnë askënd t’ua vënë ‘këmbët në kokë’.

Cilat janë profesionet tuaja? Për çfarë keni studiuar? 

Për momentin nuk punoj sepse i përkushtohem plotësisht vajzës sime, ndërsa Michael punon si kamarier dhe si DJ. Shkova në shkollën e artit, por për shkak të problemeve shëndetësore e lashë vitin e fundit, pak para provimeve të maturës. Ndryshe nga unë, partneri im mori diplomën e tij si elektricist, por më pas donte të ndiqte një rrugë tjetër.

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF