Festivali i Këngës Magjike së shpejti do të vijë pranë publikut me edicionin e tij të 23.
Lajmi është bërë i ditur nga moderatori Ardit Gjebrea, i cili ka zbuluar gjithashtu se festivali aq i dashur nga publiku këtë vit vjen me risi.
Me anë të një postimi në rrjetin e tij social Instagram, Ardit Gjebrea ndër të tjera bën me dije se ndryshe nga vitet e tjera Kënga Magjike do të zgjasë katër netë dhe do të aplikohet teknologjia më e re televizive evropiane në paraqitjen e tij.
“Jam shumë i lumtur dhe njëkohësisht krenar për fillimin e edicionit të 23-të të Këngës Magjike. Ky edicion do të jetë padyshim më i miri në historinë e festivaleve në Shqipëri, pasi për herë të parë aplikohet teknologjia më e re televizive evropiane në paraqitjen e tij.
Për herë të parë artistët e huaj janë të një niveli që nuk ka ndodhur më parë në një garë në vendin tonë. Për herë të parë Kënga Magjike do të zhvillohet në 4 net, ku nata e tretë do të jetë Nata Finale Tradicionale Shqiptare dhe nata e katërt do të jetë Grand International Kënga Magjike.
Ky edicion do të ketë shumë “për herë të parë” ndaj dhe uroj të jetë një bekim për çdo artist pjesëmarrës dhe kënaqësi për të gjithë ju që do e ndiqni!”, ka shkruar Gjebrea.



















