KreuArt

Intervistë/ Anita Haradinaj, Tango e fundit në Tiranë!

Nga Olsi Kolami 
Fotografia: Leo Arapaj

Një intervistë e sinqertë, si gruaja e kryeministrit, mama e tre fëmijëve, vajzë e një familje vajzash me një baba që e ka frymëzuar, por edhe një imazh shembullor në mënyrën sesi ajo komportohet me publikun, përmes ekranit dhe jashtë tij.

Anita Haradinaj është një portret i dashur për publikun, me një stil të rafinuar dhe një natyrë të sinqertë e cila shfaqet në çdo moment. Kur flet për Dance Albania, ku u shfaq së fundmi në ekran, Anita nuk i fsheh ndjesitë e një eksperience e cila i dhuroi emocione të paprovuara më parë. Ky sinqeritet u shpërfaq çdo mbrëmje duke prekur publikun me natyrën e saj. Anita Haradinaj nuk e fshehu natyrën e përkushtuar si mami e tre fëmijëve që i mungonin çdo ditë, por edhe si gruaja e parë Kosovës, e cila puth lirshëm kudo bashkëshortin, kryeministrin Ramush Haradinaj, si një formë krejt e zakontë urimi mes të dyve për të festuar sukseset e tyre. “Ne puthemi çdo ditë, dua të ndihem e dashuruar, më pëlqen dashuria, më pëlqen puthja, është shumë gjest sensual mes një dashurie. Nuk ishte hera e parë që jemi puthur në publik, ne jemi puthur kudo, në parlament, rrugë, lokale apo ceremoni zyrtare, kudo që të jemi për sukseset e njëri – tjetrit ne urohemi dhe puthemi”- rrëfen Anita, në këtë intervistë për Bordo.

Anita si do ta përkufizonit eksperiencën tuaj në Dance Albania?

Eksperienca ime në “Dance Albania” ka qenë shumë e bukur, ndryshe nga të gjithë eksperiencat që kam pasur, e kam shijuar maksimalisht, më ka pëlqyer çdo gjë që ka patur të bëjë me “Dance Albania”, duke nisur me mënyrën strikte që e karakterizon punën e palodhshme të Vera Grabockës, që ne i themi një kulturë angleze e mënyrës së të punuarit. Pastaj ka qenë një kast jashtëzakonisht i mirë i përbërë nga njerëz me shumë background të pasur në opinion dhe kemi patur shumë mirëkuptim, një punë ekipore e mirë, pa tendenca apo lodhje të gjërave të vogla që sjellin keqkuptime dhe ta rëndojnë punën, çdo gjë ka qenë e bukur. Për mua ka qenë eksperiencë e veçantë mbi të gjitha sepse ka qenë ndryshe nga 23 vitet e mia në televizion.

Si të erdhi ftesa për të qenë pjesë e programit? 

Ftesa më erdhi në një moment kur unë isha duke mos bërë asgjë. Ishte verë, kohë pushimesh me fëmijët, gjëra rutinë që i ndodhin të gjithëve periudhën e verës. Kur më erdhi ftesa më intrigoi. Pastaj u takova me Verën, ne jemi rritur me spektaklet e bukura që di të krijojë vetëm Vera Grabocka. Kështu që vendimin e mori ajo, ja lashë asaj në dorë të vendoste për mua sepse unë nuk mund të vendosja si Peshore që jam, nuk marr dot vendim, ndaj ja lashë Verës si Dash që është (qesh). I thashë: ose do të më rrëzosh ose do më çosh! Vera ka bërë një punë të jashtëzakonshme, një bashkëpunim i jashtëzakonshëm me mua që i jam mirënjohëse. Ka respektuar edhe karrierën time televizive .

Po bashkëshorti, familja si reagoi kur pranuat?

Bashkëshorti, fëmijët dhe familjarët të gjithë u habitën me vendimin tim. Unë nuk jam ai tipi që ‘hidhem’ ose vdes të marr vëmendje, por sepse nuk di të kërcej, ndaj të gjithë u surprizuan por edhe më përgëzuan për guximin. Patjetër nuk ishte hera e parë që merrja të tillë guxim, por e mora, e realizova dhe besoj shumë mirë për aq kohë sa pata mundësinë të rrija.

Paulo Coelho ka thënë: Kur kërceni, shijoni luksin e të qenit ju! Çfarë ndjesie ju dhuroi kërcimi?

Patjetër, pajtohem me këtë. Njeriu kur kërcen çlirohet, harron, muzika dhe kërcimi e bën këtë efekt tek njerëzit. Jo rastësisht të gjitha sportet, trajnimet e suksesit kombinohen me muzikën dhe vallëzimin, sepse të çliron, të jep mundësinë ta njohësh veten në një dimension tjeter. Ndjesitë që më dhuroi vallëzimi patjetër që ishin të mira. Unë vdes pak për t’u llastu e për të vallëzuar, gjithsesi ishte ndryshe dhe e vështirë.

Një moment interesant ishte pjesëmarrja e kryeministrit Haradinaj, ju motivoi apo u ndjetë në siklet gjatë provave?

Ramushi erdhi dhe më bëri një vizitë, nuk është se më motivoi, sepse unë motivimin më të mirë e gjej tek vetja, por më erdhi mirë që erdhi aty, më pa dhe e jetoi nga afër të gjithë gjënë, spektaklin, provat. Ai e njeh pak spektaklin nga ky dimension. E njeh televizionin për debatet apo intervista, por jo pjesën pas kamerave, ndaj më erdhi mirë që e kuptoi se nuk ishte gjë e lehtë për t’u bërë pjesë, pavarësisht se në televizion mund të duket si “Eh mo një lëvizje aty, një kërcim” por ishte impenjative dhe e vështirë.  Nuk u ndjeva në siklet, pasi kemi një jetë që jetojmë bashkë dhe ai e di që unë jam tip alegro.

Puthja juaj bëri xhiron në rrjet, ishte diçka spontane apo kështu silleni dhe në jetën e përditshme?

Ne puthemi, çdo ditë puthemi, nuk është gjë e turpshme si çdo çift besoj…, unë dua të ndihem e dashuruar, dua të dashuroj, më pëlqen dashuria, më pëlqen puthja, madje puthja mendoj është shumë gjest sensual mes një dashurie. Nuk ishte hera e parë që jemi puthur në publik, ne jemi puthur kudo, në sallë të parlamentit, rrugë, lokale apo ceremoni zyrtare, kudo që të jemi për sukseset e njëri – tjetrit ne urohemi dhe puthemi

Një javë para largimit nga Dance u përlotët për fëmijët, kjo ishte arsyeja që e latë programin?

U përlota për fëmijët, sepse më merrte malli shumë. Ne kemi një raport shumë miqësor, korrekt, normal pastaj kam dhe autoritet prindëror, por më merr malli dhe nuk rrija dot kaq gjatë pa i takuar. Mendoj të gjithave nënave ju ndodh kjo. Ne kemi shumë pyetje në kokë: si është a po i bën detyrat, a është mërzitur për mua…? Pastaj më ndodhi problemi me gjurin që m’u desh të bëja fizioterapi, edhe herë pas here ndjeja dhimbje, por besoj do të kalojë.

Po fëmijët si janë ndjerë larg jush këtë periudhë?

Të rriturit janë rritur, normalisht janë mërzitur, por edhe ndoshta ju ka pëlqyer pak privatësia, i vogli është mërzitur më shumë, njëlloj si unë, sepse kalojmë shumë kohë bashkë, ndryshe nga dy të mëdhenjtë që janë më të angazhuar në shkollë e fakultet. E ndjeja që të voglit po i mungoja shumë sepse më pyeste gjithmonë…

A mund të na zbuloni diçka rreth raportit që keni me fëmijët tuaj?

Kam një raport shumë të mirë, i dua më shumë se gjithçka. Në asnjë moment të jetës sime, të vështirë apo të mirë, ata kurrë nuk më kanë bezdisur, kurrë nuk më kanë shtuar dozën e cilit do meraku që mund të kem kaluar unë, përkundrazi ata kanë ditur të më lënë në hapësirën time që unë ta menaxhoj gjënë.

Cili prej fëmijëve ju ka ngjarë më shumë ju dhe cili kryeministrit?

Unë mendoj se me karakter dy fëmijët e mëdhenj janë më shumë si Ramushi, janë më të përmbajtur, më me disiplinë. I vogli është karizmatik, mistrec, llafazan, i zhurmshëm… mendoj se më ka ngjarë mua.

Si është të jesh disa herë gruaja e parë, bashkëshorte e kryeministrit të Kosovës?

Me kushtetutë nuk është se kemi ndonjë rol, përveçse shoqërimit të kryeministrit nëpër ceremoni apo pritje, gjithsesi të jesh grua e një politikani në këtë shtet që kalon nëpër shumë faza tranzicioni nuk është e lehtë, aq më tepër në shoqërinë ku jetojmë ne me situatat e vështirësitë që përballemi ne.

Gazetare dhe imazh i medias në Kosovë, a ju mungon ekrani?

Jo ekrani nuk më mungon sepse ekranin e kam këtu, aty, domethëne kudo që të sillem unë kam ekran. Unë jam pjesë e botës së medias, gazetare, prezantuese, kam bërë çdo punë dhe kam prezantuar emisione në televizion. Kam 23 vite, po e theksoj përsëri nuk më mungon sepse jam pjesë e ekranit gjithmonë dhe do të vazhdoj përsëri tek lajmet deri në një mundësi tjetër ose në një angazhim të ri.

Cili ka qenë mësimi më i mirë që ju ka dhënë babai në profesionin tuaj apo daljet në ekran?

Këshilla dhe mësimi më i mirë që ma ka dhënë…? Mbaj mend që kur kam filluar të lexoj lajme më ka thënë: kujdesu që të lexosh dhe të të kuptojë edhe një plak diku andej nga zonat rurale, por edhe një i ri nga qyteti, domethënë që të flasësh sa më pastër, sa më bukur që çdo kush të ketë mundësi të të kuptojë. Pastaj, nëse do që të jesh e afërt dhe të dojë publiku, duhet të jesh patjetër vetvetja dhe unë këtë kam bërë në çdo prezantim timin. Unë nuk kam provuar te jem dikush tjetër, jam po kjo Anita që keni parë si nëpër intervista si në juri, në Dance apo në lajme, unë jam e çiltër siç më ka parë publiku deri sot. Nuk ka dy Anita tek unë.

Ju jeni diplomuar për Juridik, por zgjodhët gazetarinë, a jeni penduar?

Unë jam diplomuar për Juridik, kam bërë masterin për Lidership Ekzekutiv dhe menaxhim të shërbimeve publike në Universitetin Amerikan. Gazetarinë e kam zgjedhur pa u diplomuar, pa u regjistruar në fakultet, pa bërë master, domethënë në një moshë shumë të hershme dhe kam ngecur aty me dëshirë pasi unë jam rritur në televizion, televizionin e kam pasur pasion. Unë kurrë në jetë nuk e kam menduar veten time të punoj diçka tjetër përveç se në televizion, kështu që jam e realizuar përsa i përket televizionit.

Si është të jesh tre motra në një familje, cfarë ke mësuar nga ky raport?

Të kesh motra në familje është bekim i Zotit sepse aty e kupton që i ke të gjitha, nuk ke nevojë për asgjë dhe nuk je vetëm kurrë në çdo lloj sfide dhe çdo lloj suksesi.

Keni jetuar për një periudhë të gjatë në Tiranë, si e kujtoni atë periudhë?

Atë kohë e kujtoj si një periudhë shumë të bukur të jetës sime dhe me nostalgji, prandaj do ta përmbyll me një fjali: Unë dhe Tirana jemi dashuri të vjetra. Nuk ka cep në atë qytet që unë nuk e kam një kujtim, kujtimet që më bëjnë të ndiej nostalgji, ngelen të bukura sepse aty kam qarë dhe kam qeshur.

Gjithmonë në formë dhe me shumë stil, cili është sekreti?

Sekreti që më mban në formë, patjetër është aktiviteti fizik, disiplina edhe herë pas here një mbyllje e gojës (qesh)! Nëse abuzon me ushqimin 1 ditë, e pastaj 3 ditë, do kujdes.

Shpenzoni më shumë për veshje apo aksesorë, cilat janë markat që nuk “i tradhton”?

Nuk është se kam marka që nuk i tradhtoj. Vishem me H&M, Zara, Superdry, pastaj edhe me Gucci, Prada apo çdo lloj marke…! Nuk jam fanatike e markave luksoze, jam fanatike e stilit tim edhe e shijes sime, mendoj se ja dal me sukses, shpesh herë jam bërë edhe shembull. Aksesorët janë gjithmonë të rëndësishëm, mund të vishesh shumë thjesht, por nëse do e prekësh me ca aksesorë të bukur atëherë me patjetër do të dukesh shumë bukur.

Botuar në BORDO, Dhjetor-Janar 2022

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF