Këngëtarja e njohur në të gjithë botën Dua Lipa ka marrë sot shtetësinë shqiptare.
Presidenti Bajram Begaj priti sot artisten e mirënjohur dhe vlerësoi talentin e saj, shpirtin artistik si dhe angazhimin e saj në mbështetje të kauzave sociale.
“Është kënaqësi e veçantë që sot presim artisten e madhe Dua Lipa. Them artiste e madhe, por ajo është edhe një vajzë e thjeshtë, që krenarinë më të madhe na e ka dhënë ne, Shqipërisë, Kosovës dhe kudo ku ka shqiptarë nëpër botë. Rinia shqiptare ju ka shembull dhe ju keni treguar se ëndrrat arrihen duke punuar gjithnjë e më shumë. Ti i ke bërë të gjithë shqiptarët bashkë! Ndaj kam kënaqësinë t’ju jap shtetësinë shqiptare”, u shpreh Presidenti Begaj.
Dua Lipa do të mbajë nesër më 28 nentor koncert në Tiranë me rastin e 110 vjetorit të pavarësisë, duke mbyllur kështu edhe turin e saj në botë.
Kujtojmë se Dua Lipa ka lindur në Londër në 22 gusht 1995 në një familje shqiptare nga Kosova. Ajo u shkollua mes Londrës dhe Prishtinës, ku familja e saj u vendos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Talenti i lindur dhe përkushtimi për botën e muzikës dhe artit e ndihmoi të ngjiste me guxim dhe vendosmëri shkallët e karrierës artistike që në moshë të re. Tashmë ajo numëron shumë çmime e vlerësime për kontributin e saj në muzikë dhe art, përfshi këtu edhe tre çmime Grammy.