KreuCelebrity

Si dhe pse u largua nga Kosova festivali Sunny Hill?

Në pamundësi që të marrë në shfrytëzim një tokë prej 17 hektarësh në komunën e Prishtinës për 99 vjet, festivali i muzikës, Sunny Hill Festival, u zhvendos nga Prishtina për në Tiranë. Të paktën për këtë vit. Ky vendim u mor më 14 qershor, më pak se dy muaj para kohës kur ishte planifikuar të mbahet festivali, nga 4-7 gusht. Në një njoftim që nxiti debat të gjerë në Kosovë, Dukagjin Lipa, themelues dhe organizator i këtij festivali dhe babai i yllit botëror, Dua Lipa, tha se arsye për këtë është zvarritja e procedurës për marrjen në shfrytëzim të një hapësire në komunën e kryeqytetit të Kosovës. Bëhet fjalë për një parcelë në Bërnicë të Poshtme. Vetë procedura për dhënien në shfrytëzim të tokës për kompaninë Sunny Hill (Sh.P.K.), që e organizon festivalin thote REL, u përcoll me kundërshtime politike nga niveli komunal e deri tek ai qendror.

Kundërshtime pati edhe nga shoqëria civile dhe aktivistët. Në momentin kur u bë i ditur vendimi se festivali do të zhvendosej në Tiranë, institucionet e Kosovës ende nuk e kanë marrë një vendim final për dhënien ose jo të tokës në shfrytëzim për festivalin. Largimi i këtij edicioni të Sunny Hill nga Kosova përveç që nxiti kritika të shumta të politikanëve e qytetarëve ndaj Qeverisë, u quajt një gabim strategjik edhe nga raportuesja për Kosovën në Komisionin Evropian, Viola von Cramon.

Ju sjellim se si është zhvilluar procedura lidhur me tokën.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe një përfaqësues i kompanisë Sunny Hill, nisën negociatat për dhënien në shfrytëzim të një toke të Prishtinës për këtë festival në mars të vitit 2022. Pas takimeve negociuese që u mbajtën më 21 mars, 6 prill e 4 maj, kryetari Rama dhe Sunny Hill arritën një marrëveshje që iu prezantua Kuvendit Komunal të Prishtinës. Marrëveshja u votua më 10 maj.
Sipas kësaj marrëveshjeje, kompanisë Sunny Hill do t’i jepej në shfrytëzim një parcelë në fshatin Bërnicë e Poshtme, në një hapësirë prej 17 hektarësh. Kjo tokë do jepej në shfrytëzim për 99 vjet. Ligji që rregullon dhënien në shfrytëzim të pronave komunale parashikon qe komunat mund të japin në shfrytëzim pronat për periudha të ndryshme, nga një vit e deri në 99 vjet.

Kjo marrëveshje hasi në kundërshtime brenda opozitës komunale. Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë tha se në mbledhjen e 10 majit kanë kërkuar që kjo marrëveshje të shqyrtohej në një seancë tjetër të mëvonshme, pasi dokumentacioni, sipas tij, nuk ishte i kompletuar. “Ne e vume re që ka shumë mangësi, dosja nuk ishte e kompletuar. Ishim të revoltuar dhe të shqetesuar kur i pamë kushtet e kontratës, të cilat i ka negociuar kryetari”, tha Sveçla. Sipas tij, kundërshtimi më i madh ka qenë për “kohëzgjatjen e madhe, 99 vjet”. “Kemi dhënë oferta të tjera, i kemi dhënë 10 vjet me mundësi vazhdimi pastaj”, tha Sveçla. Vërejtja e dytë, sipas tij, kishte të bënte me kushtet e kontratës që ndalojnë mbajtjen e ndonjë festivali të karakterit të ngjashëm “që i bën konkurencë festivalit Sunny Hill” në këtë hapësirë.

Marrëveshja lejonte vetëm evente të muzikës klasike dhe xhaz të organizuara nga Komuna e Prishtinës, Filarmonisë së Kosovës, apo vendi të jetë mikprites i orkestrave filarmonike nga mbarë bota. Me tej, sipas marrëveshjes, vetëm 30 për qind e fitimeve nga organizimet e komunës do t’i takojnë Komunës së Prishtinës. Nuk permendej se kujt i takon 70 për qind e fitimeve të tjera.Me gjithë kundërshtimet, Kuvendi Komunal atë ditë arriti ta kalojë këtë marrëveshje me 26 vota pro nga 51 asamblistë gjithsej.

Komuna e Prishtinës nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL  për pretendimet e opozitës komunale se dosja e dorëzuar para Kuvendit Komunal nuk ka qenë e kompletuar.  Ata, po ashtu, nuk i kanë komentuar kritikat se kryetari ka negociuar marrëveshje të dëmshme për Prishtinën.

Pasi Kuvendi Komunal i Prishtinës më 10 maj mori vendim që do t’ia japë në shfrytëzim tokën kompanisë Sunny Hill, sipas ligjeve në fuqi, ky vendim është dashur të dërgohet në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL). MAPL-ja duhet  të merrte vendim që tregon nëse vendimi i komunës është i ligjshëm ose jo. Më 14 qershor, kur erdhi lajmi se festivali po zhvendoset në Tiranë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e kritikoi këtë ministri se gjatë procesit për vendimin e ligjshmërisë “ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asamblistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës”. Vendimi i komunës i ishte dërguar për shqyrtim MAPL-së, më 16 maj. Sipas një sqarimi publik që kjo ministri ka bërë më 14 qershor, ata kanë kërkuar dokumente shtesë në mënyrë që të marrin vendimin final për ligjshmërinë ose jo të këtij vendimi. Sipas njoftimit të kësaj ministrie, kishte disa “dokumente esenciale që mungonin në aplikacion”.
Përkatësisht, sipas MAPL-së, në këtë vendim ka munguar: Projekti i paraqitur nga investitori dhe plani dinamik i realizimit të investimit, si dhe qarkullimi bankar për vitin paraprak.

Megjithëse kundërshtimet kryesore karshi marrëveshjes së komunës me Sunny Hill kanë të bëjnë me kohëzgjatjen e dhënies në shfrytëzim të tokës, përfaqësuesit e këtij festivali thonë se kjo për ta ka qenë opsionale. Shpat Begolli, përfaqësues i festivalit Sunny Hill, për Radion Evropa e Lirë ka arsyetuar pikën ku kërkojnë që mos të mbahen festivale të karakterit të njëjtë në këtë hapësirë. “Kjo bëhet për të mbrojtur parkun nga shkatërrimi që do t’i bëhej në rast se organizohen shumë evente gjatë vitit. Në të njëjtën kohë, parku Sunny Hill do të qëndrojë i hapur për shfrytëzim rekreativ për qytetarët gjatë të gjithë ditëve tjera”, thuhet në përgjigjen e Begollit. Ai thotë se se alokimi i kësaj toke edhe vetëm për një park do të kishte arsyeshmërinë e vet “pa hyrë në investimet dhe benefitet tjera që sjell Sunny Hill”.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF