Nga Nada Biraçi
Fotografia: Leo Arapaj
Metoda e mësimdhënies Helen Doron është cilësuar si ndër më uniket në botë. Përmes lojërave, këngëve, muzikës, kërcimeve e argëtimit me metodën Helen Doron fëmijët mësojnë gjuhën angleze në mënyrë shumë natyrale njësoj siç mësojnë gjuhën amtare. Prej 10 vitesh kjo metodë inovative mësimdhënie po operon suksesshëm edhe në vendin tonë. Themeluesja e kësaj metode shkencëtarja gjuhësore Helen Doron këto ditë udhëtoi drejt Shqipërisë për të parë nga afër suksesin e metodologjisë së saj në Tiranë. Në morinë e takimeve dhe aktiviteteve që kishte në axhendë, zonja Doron u tregua tejet e gatshme të ndante edhe një bisedë me Bordo.
Çfarë ju shtyu dhe frymëzoi për të krijuar Metodën e mësimdhënies Helen Doron?
Të qenit nënë, shkencëtare gjuhësore si dhe të pasurit eksperiencë në meditimin transcendental mendoj se më kanë frymëzuar për të ndërtuar këtë metodë mësimdhënie. Kur vajza ime ishte vetëm 4 vjeçe e çova të mësojë violinën sipas metodës Suzuki e cila është një kurrikul muzikore dhe filozofi mësimore krijuar nga violinisti dhe pedagogu japonez Shinichi Suzuki. Metoda synon të krijojë një mjedis për mësimin e muzikës, i cili është paralel me mjedisin gjuhësor të përvetësimit të një gjuhe amtare. Sipas Suzukit muzika është gjuhë dhe filozofia e tij ishte që fëmijët të mësonin t’i binin violinës duke e dëgjuar. Pikërisht kjo metodë e Dr Suzuki ka qenë frymëzimi im më i madh. Përderisa Dr Suzuki mëson gjuhën e muzikës ne mund të mësojmë muzikën e gjuhës. Me muzikën e gjuhës dua të them se është mënyra nëpërmjet të cilës ne të gjithë kur jemi fëmijë mësojmë gjuhën amtare, vetëm duke e dëgjuar atë. Fëmijët e vegjël kanë aftësinë për të mësuar një gjuhë të huaj shumë më thjeshtë se të rriturit nëse ne ja ofrojmë nëpërmjet mënyrës së duhur. Nuk është shumë e thjeshtë të mësosh një gjuhë të huaj vetëm duke lexuar dhe shkruar, pasi shpesh kjo metodë kthehet në stres dhe parehati për nxënësin. Prandaj unë krijova metodën Helen Doron që e sjell mësimin e gjuhës angeze në formën e lojërave, aktiviteteve, këngëve, mini-filmave etj. Fëmijët mësojnë duke u argëtuar, në mënyrë shumë natyrale dhe organike ata marrin informacionin pa e kuptuar, njësoj siç ndodh kur ata mësojnë të flasin gjuhën e nënës. Mësimi në metodën tonë shkon në kujtesën afatgjatë të fëmijës.
Metoda juaj e të mësuarit përmes argëtimit dhe lojërave, duket shumë qejf.
Shumë prëj fëmijëve që ndjekin kurset tona pasi kalojnë disa muaj dhe me një anglishte shumë të përmirësuar na thonë ‘ne vetëm po luajmë, kur do të nisim të bëjmë mësim?’. Por më duhet të them që pas lojërave argëtuese qëndron një punë shumë e madhe. Që fëmija të ketë këtë eksperiencë kaq të bukur, mësueseve do t’u duhet të punojnë shumë. Duhet të krijohen materialet, kontenti, muzika, regjistrimet, përgjedhja e lojës me të cilën do të shoqërohet një mësim i ri. Mësueset në Helen Doron nuk rrinë ulur në fillim të klasës me një libër para…jo, jo. Në çdo orë mësimore ato nuk mund të jenë pasive, por ato përfshihen në çdo aktivitet. Mësueset janë të trajnuara që të dinë të punojnë me mënyrën e të procesuarit të informacionit që për mosha dhe tipologji të ndryshme fëmijësh këto mënyra janë të ndryshme. Sa i përket fëmijëve, po ata mësojnë shumë vetëm duke bërë qejf…
Ka disa studime që tregojnë se kjo metodë mësimore ka qenë shumë e suksesshme në disa vende të botës. Cili është çelësi i suksesit sipas jush?
Ne kemi një metodë të vërtetë. Kur e nisa këtë metodë e vetmja gjë që kisha ishte dëshira për t’i mësuar fëmijëve gjuhën në mënyrën e duhur që do të ishte njëkohësisht argëtuese dhe e kënaqshme. E nisa me anglishten, sepse të mësuarit e një gjuhe të huaj është një nga aktivitetet më komplekse të trurit dhe kjo përkthehet në zhvillim të vazhdueshëm të këtij organi. Jo më kot fëmijët që kanë prindër me shtetësi të ndryshme kanë prirje të jenë shumë të zhvilluar mendërisht. Për të ardhur tek pyetja juaj, metodologjinë Helen Doron unë nuk e nisa si biznes. 15 vitet e para kam patur shumë vështirësi financiare, nuk ishte aspak e lehtë pasi në ditët e sotme asgjë nuk funksionon pa mbështetje financiare. Këto vështirësi zgjatën deri kur mora ekskluzivitetin e kësaj metode dhe e shpërndava së pari në Austri dhe Poloni dhe sot që flasim jam shumë krenare që metoda ime është përhapur në rreth 40 shtete të botës. Shqipëria prej 10 vitesh është pjesë e grupit tonë. Nëse një biznesmen i ri kërkon të ketë ekskluzivitetin e kësaj metode në vendin e tij, mbështjetja në shpatullat tona do të jetë një ndihmë dhe një garant për sukses. Me të blerë të drejtën e autorit, sipërmarrësi ka të drejtë legjitime të përdori të gjitha metodat tona, librat, trajnimet, aplikacionet dixhitale etj. Një biznes që nis me blerjen e të drejtës së autorit apo ekskluzivitetit garanton 90 % sukses.
Qëllimi juaj është edukimi më i mirë për fëmijët; dhe metoda juaj duket vërtet më e mira… Sa krenare jeni për atë që keni arritur deri tani?
Nuk mund të jem më krenare se kaq. Jam krenare sepse numërohen më shumë se 3 milion fëmijë që e kanë mësuar anglishten sipas metodës tonë.
Një ekskluzivitet është një biznes i gatshëm që garanton sukses, ndërkohë që ka avantazhet e tij, ka edhe sfidat e tij? Mund të na thoni më shumë?
Një nga sfidat e të pasurit një ‘franchaise’ është që jo çdokush është i prirur ta mbajë një ekskluzivitet, edhe nëse i ka financat apo dëshirën. Në momentin që dikush blen të drejtën e autorit të një biznesi duhet ta ketë shumë të qartë që janë disa rregulla të shkruara nga biznesi mëmë që duhen ndjekur rigorozisht. Një nga sfidat e një ‘franchaise’ është se dikush mund të mendojë se mund ta bëjë vetë, pa patur nevojë të ndjekë ‘biblën’ e biznesit mëmë dhe kjo përkthehet në dështim. Janë disa norma, rregulla, pika që duhen ndjekur në mënyrë që franchaise të jetë 100 % i suksesshëm sepse “zogjtë fluturojnë bashkë”. Pra një francais i ri nuk mund të bëjë dot pa zyrën qëndrore ashtu siç edhe ne nuk mund të bëjmë pa to.
Po mësuesit; si i trajnoni ata, si duhet të jetë një mësues ‘Helen Doron’.?
Nivel të mirë të anglishtes dhe shumë dashuri për fëmijët. Ndonjëherë mësuesit që vijnë nga eksperienca e tyre si mësues anglishtje në shkollë e kanë të vështirë të bëhen pjesë e ‘Helen Doron Method’. Kjo sepse metodologjia jonë nuk i ngjan aspak asaj që bëhet nëpër shkolla. Tek ne mësimi është interaktiv, ndërveprues, ne nuk i kritikojmë kurrë fëmijët, nuk i vemë kurrë në garë. Një mësues në Helen Doron duhet të gjejë një mënyrë për t’i treguar fëmijëve se ata janë të mirë, të zgjuar…duhet të gjejë një mënyrë që të nxjerri më të mirën e fëmijës. Kjo ndjenjë e suksesit e motivon shumë fëmijën të mësojë vazhdimisht. Të gjithë fëmijët e kanë të lindur në mënyrë shumë natyrale dëshirën për të mësuar; ata janë të uritur të mësojnë. Por është detyra jonë t’jua servirim informacionet në mënyrën e duhur. Nuk ka fëmijë të këqinj, ka mësuese të tilla. Gjëja parësore kur një fëmijë shkon në një kurs, shkollë apo klasë çfarëdo duhet që ai ta pëlqejë mësuesen. Mund të kesh një anglishte të përkryer por nëse nuk di t’u drejtohesh fëmijëve nuk mund të jesh pjesë e Helen Doron. Në Helen Doron nuk mësohet vetëm anglisht; mësohet dashuria për njëri-tjetrin, dashuria për kafshët, për mjedisin, dhembshuria, respekti… Një mësuese e Helen Doron nuk është thjesht një mësuese që flet rrjedhshëm anglisht.
Është hera e parë që vini në Shqipëri. Çfarë ju ka befasuar në vendin tonë?
Jam e çuditur nga televizionet e shumta që ka një vend kaq i vogël si Shqipëria. Ka shumë studio televizive këtu. Isha në televizionin Euronews këtë mëngjes dhe jam e surprizuar nga profesionalizmi dhe investimi infrastrukturor atje, në një nivel ndërkombëtar. Di që shqiptarët janë shumë profesionistë. Ajo çfarë tjetër ka marrë vëmendjen time në këto pak ditë qëndrimi është ‘bashkëjetesa’ në mënyrë fantastike e të resë dhe të vjetrës, antikes dhe modernes. Shqipëria më ngjan shumë me Izraelin aty ku unë jetoj. Është një vend i vogël me ambicje të mëdha. Peizazhi në vendin tuaj të mrekullon. Në një sipërfaqe kaq të vogël është fantastike sesi mund të gjesh edhe malin, edhe detin, edhe lumin, kodrën, fushën…Shqiptarët janë po ashtu shumë miqësorë, shumë mikpritës..
Ju kujtohet fëmijëria juaj? Çfarë do të donit t’i sillnit vetes nga ajo kohë?
(Qesh) Nga fëmijëria ime unë i sjell shpesh vetes ‘fëmijën që fle brenda meje’. Mësueset në Helen Doron e shijojnë shumë trajnimin sepse aty ato nxjerrin fëmijën brenda vetes, kthehen dhe ndihen si fëmijë. Dhe a ka gjë më të bukur se të jesh fëmijë edhe kur je 30, 40, apo 70 vjeçe?! Është e detyrueshme për mësueset që sapo të futen në klasë të kenë me vete edhe fëmijën brenda tyre…Në fakt këtë duhet ta bëjmë të gjithë. Nuk ka terapi më të mirë.
Helen Doron- Themeluesja e ‘Helen Doron Method of teaching’