Artistja e ndjerë Hueyda El Saied u nda nga jeta 7 muaj më parë në moshën 46-vjeçare si pasojë e një sëmundjeje të rëndë, duke lënë një dhimbje të madhe tek gjithë njerëzit e saj të dashur.
Së fundmi Hueyda El Saied u nderua me titullin “Mjeshtre e Madhe nga presidenti i Republikës Ilir Meta, çmim të cilin e tërhoqi i biri Gabrieli.
Të ftuar te “Rudina” bashkëshorti i saj Thierry Grosjean, djali Gabriel, dhe nëna e saj Diana Çoku, rrëfyen se dhimbja është ende e madhe. “Ndihem shumë keq, nuk kam fjalë për Hueydën, sepse kur të vdes fëmija, të vdes edhe shpirti bashkë. Por duhet të bëhem e fortë, sepse kam Gabrielin dhe Tierryn”, tha nëna e artistes së ndjerë.
Ndërkohë bashkëshorti Thierry Grosjean, tregoi se që nga vdekja e bashkëshortes së tij i është dashur të bëhet edhe nënë dhe baba për djalin e tyre 6-vjeçar.
“Është një aventurë e re për mua, është e mrekullueshme, e jashtëzakonshme. Ne jemi të fortë së bashku. Por është ende shumë emocionuese për ne të shikojmë këto pamje, këtë fotografi të bukur të Hueyda-s”, tregoi Thierry.



















