KreuBusull

Eda Bano prek nga afër bazën Pearl Harbor

Eda Bano prek nga afër bazën Pearl Harbor

Sa herë vjen 8 Marsi, i cili me të gjithë madhështinë e vet mbulon dhe personifikon festën e gruas, nuk e di se përse kjo ditë në mendjen time më afrohet me një foto të një gruaje të bukur, e cila me flokët lidhur, në një profil të këndshëm, shtrëngon grushtin. Dhe ky imazh nuk e di përse më shpie në Pearl Harbor, ku kjo forcë dhe bukuri e femrave më shumë se kudo gjetkë ka gjetur mishërim.

Teksa shumë vite më parë shihja filmin me të njëjtin titull, më nxitën kureshtjen e fantazinë gjithë ato vajza dhe gra të reja e të bukura, në rolin e infermiereve apo të punonjëseve të shërbimit, në bazën ushtarake amerikane të Pearl Harborit, ku një kast i mrekullueshëm aktorësh të çonte në botën e fantazisë dhe ndjeje kënaqësi, derisa sulmi fatal ia behu dhe pastaj gjithçka u shndërrua në dhimbje, trishtim dhe tragjedi.

Por, pikërisht atëherë spikati ajo trimëri dhe vendosmëri e atyre grave dhe vajzave më së shumti, të cilat u treguan të hekurta dhe aq të forta, sa një grua di të jetë.

Që kur kam parë këtë film shumë e shumë vite më parë, mendova: “Do vijë një ditë dhe unë do të shkoj në Pearl Harbor, ta shoh me sytë e mi ketë bazë, do të shkoj në infermieritë, do të kaloj aty ku kanë shkelur ato gra e ato vajza të bukura e të adhurueshme”.

Dhe po flas për një kohë që ne shqiptarët nuk shkonim dot as në vendet fqinje, kurse termi “Honolulu”, përdorej kur doje të tregoje diçka aq të largët, po aq sa të pamundur.

Dhe gjithçka që mendojmë në nënvetëdijen tonë vjen një moment e realizohet. Aty në Honolulu, pikërisht në Pearl Harbor, mësova që, “Duke ndryshuar rrjedhën e historisë amerikane, sulmi në Pearl Harbor nga japonezët më 7 dhjetor 1941, mbetet një nga ditët më tragjike që ka përjetuar Amerika. Sa hap e mbyll sytë, vendi u detyrua të përfshihej në Luftën e Dytë Botërore.

Heroinat femra të Pearl Harborit luajtën një rol të rëndësishëm në uljen e vuajtjeve, dhe ndihmesën që ju dhanë viktimave. Gjithë Amerika nderon edhe sot e kësaj dite trimërinë, guximin dhe sakrificën që shfaqën ato gra”.

Asokohe, gratë nuk ishin në gjendje të ishin pjesë e luftimeve, përkundrazi, ato ishin infermiere, mekanike, shofere apo telegrafe.

Të mbërrish nga Waikiki në Pearl Harbor, kërkon rreth një orë me autobus, që ishte edhe mundësia më ekonomike për të arritur atje! Nga autobusi i linjës hipnin e zbrisnin shumë pasagjerë nëpër stacione dhe në fund mbetëm vetëm 6 veta, me të cilët u bëmë një grup i vogël miqësor e rastësor, si përherë në këto raste! Të gjithë të nxitur për të parë këtë monument të gjallë të historisë! Baza është pak më larg se stacioni i autobusit, por në fund, ia vlente mundimi!

Të gjendesh në Bazë dhe të shohësh me sytë e tu gjithë historinë të të kalojë para syve, sesi një sulm, një ditë, një çast, ndryshon rrjedhën e jetës të sa e sa njerëzve, ndryshon fate familjesh dhe prodhon heronj dhe heroina! Të shohësh si është nga brenda një nëndetëse, mensat ku rrinin apo sende të tyre… Në këtë tragjedi janë vrarë gjithsej 2403 gra dhe burra, është gjithashtu e rëndësishme të njohim faktin se si heroinat femra amerikane iu përgjigjën thirrjes dhe rrezikuan jetën e tyre për të ndihmuar të lënduarit në këtë ngjarje madhështore. Prandaj më lidhet përherë 8 Marsi me figurën e gruas së bukur, seksi dhe me grushtin mbledhur, pikërisht si heroinat e bukura të Pearl Harborit!

Tags:

Home Busull

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF