Nga Ilda Lumani
Të shtunën e nisa ne Teatrin e Kukullave (me fëmijët!) dhe e përfundova në atë Metropol, të cilin mezi po e prisja!
Mbreti Lir!
Sigurisht Shekspir është Shekspir, por kurioziteti dhe padurimi im ishte për të parë Viktor Zhustin në rolin e Mbretit Lir!
Publiciteti paraprak, fotografitë e lancuara në rrjet kishin bërë ndërkaq punën e vet të tërheqjes…
Dhe pritshmëritë i kisha të mëdha…
Fatmirësisht shfaqja i kaloi!
Një histori e njohur në letërsi dhe realitet, në 2 orë e 40 minuta, që rrodhën pa kuptuar, skena të njëpasnjëshme, të qendisur kaq bukur dhe kuruar estetikisht në kostumografi dhe muzikë për tëncilat regjisorja Jonida Beqo meriton duartrokitje!
Aktorët Sokol Angjeli, Lulzim Zeqja, Klea Rondo, Armela Demaj, mbanin më së miri publikun të angazhuar dhe me emocion!
Ndërsa për Viktor Zhustin mendoj se çdo fjalë më duket e varfër për ta përshkruar:
Interpretimin brilant, fuqinë e jashtëzakonshme fizike dhe emocionale për të kaluar nga një situatë në tjetrën… nga mbreti fuqiplotë e autoritar, tek babaxhani qejfli, nga i përbuzuri, i nervozuari, tek i pikëlluari, i lënduari, nga i vetëironizuari, tek i plagosuri në shpirt e mandej në vdekjen e tij…
Emocionet i dalloja tek bashkëspektatorët…
Ndërsa lotët, tek kër-këret e shamive-facoletë që dilnin një pas një nga çantat e zonjave…
Çdokush diçka kujtoi,
Çdokush diçka ndjeu…
Është fuqia e teatrit dhe e një aktori multidimensional, që përcolli një ndjenjë të fortë tek të gjithë…
Në fund të shfaqjes ashtu i lehtësuar nga pesha e rolit teksa qëndronte në mes të skenës, m’u duk se ishte edhe më i rëndë, edhe më i fortë, edhe më i fuqishëm dhe më sfidues se çdo aktor bashkëmoshatar, që mund të merrte përpara këtë sfidë!
Me stomakun që më dhimbte, e prita ta takoja jashtë teatrit, ku publiku dukej se s’donte të ikte.
Nuk di a ja thashë ndjesitë fiks siç i përjetova, pasi çdo fjalë e ime m’u duk e varfër!
Por ajo që e mendoj edhe këtë mëngjes me bindje (dhe që edhe ata që do ta shohin do të ma pranojnë!) është fakti se Mbreti Lir ishte shfaqja ku e nxirrte të plotë e mbase më të plotë se kurrë Viktor Zhustin!