Nga Nada Biraçi
Fotografia: Leo Arapaj
Takimin me Enadën e lamë në atë që ajo e quan ‘tempullin ku do të donte të kërcente deri 100 vjeç”, në barin e Teatrit të Operas dhe Baletit. E përpiktë si një orë zvicerane, Enada u shfaq fiks në orën 09:15. E veshur sport me një tutë hedhur mbi supe, flokët e mbledhur topuz dhe një buzëqeshje mirësjellje në portret, edhe nëse s’do ta njihje dallohej që së largu se ajo grua hapat e së cilës rrihnin me aq delikatesë ajrin duke ngjitur shkallët e TOB do të qe një balerinë.
“Çfarë ndjen sa herë ngjit këto shkallë”; i them teksa Enada afrohet e më përshëndet miqësisht duke më zgjatur dorën, ndërsa nuk e prisja aspak që atë moment menjëherë sytë t’i mbusheshin me lot. Në fakt ishte një pyetje që lindi aty, nuk e kisha menduar më parë dhe si e zënë në faj i kërkova ndjesë, pasi me siguri asnjëra prej nesh nuk e kishte menduar që këtë intervsitë do ta nisnim duke lotuar.
“Jo, jo më fal ti mua, por kudo dhe kushdo të ma bëjë këtë pyetje e kam të pamundur të mos prekem. Sapo dal nga shtëpia nisem me përjetimin dhe emocionin se diçka e madhe po më pret në teatër. Kam 25 vite që e jetoj këtë teatër dhe jam e lidhur shpirtërisht me të në mënyrë të pashmangshme. Kjo ndërtesë është tempulli ku unë mund të jetoj dhe punoj gjithë jetës time”; më thotë balerina e famshme ndërsa lotët tashmë i ishin dorëzuar duke zbritur deri mbi buzë.
U duk se nuk kaloi as një sekondë kur me një lëvizje sa elegante aq edhe të shpejtë, Enada Hoxha fshiu lotët dhe më drejtohet tashmë duke qeshur: “Tani le ta bëjmë këtë intervistë..”
Sheshi Skënderbej nuk ka qenë kurrë më i hareshëm dhe elektrizues sa pasditen e 16 shtatorit dhe kjo falë “Tirana Flash Mob” eventit të kërcimit ideuar dhe krijuar nga Enada e Gerd Vaso. Një mbrëmje që bëri kryeqytetin të kërcejë…
Ishte vërtet një mbrëmje e magjishme. ‘Tirana Flash Mob’ është një projekt i cili i dedikohet talenteve të reja në balet dhe që vjen në Shqipëri si një derë e hapur për të gjithë të rinjtë që ushqejnë pasionin për kërcimin. Të rinjtë patën mundësi të tregojnë talentin e tyre, të marrin vëmendjen që ata meritojnë dhe të kërcejnë krah balerinëve profesionistë shqiptarë dhe të huaj. Ndonëse u duk se shiu do ishte plangprishës, pasi ato ditë pati shumë reshje, mbrëmjen e 16 shtatorit ato vetëm 10 minuta shi që ra sapo nisi eventi u kthye në një ogur të mirë pasi e gjithë mbrëmja shkoi për mrekulli. Madje shiu pati një efekt magjik, pasi edhe njerëzit që kalonin rastësisht në sheshin Skënderbej ndalonin, na ndiqnin dhe kërcenin bashkë me ne. ‘Tirana Flash Mob’ është një projekt në dukje i thjeshtë por që në vetvete ka shumë komponentë që nga koreografia, kostumografia, skenografia, të ftuarit e të tjerë elementë që e kthejnë këtë event në një minispektakël në qendër të të cilit janë të rinjt që kanë pasion baletin.
Sakaq “Dance with me” është projekti televiziv që ju riktheu sërish në televizion.
Edhe pse e kam bërë vitet e kaluara në një spektakël të ngjashëm koreografen me konkurrentë VIP dhe nga ana teknike le të themi se jam mëse e përgatitur; nga ana tjetër ky është një produksion i ri, sfidat janë të reja, konkurrentët janë të tjerë emra dhe kjo për mua do të thotë se përgjegjësia është shumë e madhe. Nuk është e lehtë të mësosh një personazh VIP, pika e fortë e të cilit nuk është kërcimi pasi ai shkëlqen në një tjetër fushë. Megjithatë mes emrave VIP ka nga ata që kanë vesh muzike dhe talent për të kërcyer, por ka dhe nga ata që kërcimin nuk e kanë dhunti dhe kuptohet, do një punë të madhe. Deri tani (uroj të mos jem duke folur para kohe (Qesh) të gjithë konkurrentët e Dance With Me kanë qenë tepër të përpiktë me oraret, të zellshëm për të mësuar siç duhet hapat edhe pse kuptohet që axhenda e tyre është shumë e ngjeshur por janë treguar të gatshëm për të gjetur kohën për provat dhe mua më vjen shumë mirë që që javën e parë ata patën ndonëse ndoshta jo një performancë perfekte, por një performancë të pastër.
Nisur nga eksperienca me personazhet VIP, arrini ta dalloni ju që në fillim fituesin apo ka surpriza gjatë rrugës?
Edhe pse unë arrij ta dalloj teknikët e kërcimit të gjithkujt që në javët e para dhe aty kuptohen edhe elementët pretendentë, mund të them që javë pas jave ka patur dhe surpriza dhe e vërteta është që ata që punojnë fort arrijnë të superojnë edhe dikë që ka talent në kërcim, por që nuk impenjohet aq sa duhet. Gjithsesi unë nuk përfshihem në këtë, pasi për mua të gjithë personazhet janë njësoj, pavarësisht talentit apo aftësive, secili prej tyre ka të njëjtin minutazh provash dhe të njëjtin impenjim nga ana ime. Është skena ajo që tregon se cili prej konkurrentëve do të shkëlqejë në kërcim.
Nga talentet e rinj të baletit në ‘Just Dance’ tek personazhet VIP që nuk kanë asnjë lidhje me kërcimin. Cili rol ju pëlqen më shumë?
Në ‘Just Dance’ isha gjykuese dhe nën ‘komoditetin’ e karriges së gjykatësit vetëm kam vlerësuar talentet e rinj në kërcim, duke qenë se ata edhe nëse s’do ta kenë profesionin e së ardhmes, e kishin pasion të madh kërcimin dhe më duhet të them që Shqipëria prodhon kaq shumë balerinë të mrekullueshëm. Ndërsa në ‘Dance With Me’ përkrah kënaqësisë që marr unë punoj fort me koreorafitë si dhe me elementë të tjerë që duhen për të dalë një kërcim i kuruar, pra s’jam më në komoditetin e gjykueses. Përpos këtyre, të dyja rolet i shijoj shumë.
Ju vetë keni zgjedhur ta ushtroni dhe zhvilloni profesionin tuaj në Shqipëri, ndonëse nuk kanë munguar ofertat për t’u larguar jashtë. Por, çfarë do t’i thonit ju balerinëve të rinj që duan të largohen?
Po e vërtetë, kam vendosur ta jetoj pasionin dhe profesionin tim këtu, dhe për këtë nuk jam penduar në asnjë ditë të vetme. Kjo sepse jam ndjerë mëse e plotësuar. Eksperiencat në teatrot e rëndësishme në botë i kam përjetuar duke qenë si e ftuar speciale për të performuar. Ama s’mund t’u them kurrsesi të rinjve mos u largoni. Të gjithë e dimë që andej mund të gjejnë kushte më të mira, pagesat më të mira, mundësitë më të mëdha dhe në një botë të hapur që jetojmë sot, pse jo artistët le të fluturojnë të lirë kudo që ata mendojnë se ndihen më mirë.
Më thatë se kishte ardhur momenti për të ulur pak numrin e roleve në TOB. Pse?
Çdo gjë në jetë ka ciklin e saj dhe mendoj se ishte momenti që Enada të mos jetë patjetër në çdo numër dhe vepër që vihet në teatër. Dikur më dukej shumë normale, madje ndonjëherë e kërkoja me patjetër që nëse do të mbahej një gala, duhej të kisha 10 numra, por tani jo më. Nuk do ta harroj kurrë një fjalë që më ka thënë maestro Agron Aliaj… “Enada, ti tani pas kaq vitesh eksperiencë duhet të dalësh në skenë një herë, dhe atë herë duhet të jesh e magjishme”. Ka ardhur koha që të jem pikërisht në këtë formë prezente në TOB, por pa lenë mënjanë krijimtarinë duke vënë në skenë kryevepra botërore për të cilën derën e teatrit e kam gjithmonë të hapur.
Sipas Mikhail Baryshnikov dështimet janë eksperiencat më të rëndësishme- ka thënë. Ju i shihni të tilla?
Ashtu duhet të jetë pasi dështimi është forma më e vështirë për të mësuar, dhe nëse arrin ta shohësh në këtë mënyrë, e sigurt që në hapin e rradhës do të dish si t’ja dalësh. Fatmirësisht unë nuk mund të sjell ndërmend ndonjë dështim që vlen për t’u përmendur si shembull. Për nga natyra e mendoj shumë mirë çdo hap që ndërmarr dhe këshillohem me njerëz të afërt e profesioniste përpara çdo projekti dhe sipërmarrje. Edhe në rolet që më ofrohen, i studioj shumë mirë përpara se t’i aprovoj dhe vetëm kur jam e bindur që e realizoj artistikisht dhe teknikisht e marr përsipër.
A jeni ju ‘workaholic’, këtë ndjesi më jepni?
Unë punoj fort! Kam punuar që fëmijë me orë të zgjatura. Baleti është disiplinë e tillë që kërkon punë të palodhur. Pa punë nuk mund të jesh e denjë për të dalë në skenë. Në periudhat që kam disa projekte njëherësh dita është e gjitha orë pune. Në periudha më pak impenjative orët janë më të reduktuara. Kështu që nuk mund ta quaj veten ‘workaholic’ por e përgjegjshme dhe pasionante për të arritur rezultatin e pritur!
Muza juaj cila është?
Mamaja ime më ka rritur me frymëzimin e balerinave klasike botërore që kanë bërë histori. Tanimë e shoh frymëzimin në copëza artistësh shumë të talentuar të ditëve të sotme pasi arti ka evoluar shumë dhe të surprizon çdo ditë.
Me siguri merrni çdo ditë komplimenta rreth fizikut apo pamjes tuaj. Në ç’mënyrë kujdeseni për veten?
Jam shumë me fat sa i përket genit pasi im atë i ka kaluar të 80-tat dhe ka një lëkurë dhe portret prej mermeri. Nëse mendoni se dukem mirë le të them se me siguri janë genet që kanë ndikuar, pasi unë nuk hy fare në grupin e grave që jam e fiksuar pas trajtimeve apo skincare. I vetmi krem që përdor quhet ‘cera di cupra’ dhe kushton vetëm 500 lekë. Ka patur raste që mikesha të miat më kanë dhuruar një linjë të caktuar kremërash që mund të kenë qenë marka shumë të mira por që realisht në lëkurën time nuk kanë qëndruar mirë. Pra i rri besnike kremit tim të lirë dhe të vetmet trajtime që bëj janë vitaminat apo acid hyaluronic që ndonjëherë më ofrojnë mikesha të miat apo qendra estetike por edhe këto nuk mund t’i bëj shumë shpesh pasi ju e dini që kushtojnë dhe nuk mund të gënjej dhe të them se kam luksin të bëj trajtime estetike çdo muaj. Sa i përket fizikut me siguri më ka ndihmuar profesioni që jam kaq shumë në lëvizje.
Ndërkohë jeni mami i një djali adoleshent; keni nisur të haseni me sfidat e prindërimit me Roanin që tashmë është në një moshë delikate?
Jam me shumë fat që kjo mosha delikate nuk ka ndikuar aspak tek Roani dhe ai vijon të jetë ai djali i mbarë që nuk na sjell asnjë shqetësim në familje. Nuk ka rebelime, është i qetë, i dashur, i edukuar dhe shumë empatik. E di që mund të dukem si mami mburravece, por ai vërtetë që kështu është, dhe ata që e njohin e dinë që s’po gënjej (Qesh). Sa i përket marrëdhënies që kam krijuar me të dua të them se fatmirësisht mendoj se ja kam arritur që të gjej një të mesme të artë, mes të qenit mami dhe shoqe. Me këtë nuk dua të them që Roani ka lirinë që të sillet me mua si një shoqe, por mund të më trajtojë të tillë deri në një farë pike. Jam shumë e lumtur që ai është mjaftueshëm i zgjuar për të kuptuar se ku është limiti mes të qenit mami dhe shoqe dhe mendoj se ky është çelësi i suksesit të marrëdhënies tonë.
Dimë që ai ka pasion futbollin. E sheh veten në një të ardhme si mami i një futbollisti të njohur?
Futbolli është pasioni më i madh i Roanit dhe ne e kemi ndihmuar që ta zhvillojë këtë pasion. Po ecën shumë mirë dhe si çdo prind edhe unë e Gerdi duam me shpirt që djali të arrijë aty ku ai ëndërron; pra të jetë një yll në fushën e blertë. Në shtëpi unë e quaj kampion dhe për mua i tillë është. Mami i një futbollisti të famshëm? Oh është një ëndërr që nëse do të bëhet realitet nuk di çfarë mund të kërkoja më shumë nga jeta. Por me punën, vullnetin dhe talentin e Roanit, pse jo një ditë mund të jap një intervistë edhe si mami i një ylli në fushën e blertë. (Qesh)
Botuar në BORDO, tetor 2022!



















