KreuCelebrity

Altea Alushi; Poezia, si një film

Altea Alushi; Poezia, si një film

Përtej çdo përfytyrimi poezia gjen më në fund imazhin e përsosur, atë të një vajze e cila ka aftësinë të hyjë përmes çdo vargu në imagjinatën tuaj, duke na sjellë të kristalizuar, një histori si një film

Nga Olsi Kolami

Përtej imagjinatës së një poeti, kushdo kur lexon një poezi vendos veten në një botë ku ndihet komod përmes fjalës, përshkrimeve e detaje, duke udhëtuar në një univers që i përket. Dhimbjen, dashurinë, lotët, emocionet, mund të marrin tjetër ngjyrë, ndërsa në poezinë Altea Alushit, nuk mund të tjetërsohet asgjë. Ajo sjell një ndërthurje të vargjeve me imazhet, madje dhe me zërin e saj, duke na futur në një univers unik, atë të Alteas dhe askujt tjetër. Gjithçka duket më e prekshme, një dimension gati i panjohur deri tani i poezisë. Poete, aktore e regjisore, vajza e talentuar nga Korça ka tërhequr vëmendjen përmes klipeve me poezi, duke u kthyer në një trend për shumë ndjekës të saj në rrjetet sociale. Edhe pse një artiste e re, ajo ka luajtur në skenë krah emrave të njohur të teatrit si: Neritan Liçaj dhe Enver Petrovci, duke zbuluar gjithashtu edhe dimensionin e aktores e cila di të rrëmbejë vëmendjen. Në këtë intervistë për “Bordo”, poetja na rrëfen ndjesitë që i dhuron poezia, projektet, si dhe ku e sheh ajo veten mes skenës dhe poezisë në të ardhmen.

Altea, poete, aktore, regjisore, ku jep maksimumin tuaj kreativ?

Poezia nuk më lë vetëm. Aktrimi më jep dinamikë. Regjia me jep pushtet… – në këtë moment të jetës po shkruaj shumë, mesa duket nuk paskam dëshirë të qëndroj vetëm.

Çfarë ju frymëzon, si nis e ngjizet një poezi?

Më frymëzon e bukura kudo, një buzëqeshje e dikujt në rrugë, një histori e dhimbshme e parukierës së lagjes, një ankesë e mamit për rregull në shtëpi, një përqafim i njeriut të zemrës, perëndimi i diellit etj. Etj.. Shkruaj shumë spontanisht dhe u kërkoj miqve që kam pranë të më durojnë sa të “ngjiz” diçka!

Jeni kthyer në fenomen, poezi dhe video, nga e morët spunton?

Fenomen? Akoma. Është rruga e artit ajo në të cilën dua të kaloj e të takoj mijëra njerëz, që e duan krijimtarinë time. Spuntoja ime janë njerëzit!

A mendon se e kufizon fantazinë e lexuesit një poezi që kombinohet me imazhin?

Po e vërtetë, mund ta kufizojë fantazinë, por meqenëse lexuesi përton të fantazojë e të prekë librin me dore, unë ia bëra më të lehtë: I solla imazhin!

Sa ju ka ndihmuar të qenit regjisore për të ndërthurur këto dy elemente?

Nëse nuk do të kisha studiuar në Akademinë e Arteve për Regji, sigurisht që do ta kisha më të vështirë të ideoja një tekst e t’i jap atij jetë. Por unë nuk do e quaja veten një regjisore, akoma. Të qenit regjisore është diçka e madhe e cila vështirë të arrihet për pak vite. Regjisori është ‘Zoti’, ka përgjegjësinë e gjithë “shfaqjes”. 

A keni projektuar që poezitë të jenë në një botim në letër, përtej atyre ne video?

Pikërisht ngaqë nuk kisha besimin se do të lexohesha, e lashë për një moment tjetër librin. Por poezia ka nevojë të qëndrojë në sirtarin e vet, atë të librit, e jo të rrjeteve sociale. Kështu që … shumë shpejt do ta botoj!

Keni patur disa eksperienca në mbrëmje poetike, çfarë ndjesie ju dhuron kontakti me publikun?

I dua! Pa publikun, poezitë e mia do të ishin pa formë, pa ngjyrë, pa shije. Publiku ka në dorë gjithë emocionet e mia. Nëse ai është keq, dhe unë bëhem keq. Nëse ai qesh dhe unë qesh me ta. Jam shumë e lumtur që në prezantimin dhe interpretimin e poezive të mia, gati-gati unë, publiku dhe poezia, u bëmë një trup.

Krah Neritan Liçajt te “Vagon”, si ishte të luajë një studente përballë një aktori të njohur?

Ishte fat! Ishte ndihmë! Ishte sakrificë! Dhe pak siklet (haha)! Por, Neritani është njeri shumë fisnik, mbi të gjitha një aktor bashkëpunues.

“Pasaporta” e Enver Petrovcit, çfarë i shtoi pasaportës artistike të Alteas?

Komedi! Nuk para më ka pëlqyer komedia, e as e kam parë dhe shoh veten në komedi. Gjithmonë më ka pëlqyer drama dhe gjërat e rënda. Ishte e guximshme të dilja pak jashtë stilit tim, por ja dola!

Pse Altea ka zgjedhur të jetë më shumë aktore sesa regjisore, siç është diplomuar?

Skena është shtëpia ime! Që e vogël më ka pëlqyer të jem në qendër të vëmendjes, ndoshta të qëndruarit në hije si regjisore nuk është pika ime e fortë. Por, siç thashë edhe më lart, regjia kërkon vite pune mbi shpinë! E unë ende nuk i kam!

A mund ta na zbuloni diçka për projektet tuaja të ardhshme?

Shumë shpejt, pjesë e videove të mia poetike, do të jenë edhe artistë të mirënjohur! Bashkë me ndihmën e tyre, do të përpiqemi t’i japim më shumë zë kësaj nisme!

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF